Gentian Çala: Ndryshimi i zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit para zgjedhjeve, propozim kyç

779
Sigal

Nga Gentian Çala

Nga propozimet e fundit të opozitës për ndryshime në Kodin Zgjedhor, do të veçoja propozimin për ndryshimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe të zinxhirit komandues të saj 100 ditë para zgjedhjeve. Ky element ka një rëndësi të posaçme, një mësim i nxjerrë nga zgjedhjet e qeshorit 2017. Kishte një triadë e përdorur gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, e cila i dha PS-së 74 mandate dhe që përbëhej nga administrata/aktivistë të partisë – të fortët – struktura e rendit. Këta të tre elementë kombinoheshin dhe krijonin atmosferën mbytëse ngado, ku qytetarët e intimiduar ndiheshin në çark, pa zgjidhje nga presionet dhe blerja.

Policia që duhej të ishte garanti i rendit dhe ndëshkuesi i shkelësve të ligjit u vu në shërbim të partisë në pushtet dhe qëndrimet e shumë drejtuesve të Policisë së Shtetit apo elementë të strukturës së saj, përveç molepsjes me krimin, dukeshin qartas të vënë në shërbim të zgjedhjeve. Triada i bënte qytetarët të pafuqishëm, mbyste çdo denoncim. Ndaj triada duhet zhbërë dhe vendosja e Policisë së Shtetit në pozitën e saj ligjore dhe të barazlarguar nga forcat politike do të krijonte një atmosferë që dekurajonte blerjen apo tjetërsimin e votës. Policia e Shtetit duhet të jetë tej çdo ndikimi dhe e motivuar vetëm për mirëadministrimin e procesit zgjedhor.

Ky propozim duhet mbështetur nga të gjitha forcat politike, nga OSBE-ODIHR, si dhe nga partnerët tanë BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja. Ky është element kyç i zgjedhjeve të lira, ku natyrisht që ka edhe elementë të tjerë të rëndësishëm si qeveria teknike parazgjedhore, masat ndëshkuese për tjetërsimin e votës, listat, futja e elektronikës, etj. Unë u ndala te elementi i Policisë së Shtetit sepse ky më duket në perceptimin tim dhe përvojën e zgjedhjeve të fundit, si detaj mjaft i rëndësishëm. Natyrisht që depolitizimi i forcave të Policisë së Shtetit dhe një Drejtësi funksionale dhe e pavarur e bën më efikas rolin e saj, por në kushtet aktuale duhet patjetër ky ndryshim i sanksionuar me ligj dhe po të jetë nevoja edhe me ndryshim kushtetues.

Pseudoreformat dhe ndryshimet joefikase të Kodit kanë ndodhur jo pak herë, ku vullneti politik është i rëndësishëm, por nëse ai mungon nga ndonjë krah politik, atëhere instrumentat shtrëngues dhe të balancuara duhen aktivizuar. Garancitë e kërkuara nga Opozita duhen dëgjuar dhe miratuar, sepse e shtyjnë procesin drejt standartit të kërkuar. Gabimet nuk duhen lënë që të përsëriten!