Protesta e studentëve, reagon Basha: Ndryshimi në arsimin e lartë fillon me…

430
Sigal

Kryetari i PD-së Lulzim Basha i ka reaguar kryeministrit Rama pas deklaratës së këtij të fundit pak minuta më parë.

Basha thotë se ndryshimi fillon me shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë dhe dyfishimin e buxhetit të arsimit.

“Ndryshimi në arsimin e lartë fillon me shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë dhe dyfishimin e buxhetit të arsimit. Të hiqen paratë e qytetarëve nga koncesionet plaçkitëse të check-up-it, të incineratorëve me pronarë të fshehur, të rrugëve me kosto 10 fish sa në SHBA.

Paratë e projekteve fasadë që pasurojnë Edi Ramën dhe klientët e tij të investohen në arsim. Vetëm 30 milionë euro që Edi Rama tenton të vjedhë me kompanitë guackë mjatojnë për të ndërtuar një kampus modern për Universitetin e Tiranës, të cilin e studentët e kërkojnë prej vitesh”, deklararon Basha në Twitter.

Reagimi i Ramës;

Të dashur protestues,

‪Kjo s’është një lojë force, as një lojë kungulleshkash dhe as një lojë e ka kush e ka. Vazhdojeni protestën sa të doni, po ngrini urën e komunikimit me qeverinë. Unë ju pres në çdo orë që të doni dhe jam gati të punoj me ju, jo për t’i dhënë përgjigje pozitive 8 pikave po e po, por për ta kthyer këtë moment, në çeljen e një faze të re transformimesh për universitetin.

‪Do të ishte hera e parë në historinë e protestave në botë, që protestuesit kërkojnë nga qeveria plotësimin e disa kërkesave dhe s’duan të ulen në tryezë me qeverinë që u thotë hajdeni t’i plotësojmë! (Mbase “tryeza e qeverisë” është një term që e kufizon imagjinatën, po fare mirë mund të takohemi në sallën e parlamentit në sytë e gjithë popullit shqiptar. Ju 140 plus tërë karriget e ministrave me 8 pikat tuaja dhe unë përballë jush, me 8+ pikat e mia:-)

‪Kujdes nga kushdo ju mëson t’u jepni ultimatume atyre që ju shtrijnë dorën e bashkëpunimit, sepse ju mëson si të bëheni humbës në jetë! Ndërsa kush kujton se një qeveri mund të kuptojë gjuhën e ultimatumeve, ndërkohë që vetë qeveria flet me gjuhën e Dialogut, e ka gabim. Nëse ju keni lënë mësimin për ta bërë universitetin më të mirë, bujrum të ulemi dhe të fillojmë punën bashkarisht për këtë qëllim pa humbur kohë. Çfarë presim?

‪Ju jeni 10 mijë, studentët në Shqipëri janë 140 mijë. Ju flisni dhe s’doni të dëgjoni, unë i dëgjoj të gjithë dhe dua të flas edhe me ju. Ju keni 1 pikë pastaj bëhen 4 pika dhe më pas shkojnë 8 pika, ndërsa unë kam më shumë se 8 pika. Në parim jam dakord me pikat tuaja, por secila prej tyre duhet zbërthyer dhe kthyer në një politikë financimi, investimi apo administrimi. E kjo nuk bëhet si gjëagjëzë në distancë, po si produkt i punës së përbashkët me laps e me letër.

‪Ju e dini vetë, po unë jam me ju jo me Ariun dhe Ariun se keni në qeveri po brenda e rrotull jush;-)