Gjobat e ndërkombëtarve/ Qeveria ndryshon ligjin “Për arbitrazhin”, zv/ministri i Drejtësisë: Ndikon te investitorët e huaj por heshtet për përgjegësit

164
Sigal

Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka miratuar sot projektligjin për arbitrazhin në Shqipëri. Ky projektligj synon të përmirësojë procedurat e gjykimit dhe rritjen e efikasitetit në trajtimin e konflikteve duke ofruar zgjidhje më të shpejtë të problemeve të krijuara. Gjatë mbledhjes së sotme zëvendësministri i Drejtësisë, Klajd Karameta tha se përcaktimi i rregullave kombëtare për zhvillimin e arbitrazhit është vlerësuar si një nga prioritet e qeverisë. Karameto vuri në dukje se arsyet se përse palët mund të zgjedhin arbitrazhin janë nga më të ndryshmet, ndër të cilat, arbitrazhi i jep mundësi palëve që të zgjedhin persona me njohuri të specializuara për të gjykuar mosmarrëveshjet e tyre.

“Kjo nismë për miratimin e një ligji të ri që rregullon arbitrazhin në Shqipëri, vlerësohet pozitive dhe çmohet të sjellë impakt pozitiv për grupet e interesit, veçanërisht investitorët e huaj në vend. Përfitimet e drejtpërdrejta që kanë grupet e interesit lidhen me neutralitetin e arbitrazhit që u mundëson palëve të zgjidhin përmes arbitrazhit mosmarrëveshjet e karakterit tregtar ndërkombëtar, edhe pse vijnë nga vende të ndryshme në bazë të autonomisë së vullnetit të tyre”, -tha ai. Ndërmarrja e nismës për hartimin e projektligjit “Për arbitrazhin në Republikën e Shqipërisë” u jep mundësi palëve që për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kanë lindur ose që mund të lindin në të ardhmen të mos i drejtohen vetëm gjykatës, si mënyra e vetme për zgjidhjen e tyre, por të kenë mundësi për të pasur dhe metoda të tjera alternative për zgjidhjen e konflikteve.