E gjithë qeveria “në ajër”, edhe ministrat kanë shpenzuar1.1 miliard lekë fluturime

Pas publikimit të të dhënave të sistemit TIMS nga Hakerët për fluturimet me charter komercial, zbardhen edhe shpenzimet e ministrave për udhëtimet e luksit me avion jashtë vendit, të cilat kapin shifrat e tmerrshme prej 1.1 miliard lekë. Vetem në 1 orë fluturim me avion, harxhohet karburant sa 1 shqiptar harxhon për 3 vjet me makinë. Ja lista e ministrive

Shpenzimet e fluturimeve charter përllogariten të jenë disa milionë euro. 22 milionë, -thotë opozita, pra 15 mijë euro në orë. Rama harxhon me charter në dy orë, atë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti harxhon në një vit.

  Pas publikimit të të dhënave nga sistemi TIMS, kryeministri Edi Rama është alarmuar. Hakerët treguan se si kryeministri udhëton me charter në të gjithë botën. Plot 175 udhëtime ka bërë Edi Rama me charter që në vitin 2004. Akuzohet se ka harxhuar miliona euro, ndërsa Rama pretendon se ka bërë marrëveshje me “Air Albania” që të udhëtojë me pak lekë, madje ka paraqitur disa shifra. Rama theksoi dhe se avioni që ai përdor nuk është charter komercial, por një avion shpenzimet e të cilit janë “brenda buxhetit të gjithëhershëm të qeverisë.”

Sigal

Por më fakt si është e vërteta?

Sipas të dhënave të marra nga “Open Data Albania”, mbi shpenzimet e qeverisë për bileta avioni që në janar të këtij viti dhe deri më 27 tetor 2022, aparati i Këshillit të Ministrave dhe ministritë e tjera (hiq ministrat pa portofol) kanë shpenzuar plot 130.9 milionë lekë të reja ose 1.1 milionë euro vetëm për udhëtime jashtë, kryesisht për bileta avioni.

Shpenzimet nuk janë vetëm nga titullarët, por edhe nga funksionarët e tjerë të ministrive. Por ajo që bie në sy është se thuajse e gjithë qeveria ka qëndruar në ajër. Më poshtë janë shifrat për të gjitha institucionet e Këshillit të Ministrave dhe nëse shihen me kujdes në krye qendron Ministria e Jashtme, ndërsa pas saj vijnë Ministria e Mbrojtjes, e Financave dhe Këshilli i Ministrave. Të dhënat janë të gjitha transaksione thesari për udhëtime jashtë vendit. Shumëkush mund të thotë se udhëtimet janë të nevojshme dhe askush nuk e mohon, por kryeministri nuk ka se si t’u hedhë hi syve shqiptarëve.

Rama tha se gjatë vitit 2020 ka shpenzuar mesatarisht 193.331 lekë të reja për udhëtime me avion. Pra rreth 2 milionë lekë të vjetra. Në fakt shifrat nuk janë të besueshme. Duke qenë se udhëtimi i Ramës është diplomatik dhe me charter, në TIMS nuk del destinacioni, pasi aty kuptohej qartë vlera e biletës në bazë të shteteve. Por falë transaksioneve të thesarit mund të shihet fare lehtë se sa harxhon e gjithë qeveria për bileta avioni.Pamfleti

 Shpenzimet gjatë vitit 2022 për udhëtime jashtë vendit

  • Këshilli i Ministrave- 15,577,742 lekë
  • Ministria e Mbrojtjes- 27,747,589 lekë
  • Ministria e Mjedisit- 7,798,988 lekë
  • Ministria e Kulturës- 4,420,583 lekë
  • Ministria e Brendshme- 6,357,850 lekë
  • Ministria e Jashtme- 28,212,868 lekë
  • Ministria e Financave- 11,774,619 lekë
  • Ministria e Arsimit- 5,116,018 lekë
  • Ministria e Bujqësisë- 7,199,694 lekë
  • Ministria e Shëndetësisë- 3,171,777 lekë
  • Ministria e Drejtësisë- 4,379,445 lekë
  • Ministria e Transportit- 9,189,914 lekë
  • Totali- 130,947,087 lekë

Opozita: 137 fluturimet e ‘sheikut’ të qeverisë, miliona të djegura

Skandalet në të cilat është përfshirë qeveria në pushtet kanë nxitur sërish reagim të fortë opozitar, kundër ‘babëzisë’ më të cilën shpenzohen paratë e qytetarëve. Opozita është shprehur se fluturimet e Ramës janë fyerje për  varfërinë, në të cilën ndodhen shqiptarët dhe me rritjen e çmimeve me të cilat po përballen.

