Kryetari i PD-së, Basha, ndau me bashkëbiseduesit shqetësimin për rritjen e kultivimit dhe trafikimit të drogës me shtrirje në të gjithë territorin e vendit. Basha theksoi se kthimi i Shqipërisë në hambar droge është pasojë direkt e kriminalizimit të politikës dhe administratës. “Edi Rama promovoi në poste kyçe në administrate dhe futi në Kuvendin e Shqipërisë persona të dënuar për trafik droge, të cilëve edhe sot vazhdon t’u japë mbrojtje duke sfiduar haptas ligjin e dekriminalizimit, i cili nuk po zbatohet. Siç u pa dhe në zgjedhjet e Dibrës, këta persona po angazhohen në procese elektorale dhe po mbrohen nga kryeministri për t’i përdorur në zgjedhjet e 2017, duke sjellë disa shembuj si rasti i Elvis Roshit, Artur Bushit, Artur Bardhit, të cilët vazhdojnë të mbajnë postin e kryebashkiakut në thyerje të dispozitave të ligjit të dekriminalizimit, apo Armando Prengës dhe Arben Ndokës, u shpreh ai. Një tjetër shqetësim që Basha ndau me zyrtarët e lartë amerikanë, ishte korrupsioni i paprecedent në 25 vite demokraci. “Koncesione dhe tendera që jepen pa garë dhe në fondet limit, duke injoruar ofertat më të ulta, me përfitues vetëm një grusht njerëzish të lidhur miqësisht dhe politikisht me Edi Ramën. Dibra është shembulli i qartë se cili është rreziku që u vjen zgjedhjeve, nga droga, krimi dhe paratë e korrupsionit”, tha Basha. Reforma, theksoi Basha, u vonua qëllimisht, për të pamundësuar votimin elektronik, i cili do t’i priste rrugën shitblerjes së votës. Ai e konsideroi të rëndësishme çështjen e financimit të partive, ku PD ka propozuar kriminalizimin e donacioneve private dhe financimit 100% nga buxheti i shtetit si dhe auditimin e plotë e të besueshëm të financimit dhe shpenzimeve të partive politike. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm për demokracinë dhe shtetin ligjor, theksoi Basha, ndaj është koha për një reagim të fuqishëm publik dhe politik kundër këtij rreziku të qartë dhe të madh ndaj investimit të përbashkët për Shqipërinë demokratike dhe euroatlantike.