Heqja e mandatit të dy deputetëve është një hap përpara në procesin e dekriminalizimit, që drejtohet nga një njësi e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme. E njëjta strukturë mbulon edhe shkëmbimet e informacionit me autoritete të vendeve të tjera, ku më kryesorja është dosja “Tahiri – Habilaj” për trafik narkotikësh drejt Italisë. Ky hetim, pas hapave të para në tetor-nëntor, tashmë duket se ka ngecur. Ish-ministrit të Brendshëm iu rikthye edhe pasaporta e bllokuar, ndërsa një sipërmarrës i arrestuar me 863 mijë euro dhe disa patenta të Tahirit, fitoi lirinë. Ndërkohë dje prokurorja e Përgjithshëm, Arta Marku dhe ambasadori italian në Tiranë, Alberto Kutillo diskutuan mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Sipas njoftimit zyrtar, Shqipëria e konsideron Italinë një partner shumë të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Në këtë kuadër, gjatë takimit, kryeprokurorja shprehu bindjen se Prokuroria Shqiptare dhe agjencitë ligj-zbatuese italiane do të intensifikojnë koordinimin për hetime të përbashkëta dhe goditjen e grupeve kriminale që operojnë ndërmjet dy shteteve. Shefja e organit të akuzës falënderoi diplomatin italian për angazhimin e tij personal dhe të vendit të tij për nxitjen dhe kontributin në hartimin e Reformës në Drejtësi. Marku theksoi rëndësinë e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u shprehur se forcimi i integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshme cilësore të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar. Një tjetër temë e rëndësishme diskutimi ishte zbatimi i plotë i ligjit “Për Dekriminalizimin”. Ambasadori italian shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për realizimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të verifikimit të integritetit të zyrtarëve shqiptarë.