Gjermania kushtëzon negociatat për Shqipërinë

487
Sigal

Pak muaj nga marrja e vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, Gjermania thotë se procesi varet nga “funksionimi i institucioneve demokratike dhe i punës parlamentare.” Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, shtoi se vendimi për hapjen e negociatave do të merret pasi publikimit të raport progresit të Komisionit Europian.

Hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian varet nga “funksionimi i institucioneve demokratike dhe i punës parlamentare.”

Këtë ka nënvizuar zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, që shtoi se vendimi për hapjen e negociatave do të merret pasi publikimit të raport progresit të Komisionit Europian.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë ftuar në Berlin më 29 prill liderët e Ballkanit.

Duke shpjeguar arsyen e ftesës së kancelares Merkel dhe presidentit Macron, Seibert tha se ata dëshirojnë të flasin me “bashkëbiseduesit e tyre për sfidat e veçanta në rajon dhe në radhë të parë për dialogun Serbi-Kosovë.”

Zëdhënësi nuk pranoi të thoshte asgjë për pritshmëritë nga konferenca, por shtoi se takimi “është fryt i mëtejshëm i interesimit të thellë që ka Gjermania për zhvillimin pozitiv të Ballkanit Perëndimor.”

Më herët kryeministri Rama ka thënë se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor dhe paralajmëroi se Bashkimi Europian do të tregonte “verbëri monumentale nga këndvështrimi strategjik,” nëse i hapte negociatat vetëm për Maqedoninë e Veriut.