Gjiknuri thirrje opozitës: Sillni një model, hapja e listave ka sfida

247
Sigal

Përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri teksa përshëndeti nisëm e opozitës së bashkuar për të pranuar hapjen e listave, theksoi se kjo është një procedurë që ka sfida.

Pak pas mbarimit të mbledhjes së Këshillit Politik, Gjiknuri i bëri thirrje opozitës që të paraqesë një model perëndimor me lista të hapura, duke ruajtur këto koalicione.

“Një gjë është për t’u përshëndetur, që risitë kushtetuese që po diskutohen në Kuvend, janë gjetur me vend dhe nga opozita jashtëpalamentare. Në dokumentin e tyre politik të sjellë sot, ata mbështesin hapjen e listave të kandidatëve. Amendimet kushtuese s’e pengojnë atë që kërkon opozita e bashkuar, e cila mundëson hapjen e listave dhe ia delegon kodit për ta rregulluar. PD dhe opozita, u kthye në tavolinën e negociatave, duke humbur kohë.

Kanë një muaj që diskutonin diçka që po e përshëndesin sot. Koha nuk mund të ndalojë sa herë PD-se t’i kthehet mendja. Por ndryshimet i shkojnë Kodit. Mundësohet hapja e listave dhe çështja e koalicionit, le të zgjedhin modelet aktuale perëndimore për hapjen e listave dhe koalicionet. Kodi zgjedhor i ka mundësitë, dhe ne bashkë me opozitën, jemi të gatshëm që të detajojmë rregullat. Hapja e listave ka sfida të mëdha administrative.

Ndaj duhet kujdes në mënyrën se si formohen koalicionet. Iu thamë që të gjejnë modelet të vendeve me lista të hapura dhe që kanë koalicione të tilla zgjedhore. Por deri tani nuk kemi gjetur. Rëndësi e madhe është hapja e listave. Dhe unë kam pasur skeptizicmin tim, s’e mohoj. Hapja e listave është kërkesë e gjithëpranuar.”, tha ai.