PS mbledh Asamblenë, ndryshojnë sekretarët

502
Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste që do të zhvillohet sot është parashikuar të bëhet edhe një analizë e qeverisjes së socialistëve në 100 ditët e para, por dhe prioritetet për vitin 2018. Mësohet se ministrat e qeverisë “Rama2”, do të bëjnë bilancin e realizimit të objektivave që prezantuan tre muaj më parë në asamblenë e 7 tetorit. Kjo është analiza e parë që qeveria bën për qeverisjen e saj e vetme, ndërsa peshën ia ka vënë dhe bashkëqeverisjes me qytetarët. Se si ka ecur platforma e bashkëqeverisjes me qytetarët, do të ketë një raportim të Koordinatores Kombëtare për Bashkëqeverisje, Elisa Spiropali, e cila zëvendësoi Saimir Tahirin në këtë detyrë.

Në mbledhjen e sotme, sekretariati ekzekutiv mësohet se do të pësojë ndryshime. Pritet të ketë emërtime të reja të sekretariatëve, duke ndryshuar dhe funksionin e tyre, ndërsa nuk priten ndryshime të emrave aktualë. Aktualisht 8 sekretarët e PS janë Bashkim Fino, Alfred Peza, Musa Ulqini, Stefan Çipa, Elisa Spiropali, Blerina Gjylameti, Ilir beqaj, dhe Taulant Balla, i cili prej muajsh mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste. Në asamble, pritet të mbajë fjalën e tij edhe kryesocialisti Edi Rama. Me interes pritet të dëgjohen prej tij prioritetet e qeverisë për vitin 2018.
Sigal