Gafa e PS-së me sloganin antikorrupsion: “Po e lë më shumë se ç’e gjeti”

442
Sigal

PS-ja  e pranon që xhepistët blu janë më profesionistë se ata socialistë

Këto ditë, PS-ja ka “pasuruar” sloganin e saj, të luftës kundër korrupsionit qeveritar. Deri tani, slogani ishte i thatë. Shqeto: “www. Denoncoj.com”. Sigurisht, ndonjë mendjendritur,  aty te fabrika e ideve në Selinë Rozë, duke u nisur, jo thjesht nga fakti që dosja e denoncimeve socialiste ndaj xhepistëve blu, po shtohet, por më shumë nga nevoja e krahasimit, për të balancuar kundërakuzat e kundërshtarit politik, shtoi edhe frazën e famshme në sloganin politik: “Korrupsioni po e lë më keq se ç’e gjeti”.  E famshme,  siç e lexoni, detyrohem ta pranoj, ky slogan, tashmë i pasuruar, i PS-së. Por, më shumë se i famshëm, është bindës.  Për më tepër, tani që fushata zgjedhore  politiko-partiake nuk ka filluar nga hallet e të papunëve, nga mjerimi i bukës së gojës për familjet e pashpresë, nga pasiguria për vetë jetën, thua se Shqipëria është në luftë civile, me viktima më shumë se Bagdadi e Kabuli, qoftë nga kallashnikovët, por edhe nga rrotat e makinave, që të shtypin si mizat, në mes të ditës edhe aty, te trotuari i qendrës së Tiranës. PS-së, si parti serioze dhe e madhe opozitare, që pretendon se do të vijë në qeverisje, këto të mësipërmet janë gjera të vockla, të bezdisshme që t’i përmend, qoftë edhe një herë, se mileti i di kaq mirë, sa vuan prej tyre orë e minutë. PS-ja merret me gjëra madhore, sepse  shifrat  e korrupsionit që denoncon janë të këtilla që, sa, kur i dëgjon,  të ngrenë qimen e kokës e ta bëjnë tel, nga llahtarët e fakteve që sjell përditë në dritën e opinionit. Por, mendjendrituri i Fabrikës të Ideve, aty në katin e dytë të Selisë Rozë, kishte nevojë për një ndihmesë, si Arkimendi,  që  kishte nevojën e  pikëmbështetjes, për Levën e tij, që të rrotullonte gjithë Dynjanë. Dhe, më duhet ta pranoj edhe unë, më skeptiku, që mendjendrituri i Fabrikës së Ideve, e gjeti pikëmbështetjen për Levën e Idesë së tij, me ndihmën e së cilës do të shkulte gjithë lëmshin- sa Toka- e korrupsionit qeveritar. Leva e Idesë të mendjendriturit të Selisë Rozë  është krahasimi. Korrupsionin, që lanë qeveritë socialiste,  të shokut Nano, Majko, Meta, është një copë buke (gojë e të uriturit) para “bakllavasë” së korrupsionit të zotit Sali Berisha. Dhe nëpërmjet krahasimit, del e shpaloset edhe vetë madhështia e Fabrikës së Idesë socialiste. “Korrupsioni po e lë më keq se ç’e gjeti!” Madhore, ideja, gjigande slogani elektoral socialist. Bindës! Edhe për miqtë, edhe për armiqtë. Sepse miqve , kësisoj u thua, që korrupsioni i qeverive socialiste, tashmë është i harruar, i parrezikshëm, ngaqë është më i vogël se korrupsioni që lanë qeveria e Berishës.   Ky slogan i Fabrikës së Ideve socialiste është kaq madhor, saqë jep edhe sihariqin e madh. Që tashmë PS-ja është në qeverisje. Edhe pse akoma duam 6 muaj që të bëhen zgjedhje, muajkohë sa do edhe rrushi që të piqet, edhe pse nuk ka çelur gjethe akoma.  Derisa slogani bën fjalë që “ korrupsionin e lë”.  Armiqve, u mbyll gojën, duke i turpëruar, duke u vënë në dukje- në saj të Levës së Ideve= krahasimit, që korrupsioni juaj është lëm më i madh. Siç e shikoni dhe lexoni, slogani i ri i Fabrikës së Ideve socialiste i ka të tëra në pak fjalë. Sikurse fjalët e mençura të popullit. Edhe, akuzën, denoncimin, që qeveria e Berishës e lë  lëmin  e korrupsionit më të madh nga lëmi i korrupsionit të qeverive socialiste. Se, siç dihet, mileti i shqiptarëve gjithnjë dënon hajdutin më të madh, dhe fal gjithnjë hajdutin më të vogël. Por, ka edhe optimizmin. Që hajduti i madh iku, duke na lënë peng, rob të luftës politike,  lëmin e  korrupsionit. Ajo që është më optimiste për popullin, nuk është  që të Fabrika e Ideve të Selisë Rozë, duhet të zotohet, se shkaktarët e korrupsionit do të shkojnë në darën  e Drejtësisë. Sikurse, qeveria e Berishës nuk dënoi asnjë nga ata qeveritarë socialistë që korruptuan, edhe socialistët qeveritarë, do të mjaftohen me ikjen e qeveritarëve të Berishës. Sepse, edhe në demokraci, mbretëron ligji i Luftës. Robi nuk dënohet, por i sekuestrohet. Dhe, sipas sloganit elektoral të Fabrikës së Ideve të Selisë Rozë, qeverisë së Berishës i sekuestrohet- dhe jo të dënohen-  lëmi i korrupsionit, që e lë më keq se ç’e gjeti! Ndonjë trutharë, që guxon e pyet: “Përse nuk dënohet ndokush, nga ata që e lanë korrupsionin më të keq, se ç’e gjeti? ” Fabrika e Ideve socialiste e ka gati edhe sloganin tjetër : “Korrupsioni, Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë!”