Gentian Trenova: Krimi i organizuar dikton vendimmarrjen e institucioneve shtetërore në Shqipëri

522

“Duhet të themi se qeveria shqiptare në bashkëpunim me Komisionin Europian kanë bërë shumë përpjekie institucionale dhe diplomatike për të ndërhyrë në vendimmarjen e Gjykatës së Strasburgut. Shpresojmë që kjo gjykatë të marrë vendimin e saj e pandikuar nga ndërhyrjet dhe lobimet diplomatike europiane BE – qeveria e Ramës”

Sigal

Jakup B. GJOÇA

Gentjan Trenova, jurist, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se produkti i deritanishëm i Reformës në drejtësi është përkeqësimi i parametrave të dhënies së drejtësisë, ndërsa procesi i vettingut është selektiv, me ndikime të politikës dhe të krimit. OFL-ja, thotë juristi Trenova, është instrument i qeverisë, prandaj nuk mund të ketë pritshmëri që të godasë korrupsionin. Zoti Trenova thotë se shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë ankuar tek Gjykata e Strasburgut, duke evidentuar shkeljet e nenit 6 të Konventës, të cilat janë të qarta edhe për vetë Gjykatën e Strasburgut. Juristi Trenova pohon se Bashkimi Europian dhe qeveria e kryeministrit Rama kanë ushtruar presion politik për të ndërhyrë në vendimmarrjen e Gjykatës së Strasburgut, për çështjet e ankimimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve kundër vettingut në Shqipëri.

-Zoti Trenova, si e shpjegoni që ndodhin kaq krime, në mes të ditës dhe në qendër të qyteteve?

– Numri i lartë i krimeve ka disa shkaqe për të cilat ndodhin. Shkaku primar është puna e dobët parandaluese e Policisë së Shtetit. Vendit tonë i ka munguar një polici profesionale, ku karriera e punonjësit të policisë të bazohet në meritat profesionale dhe të jetë sa më larg ndikimit të politikës. Nga të dhënat, duket se ka një rritje të krimit, apo vrasjeve të tipit mafioz. Ky tregues është pasojë e rritjes së aktivitetit të krimit të organizuar. Aktiviteti kryesor i krimit të organizuar në vend, është trafikimi i lëndëve narkotike dhe presioni i madh që ushtron forca paguese që ka sot krimi i organizuar. Sigurisht që nuk mund të lëmë pa përmendur edhe shkaqe të tjera që kanë të bëjnë me mënyrën e qeverisjes së vendit, me nivelin e zbatueshmërisë së ligjit, me nivelin ekonomik, por edhe me problemet e tjera sociale dhe ekonomike.

“Procesi i vettingut është qartësuar se largimi apo konfirmimi në detyrë është thjesht një proces selektiv mbi vlerësime subjektive, ku nuk mund të përjashtohen ndikimet e politikës dhe të korrupsionit në këtë proces. Është presioni që vjen nga paraja e krimit të organizuar si dhe ndikimi që ka krimi i organizuar edhe në vendmimmarjen e institucioneve të rëndësishme shtetërore”

-Thua të jenë raste të veçanta, që gjykatat tashmë, edhe pas reformimit, vettingut, ngritjes së ILD-së, ( Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë), japin vendime që provokojnë pritshmërinë e qytetarëve për drejtësi nga Gjyqësori, derisa lirojnë nga burgu të dëmuarit për krime të rënda?

– Lirimi i të dënuarve edhe pas ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë edhe pse ne jemi në mes të procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përsëri ka një shqetësim real në medie në lidhje me përfundimet e burgimit të disa personazheve të rrezikshëm të krimit. Kjo situatë vjen për disa arsye. Gjyqtarët dhe prokurorët, nuk janë të sigurt në punën e tyre. Pasiguria ndikon ndjeshëm edhe në vendimmarrjen dhe në punën e tyre të përditshme. Një gjyqtar, apo një prokuror sot ndihet në presion, apo shantazh, në disa drejtime. Së pari, është procesi i vettingut, ku tanimë është qartësuar se largimi apo konfirmimi në detyrë, është thjesht një proces selektiv mbi vlerësime subjektive, ku nuk mund të përjashtohen ndikimet e politikës dhe të korrupsionit në këtë proces. Nga ana tjetër, është presioni që vjen nga paraja e krimit të organizuar si dhe ndikimi që ka krimi i organizuar edhe në vendimarjen e institucioneve të rëndësishme shtetërore.