Të dhënat e sistemit TIMS, zbuluan se si kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e kishte ngritur avionin “Ismail” plot 134 herë gjatë tre viteve të fundit për të udhëtuar qoftë edhe deri në Kosovë, duke harxhuar shuma të mëdha në karburant e shpenzime të tjera.

Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili ka deklaruar se kryeministri Rama harxhon me charter në dy orë, atë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti harxhon në një vit. Sipas tij “Kurti harxhon 6913 euro në vit duke udhëtuar me linja ajrore të zakonshme dhe në klasë ekonomike, ndërsa ‘sheiku’ Rama fluturon vetëm me avion personal”.

Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi shprehet se “Ndërsa shqiptarëve Rama i kërkon të ngrohen në diell për të kursyer energjinë, ju tund atyre në formë kërcënimi tmerret e krizës dhe të luftës. I lë në det të hapur, në fatin e gomoneve dhe vet nuk ndalet në luksin e shfrenuar. Sipas të dhënave të TIMS, Rama ka fluturuar plot 137 herë duke djegur në ajër 22 milion euro të shqiptarëve. Për këtë arsye, grupi ynë parlamentar do të dorëzojë menjëherë kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për këtë çështje për zbardhjen e kësaj afere korruptive,” -është shprehur Boçi.

Përllogaritja/ Rama harxhon karburant në 1 orë me avion sa një shqiptar në 3 vjet me makinë

Le të bëjmë një llogari të thjeshtë. Le ta krahasojmë shpenzimin e karburantit të 1 ore fluturim me charter me karburantin që shpenzon një familje shqiptare me makinë. Avioni “Ismaili”, që përdor kryeministri, një Airbus A319-115(CJ), TC-ANA, harxhon 2600 litra karburant, i llojit vajguri tip Jeta-1. (shih tabelën poshtë). Ky lloji vajguri në tregjet ndërkombëtare kap vlerën 1 euro për litër, ndërsa në aeroportin e Rinasit ofrohet për afro 1.5 euro për litër. Duke shumëzuar sasinë e karburantit prej 2600 litrash që charteri shpenzon për 1 orë, me 1.5 euro për litër, rezulton se Rama harxhon rreth 4 mijë euro për 1 orë fluturim. 4 mijë euro sot janë 2 mijë litra naftë, me çmimin prej 240 lekësh apo 2 eurosh për litër, me të cilin tregtohet nafta në vendin tonë. Për të konsumuar 2 mijë litra naftë, një makinë luksoze që shpenzon mesatarisht 10 litra për 100 kilometra, do të duhet të bëjë 20 mijë kilometra. Një familje shqiptare udhëton mesatarisht 10 deri në 15 mijë kilometra në vit. 15 mijë kilometra përkthehen në 3 mijë euro kaburant. Nëse autovetura do të jetë e konsumit mesatar, rreth 6 litra për kilometër, 4 mijë eurot që shpenzon “Ismaili” në 1 orë për karburant, një familje do t’i shpenzonte në 4 vjet me makinën e saj. Është llogari e thjeshtë. Të njëjtin krahasim mund ta bëjë çdo qytetar sipas konsumit të makinës që disponon ose të parave që nxjerr nga xhepi për të blerë karburant. Kryeministri sigurisht që nuk i nxjerr nga xhepi i tij, por ai nuk po tregon as se kush ia paguan këto shpenzime marramendëse, në një kohë kur shqiptarëve u thotë se vendi është në krizë çmimesh, nafte dhe energjie.