Fyle: “Financimi, për tre prioritetet kyçe”

473
Sigal

Ndihma e para-anëtarësimit, BE investon 81 milionë euro në Shqipëri për reformat

BE vendos të investojë 81 milionë euro në Shqipëri, për të ndihmuar realizmin e reformave kyçe. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, gjatë një deklarate në Bruksel ka njoftuar se qytetarët shqiptarë do të përfitojnë nga financat e BE për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në përmbylljen e reformave. Fyle ka thënë se fondet do të përdoren për të realizuar prioritetet kyçe si reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe reforma për administratën publike. 81 milionë euro do të akordohen edhe për të përmirësuar infrastrukturën e transportin në Shqipëri, për modernizimin e sistemit të ujit si dhe për shërbimet sociale. “Për vite me radhë, qytetarët shqiptarë kanë dëshmuar mbështetje të fortë për anëtarësimin e vendit të tyre në BE. Ata e dinë se jeta e tyre e përditshme do të përmirësohet, ndërsa vendi i tyre ecën para në rrugën drejt BE”, deklaroi Fyle. Financimi vjen në kuadrin e programit vjetor te 2012 për Shqipërinë të Instrumentit të BE-së për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA), dhe do të kryesohet me një shtesë prej 15 milionë Euro të bashkë-financuara nga autoritetet shqiptare. Fondi do të financojë projekte konkrete në fushën e reformës së drejtësisë dhe do të përmirësojë performancën e Policisë së Shtetit shqiptar. Fondi do të ndihmojë në ndërtimin e gjykatës se re në Tiranë dhe do të ristrukturojë dy pikat e kalimit kufitar.  Financimi në infrastrukturë do të kontribuojë në ndërtimin e bajpasit të Rrogozhinës, duke përmirësuar transportin rrugor dhe sigurinë. Ajo gjithashtu do të ndihmojë ne rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve në qytetin e Vlorës, nga e cila Komisioni Evropian pret që të përfitojnë industrinë e turizmit.