– A mendoni se gjykatat tashmë japin vendime të politizuara? A ka pavarësi gjyqtari dhe prokurori?

– Edhe pse formalisht është e shkruar që një gjyqtar apo prokuror është i pavarur, kjo nuk mund të thuhet se është reale. Procesi i vettingut për shkak të paaftësisë, për shkak të ndikimit të politikës dhe krimit të organizuar në këto organe, ka çuar që shumë gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkohen në mënyrë të padrejtë. Janë shumë prej tyre që kanë dhënë dënime me shumë vite burg, apo burgime të përjetshme shumë prej personazheve të rrezikshëm të krimit dhe sot si shpërblim, kanë largimin në mënyrë të padrejtë nga puna. Ky është një shembull i keq, që nuk inkurajon pjesën tjetër të prokurorëve dhe gjyqtarëve për të punuar me ndershmëri dhe përkushtim, apo për të qenë shumë të përgjegjshëm në situata të veçanta dhe të rëndësishme në vendimmarje. Edhe pse mund të ketë kaluar procesin e vettingut, rreziku i largimit në mënyrë të padrejtë është përsëri i lartë, për shkak se institucionet e reja të drejtësisë kanë treguar deri tani mungesë përgjegjësie për të treguar se janë të pavarur në vendimarrjen e tyre. Vendimet e tyre duket qartë se merren sipas oreksit të drejtuesve të qeverisë. Rasti më domethënës është me gjyqtarin Ardian Dvorani. Duket se gjatë gjithë procesit, që nga emërimi i tij si gjyqtar, që nga përfshirja e tij si ekspert në reformën në drejtësi, që nga mënyra sesi u bë procesi i vettingut të tij, sesi lëvizën gurët dhe u caktua si drejtues i KED-së, procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese i kritikuar edhe nga Komisioni i Venecias, zgjatja e mandatit të tij si gjyqtar në Gjykatën e Lartë për një periudhë 6- vjeçare, por edhe diskutimi që u bë në largimin e tij nga KLGJ-ja, tregon qartë, se çdo gjë e rëndësishme, është lëvizur sipas udhëzimit të interesave të qeverisë. Interesi i qeverisë ka prevaluar mbi çdo pengesë kushtetuese dhe ligjore në çështjet e drejtësisë.

“Pengesa kryesore për mosformimin e Gjykatës Kushtetuese është vetë qeveria, e cila ka një armë në dorë kundër juristëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të padëshiruar të saj. Kjo armë është vettingu. Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese është në leverdi të qeverisë, pasi ajo mund të qeverisë në mënyrë arbitrare pa asnjë lloj kontrolli, apo filtri kushtetues”

– Sipas jush, pse nuk kemi kandidatura për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese?

– Pengesa kryesore për mosformimin e Gjykatës Kushtetuese është vetë qeveria dhe organet e reja të drejtësisë, që veprojnë sipas urdhërave të qeverisë. Sot qeveria ka një armë në dorë kundër juristëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të padëshiruar të saj. Kjo armë është vettingu. Çdo jurist profesionist i mirë nuk mund të kandidojë, pasi mund të bëhet objekt sulmi dhe lincimi publik nga organet e vettingut. Këto organe veprojnë si misionarë politikë, duke shtrembëruar faktet dhe rrethanat për çdo profesionist që mund të aspirojë për të qenë pjesë e institucioneve të reja, por që nuk preferohet nga qeveria, pasi mund të japë më pas vendime të padëshiruara. Sulmi i padrejtë publik, procesi i padrejtë dhe selektiv i vettingut, ka ndikuar që shumë profesionistë të mos kandidojnë. Të vetmit që shohim janë një grup juristësh të profilit të ulët, që në mënyrë qesharake marrin pjesë në çdo lloj gare, kur ka vende vakante, edhe pse janë skualifikuar disa herë për mungesë të kritereve ligjore. Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese është në leverdi të qeverisë, pasi ajo mund të qeverisë në mënyrë arbitrare pa asnjë lloj kontrolli, apo filtri kushtetues. Sigurisht, që kjo situatë nuk do të vazhdojë në pafundësi, por çdo ditë që kalon, sjell dëme të mëdha për shoqërinë për mungesën e demokracisë dhe sigurisë juridike për çdo shtetas.

