Nga Gentian Çala
Disa njerëz reflektojnë ose ndryshojnë vetëm kur prekin fundin. Nuk di ta them përse kjo nuk ju ndodh më herët, por mendoj se mundësia e fundit ia vlen të provohet. Ndaj KM-i Rama duhet lënë që të prekë fundin e tij politik. Kjo mund ti japë një hapësirë reflektimi për të shkuarën, për gjithçka të bërë keq. Qytetari Rama duhet të jetë i çliruar nga Kryeministri Rama, ndaj ta lejojmë të shijojë humbjen dhe zbritjen nga froni.
Sot media i krijoji hapësirë një ngjarje të arrestimit të një personazhi me armë, i gjetur pranë selisë së PS-së, i cili disa kohë më parë kishte kërcënuar Kryeministrin. E denjë kjo për një skenar filmi hollivudian, nuk duket ngjarje tipike shqiptare. Ekzekutimet politike nuk duhet të jenë jetësore, por politike! Kaq mjafton, kurse skenari tjetër nuk i përket një demokracie dhe as mendjeve racionale, por ekstremizmit politik apo me ngjyrime të tjera. Kemi arsye të besojmë edhe te inskenimi i kësaj situate, por më mirë le të flasin institucionet ligjzbatuese.
Kujt i intereson një Ramë i viktimizuar?! Askujt nga ata që janë në opozitë me të. Opozitës i interesojnë zgjedhjet dhe ndryshimi politik. Kaq. Fati i Ramës nuk mund të zgjidhet nga ata që janë kundërshtarë të tij. Ai duhet të përballet me humbjen dhe ta pranojë atë, ai duhet të përballet me mëkatet e tij të shumta dhe i duhet dhënë mundësi të mbrohet para drejtësisë, zotit dhe qytetarëve të tij. Nga Kapitulli i Ramës na duhet të mësojmë se ku u gabua. Individi Rama ka të drejtat dhe detyrimet e tij karshi vendit. As viktimizim dhe as amnesti!
Njerëzit e pushtetshëm thjesht jetojnë sikur ata do të jenë gjithmonë në të njëjtën pozitë. Ata nuk mendojnë se kur nuk do të jenë më, kjo i bën thjesht të humbasin arsyen dhe sensin e realitetit. Guacka e pushtetit mbyllet aq fort sa nuk të lejon të shohësh përtej saj. Ndijesia e humbjes e mbyll më shumë guackën, në vend që ta hapë atë. Ndaj Rama sot ndihet i atakuar ngado, i brishtë dhe viktimizohet. Një Kryeministër i rënë nuk ka nevojë të shtyhet për tu rrëzuar. Fabula duket e thjeshtë dhe nuk bën të komplikohet.
Rama duhet lënë të shijojë fundin e tij politik, Rilindja duhet të përjetojë agoninë, kurse PS-ja duhet të dalë në opozitë për tu riorganizuar.