“Fshesa” në Kuvend, humbasin mandatin dy deputetë

594
Pas kërkesës së prokurorisë, KQZ largon nga Kuvendi të zgjedhurit e PDIU e LSI. Nuk deklaruan ndalimet në Itali. Debatet dhe zëvendësuesit
Dy deputetë të Parlamentit humbën dje mandatet, duke u bërë viktimat e radhës të ligjit të dekriminalizimit. Deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi, i zgjedhur më 25 qershor 2017 në qarkun e Elbasanit dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gledion Rehovica, i zgjedhur në qarkun e Beratit, humbën mandatet si pasojë e ligjit për Pastërtinë e Figurës së Funksionarëve të Lartë dhe të të Zgjedhurve, i njohur më së shumti si Ligji i Dekriminalizimit. Të dy politikanët, sipas Prokurorisë së Përgjithshme dhe vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk do të jenë më anëtarë të Kuvendit për shkak se nuk kishin vetëdeklaruar dy episode penale të kryera në Itali shumë vite më parë. Pas debateve që zgjatën prej fundit të dhjetorit 2017, kryetari i KQZ-së Klement Zguri lexoi dje vendimin për heqjen e mandateve dhe njoftimin e vakancës në Kuvendin e Shqipërisë. Anëtarët e KQZ-së të propozuar nga PS dhe PD (njëri prej tyre mungonte) votuan pro heqjes së mandateve, ndërsa anëtari i propozuar nga LSI nuk mori pjesë në votim. 

Aqif Rakipi nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, është deputet që nga viti 2013 në Qarkun e Elbasanit. Ai rezultoi shumë i suksesshëm në zgjedhjet e vitit 2017, pasi në krye të listës së PDIU-së arriti të marrë në Elbasan 18 për qind të votave, duke siguruar dy nga tre mandatet e kësaj partie. Por Partia Demokratike në opozitë kërkoi tetorin e kaluar verifikim të thelluar për pastërtinë e figurës së Rakipit dhe një deputeti tjetër të Partisë Socialiste. KQZ u shpreh në relacionin e projektvendimit të saj se të gjitha verifikimet me emrin e Rakipit në Shqipëri dhe Itali nuk kanë sjellë rezultat, por prokuroria dërgoi për verifikim gjurmët e gishtave të Rakipit, të marra nga kompania koncesionare e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit. Gjithashtu, edhe vetë Rakipi dorëzoi shenjat e gishtave. Nga verifikimi i gjurmëve të gishtave në Itali ka rezultuar se “Aqif Rakipi është raportuar me datë 03.11.1998, për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur me gjeneralitetet Skënder Ejylbegaj, lindur më 24.03.1962, regjistruar më 08.10.1996 me gjeneralitetet Aqif Rakipi, lindur më 01.04.1964”. Marrja e mallrave të vjedhura nuk përfshihet në llojin e veprave penale që e bëjnë një subjekt të pazgjedhshëm në poste publike, por Rakipi rrezikon të humbasë mandatin për shkak se nuk ka deklaruar këtë episod në formularin e vetëdeklarimit. Ishin gjithashtu gjurmët e gishtave që shkaktuan telashet për deputetin Gledjon Rehovica nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Rehovica, i zgjedhur deputet në Qarkun e Beratit, rezultoi fillimisht i pastër nga verifikimet, por nga gjurmët e gishtave të verifikuara në Itali “ka rezultuar se ndaj z. Gledion Rahovica, më datë 27.02.1999, është raportuar vepra penale “vjedhje dyqani”, me gjeneralitete të z. Kusta Mina, lindur më datë 21.12.1978 në Shqipëri”.

Çështja e kryebashkiakut të Pogradecit, Eduart Kapri, i cili nuk ka vetëdeklaruar urdhrin e ekstradimit nga territori i Italisë, u shty për një vendim tjetër, ku prokurorisë iu kërkua edhe një herë informacion shtesë. Për Kaprin, organi i akuzës është shprehur nuk ndodhet në kushtet e humbjes së mandatit. Në ditët e diskutimit të kërkesave të Prokurorisë së Përgjithshme, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve debatuan disa herë për procedurën që duhej ndjekur, pasi në këto raste ata nuk do të vepronin në bazë të Kodit Zgjedhor, por të një ligji tjetër, siç është ai i dekriminalizimit. Në vendin e lënë bosh nga Rakipi, në Kuvend pritet të hyjë Dritan Bici, ish-kryetar i bashkisë së Gramshit, nën ngjyrat e Partisë Socialiste. Edhe i zgjedhuri tjetër nga radhët e PDIU-së në qarkun e Elbasanit, Bujar Muça, e dorëzoi pak javë më parë mandatin. Ndërsa mandati i fituar nga LSI në Berat do të merret nga ish-deputetja Silva Caka. Ajo do të rikthehet në Kuvend, pas mandatit 2013-2017, ndërsa më 25 qershor 2017 nuk arriti të fitonte. 

SHBA: Mirëpresim vendimin
Ambasada e SHBA në Tiranë deklaroi se mirëpret vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’iu hequr mandatet Aqif Rakipit dhe Gledion Rehovicës. “Ky vendim është provë pozitive se procesi i rëndësishëm i dekriminalizimit, filluar në dhjetor 2015, vazhdon në Shqipëri”, u shpreh selia diplomatike e Uashingtonit. Shtetet e Bashkuara ishin ndër mbështetëset kryesore të kërkesës dy vjet më parë nga opozita për miratimin e një ligji për verifikimin e integritetit dhe figurës së personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike. Ky ligj u miratua pas një bojkoti të gjatë të opozitës ndaj Kuvendit për shkak të incidenteve dhe dhunës ndaj deputetëve të opozitës. 
Prenga shpallet i pafajshëm
Gjykata e Kurbinit e ka shpallur të pafajshëm ish-deputetin Armando Prenga, për “harresën” e tij, duke mosdeklaruar dënimin me gjobë në formularin e dekriminalizimit. Ai ka qenë i dënuar penalisht me gjobë dhe gjykata e ka pushuar çështjen ndaj tij, në kohën kur Prokuroria ishte kërkuar 6 muaj burg për të. Prokuroria e Përgjithshme pati njoftuar në shkurt të vitit 2017 se nga verifikimi i të dhënave brenda dhe jashtë Shqipërisë për deputetin Prenga, ka rezultuar se ai nuk ka deklaruar precedentët penalë në Itali në vitet 1996-1997, si dhe një vendim të formës së prerë të gjykatës së Kurbinit në Shqipëri, në të cilin është dënuar me gjobë për “falsifikim dokumentesh”.
Viktimat e para
Viktimat e para të ligjit për dekriminalizimin ishin deputetët e Parlamentit të shkuar 2013-2017. Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri humbën mandatin e deputetit pas kërkesës së prokurorisë dhe vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu, kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, pas disa kërkesash të prokurorisë u detyrua të dorëzonte detyrën. Një deputet i PS-së, Arben Ndoka, u largua me dorëheqje, duke lënë mandatin. Në të njëjtën kohë, edhe shumë anëtarë të këshillave bashkiakë janë larguar nga detyra, pikërisht për shkak të prekjes nga ligji për dekriminalizimin. 
Sigal