“Emërimi i Dvoranit si gjyqtar, përfshirja e tij si ekspert në reformën në drejtësi, mënyra sesi u bë procesi i vettingut të tij, sesi u caktua si drejtues i KED-së, procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese i kritikuar edhe nga Komisioni i Venecias, zgjatja e mandatit të tij si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, edhe diskutimi që u bë në largimin e tij nga KLGJ-ja, tregon qartë se çdo gjë e rëndësishme është lëvizur sipas udhëzimit të interesave të qeverisë”

– Cili është produkti i deritanishëm i Reformës në Drejtësi?

– Produkti i Reformës në Drejtësi deri tani është negativ. Duhet të kalojnë shumë vite që mund të shpresojmë që sistemi i drejtësisë të arrijë të paktën në parametrat që ishin përpara se të fillonte reforma. Tani e dinë të gjithë se jemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale, me gjykata të Apelit dhe të shkallës së parë me mungesë të theksuar gjyqtarësh. Kjo ka bërë që numri i çështjeve në çdo gjykatë të shumëfishohet. Qytetarët duhet të presin me vite që një çështje e tyre të përfundojë në gjykatë. Kjo situate rrit premisat për më shumë padrejtësi dhe korrupsion. Bllokimi i funksionimit normal të sistemit gjyqësor paralizon edhe një pjesë të shoqërisë, shumë biznese mund të bllokohen nga vendimet arbitrare të tatimeve, të policisë, shumë qytetarë në morinë e madhe të problemeve ligjore që kanë lenë pezull shumë mundësi për zhvillim të pronës së tyre, të biznesit të tyre, të jetës së tyre sociale akonomike, zgjidhja e të cilave kërkon një vendim gjyqësor përfundimtar. Shumë gjyqtarë dhe prokurorë për shkak të ngarkesës në punë dhe për shkak të pasigurisë kanë ceduar nga cilësia e punës. Produkti i reformës në drejtësi është veçse përkeqësimi i parametrave të dhënies së drejtësisë. Më shumë dosje në gjykatë, më shumë kohë për zgjdhjen e çështjeve, më shumë korrupsion, më shumë padrejtësi, më shumë bllokim të ekonomisë, më pak akses në gjykatë, më shumë raste të shkeljes së të drejtave të njeriut, nivel më të ulët të demokracisë, më shumë arbitraritet nga institucionet shtetërore.

“Produkti i reformës në drejtësi është veçse përkeqësimi i parametrave të dhënies së drejtësisë. Më shumë dosje në gjykatë, më shumë kohë për zgjdhjen e çështjeve, më shumë korrupsion, më shumë padrejtësi, më shumë bllokim të ekonomisë, më pak akses në gjykatë, më shumë raste të shkeljes së të drejtave të njeriut, nivel më të ulët të demokracisë, më shumë arbitraritet nga institucionet shtetërore”.

Pse SPAK-u dhe OFL-ja nuk kanë prekur deri tani ata zyrtarë të lartë, të cilët janë denoncuar dhe akuzuar publikisht, janë zbardhur fakte të pakundërshtueshme për korrupsion, krim zgjedhor, etj?

– Premtimi që iu bë publikut me nisjen e reformës në drejtësi, ishte se nëpërmjet saj, do të goditeshin edhe korrupsioni në nivele të larta. Kjo gjë nuk është bërë deri tani, edhe pse Institucioni aq shumë i propaganduar, SPAK-u, ka më shumë se 6-muaj që ka filluar të funksionojë. OFL-ja është një instrument në varësi të qeverisë dhe nuk mund të ketë ndonjë pritshmëri që mund të godasë korrupsionin në nivele të larta të qeverisë. Por edhe SPAK-u, që nga ana e formale juridike është i pavarur si institucion, pritshmëritë reale i ka të pakta. Dështimi i SPAK-ut në goditjen e nivelit të lartë të korrupsionit vjen për disa arsye. Së pari, pjesa më e madhe e prokurorëve që kandiduan për SPAK, nuk shkuan për motive patriotike, as për motive për karrierë, as për motive të pagës. Ata konkuruan të detyruar apo të shtyrë nga njerëzit e qeverisë për të shkuar aty, me premtimin se nuk do kenë probleme me vettingun. Për këtë arsye ata nuk kanë lirinë e duhur dhe motivet për të hetuar peshqit e mëdhenj. Së dyti, shkarkimet e padrejta të shumë prokurorëve dhe gjyqtarëve nga vettingu nuk japin asnjë garanci për mbrojtje të karrierës. Ata janë të qartë se mund të shkarkohen në çdo kohë, kur nuk i pëlqen qeverisë. Së treti, numri i vogël i prokurorëve dhe numri i madh i çështjeve që duhet të hetojnë nuk japin premisa për cilësi, por mund të sjellë rrezikun për hetime selektive sipas porosive të politikës. Së katërti, presioni i madh për të patur rezultate do të çojë në rrezikun e arrestimeve të nxituara pa prova dhe që në fund do përfundojnë në pafajësi dhe dështime spektakël.

“OFL-ja është një instrument në varësi të qeverisë dhe nuk mund të ketë ndonjë pritshmëri që mund të godasë korrupsionin në nivele të larta të qeverisë”

– A mund të ndodhë, që Gjykata e Strasburgut, t’u japë të drejtë atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, që janë ankuar pse janë të përjashtuar nga vettingu?

– Pothuasje çdo gjyqtar dhe prokuror i shkarkuar ka aplikuar me proces ankimi ndaj procesit në Gjykatën e Strasburgut. Aktualisht janë në proces gjykimi 6 çështje dhe për dy prej tyre, pritet një vendimmarrje nga Gjykata e Strasburgut. Procedurat që ndiqen nga kjo gjykatë janë të tilla që nuk mund të parashikohen saktë koha se kur mund të jepet një vendim. Gjithësesi, nga ana e kësaj gjykate fillimisht është parë një interesim për të kryer procedurat në një kohë më të shpejtë, duke i dhënë përparësi rasteve të vettingut. Nga mënyra se si janë bërë pyetjet nga kjo gjykatë ndaj shtetit shqiptar, lenë përshtypje se shkeljet e nenit 6 të Konventës, janë të qarta edhe për vetë Gjykatën e Strasburgut. Gjithësesi, duhet të themi se qeveria shqiptare në bashkëpunim me Komisionin Europian kanë bërë shumë përpjekje institucionale dhe diplomatike për të ndërhyrë në vendimmarjen e Gjykatës së Strasburgut. Shpresojmë që kjo gjykatë të marrë vendimin e saj e pandikuar nga ndërhyrjet dhe lobimet diplomatike europiane BE – qeveria e Ramës. BE ka ndërhyrë në procesin e gjykimit të vettingut në Strasburg si një palë e interesuar, duke theksuar rëndësinë e procesit të vettingut në Shqipëri për BE-në dhe për marrëveshjet ndërkombëtare. Ndërhyrja e BE-së ka vendosur Gjykatën e Strasburgut në një presion ligjor që prishja e vettingut në Shqipëri, mund të cënonte rendin juridik në Shqipëri dhe mund të cënonte interesat strategjike të BE-së.

“Ndërhyrja e BE-së ka vendosur Gjykatën e Strasburgut në një presion ligjor që prishja e vettingut në Shqipëri, mund të cënonte rendin juridik në Shqipëri dhe mund të cënonte interesat strategjike të BE-së”

– Në rast se ndodh kjo nga Gjykata e Strasburgut, a do të thotë se bie juridikisht edhe vetë procesi i vettingut në Shqipëri? Nëse po, çfarë domethënie ka për Reformën në Drejtësi?

– Shpresojmë që Gjykata e Strasburgut do të konstatojë shkelje të nenit 6 të Konventës, që bën fjalë për procesin e rregullt ligjor, për rastet e largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga detyra nëpërmjet procesit të vettingut. Në këtë rast reforma juridiksit do të quhet e vdekur, e pavlefshme dhe të gjithë të shkarkuarit duhet të kërkojnë dëmshpërblimet e tyre për shkeljet ligjore të bëra nga organet e vettingut. Reforma në Drejtësi sipas asaj që është bërë propaganda deri tani, nuk do të ketë më kuptim. Sigurisht, që sistemi i drejtësisë edhe pa këtë reform, ka patur ndër vite dhe do të ketë një proces vetrregullimi, vetpërmirësimi, duke shkuar gjithmonë e më shumë drejt pavarësisë. Reforma aktuale e drejtësisë e ndërpreu këtë proces, duke krijuar shumë paqartësi, shumë bllokime dhe kthime pas nga përmirësimet e bëra për shumë vite.

“Gjithsesi, nga ana e Gjykatës së Strasburgut fillimisht është parë një interesim për të kryer procedurat në një kohë më të shpejtë, duke u dhënë përparësi rasteve të vettingut. Nga mënyra se si janë bërë pyetjet nga kjo gjykatë ndaj shtetit shqiptar, lenë përshtypje se shkeljet e nenit 6 të Konventës, janë të qarta edhe për vetë Gjykatën e Strasburgut”

– Faleminderit!