Fronti i Majtë: Të bashkohemi e të votojmë LSI, si forca kryesore e së Majtës shqiptare.

586
Sigal

Kryetar i Frontit të Majtë Marko Dajti dhe Nënkryetari Nesti Deçka, thirrje elektoratit të majtë: ‘Rilindja’ e Ramës është kapur nga disa duar oligarkësh e mafiozësh duke tradhëtuar idealet kombëtare. LSI mbetet forca e vetme politike që përfaqëson interesat e së majtës. Ndaj të bashkohemi rreth saj për një ndryshim të madh në jetën e të gjithëve

/Gazeta TELEGRAF

Për Frontin e Majtë
Kryetari Marko Dajti
Nënkryetar Nesti Deçka 

Fronti i Majtë i bën të ditur gjithë anëtarëve të kësaj force politike, mbështetësve, simpatizantëve dhe mbarë opinionit publik se në zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti do të jetë pjesë e koalicionit të kryesuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, duke e ndërprerë bashkëpunimin me Partinë Socialiste.

Fronti i Majtë: Rilindja e Ramës na zhgënjeu

Në analizën që i parapriu këtij vendimi të rëndësishëm, u mor në konsideratë fakti se, me gjithë kontributin që Fronti i Majtë dha që nga zgjedhjet e vitit 2013 si pjesë e koalicionit të mazhorancës së majtë, Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama, jo vetëm që nuk e vlerësuan këtë bashkëpunim, jo vetëm që nuk realizuan premtimet për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit, por devijuan gjithnjë e më djathtas me programin e shitjes së pasurisë kombëtare në disa duar oligarkësh e mafiozësh.

“PS dhe Kryeministri Rama, jo vetëm që nuk e vlerësuan këtë bashkëpunim, jo vetëm që nuk realizuan premtimet për zhvillim ekonomik e shoqëror të vendit, por devijuan gjithnjë e më djathtas me programin e shitjes së pasurisë kombëtare në disa duar oligarkësh e mafiozësh”

Rama e shiti Shqipërinë tek të huajt

Ne konstatojmë se Kryeministri Edi Rama, i cili erdhi në pushtet me premtimin për të anuluar koncensionet e paraardhësvë të tij, jo vetëm nuk e mbajti këtë premtim, por lëshoi edhe më shumë sektorë të ekonomisë në duart e një grushti koncesionarësh, aq sa do t’ja kishte zili edhe ish-mbreti Ahmet Zog, që konsiderohet si simboli i turpshëm i shitjes së vendit tek të huajt.

Partia Socialiste ka tradhëtuar idealet e së Majtës

Partia Socialiste nuk është më parti e majtë, pasi i ka tradhëtuar me kohë këto ideale, duke u vënë në shërbim të një grushti njerëzish, shqiptarë e të huaj, që zhvasin përditë popullin. Në këtë sistem ku njerëzit e thjeshtë varfërohen përditë e më shumë, edhe socialistët e ndershëm janë larguar apo janë përzënë nga partia-bandë e Edi Ramës.

“Kryeministri Rama e lëshoi ekonominë në duart e një grushti koncesionarësh, aq sa do t’ja kishte zili edhe ish-mbreti Ahmet Zog, që konsiderohet si simboli i turpshëm i shitjes së vendit tek të huajt”

LSI-ja përfaqëson interesat e së Majtës

Në analizën e vet, Fronti i Majtë konstatoi se Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet një forcë politike që realisht përfaqëson interesat e së Majtës, që është angazhuar seriozisht për çmontimin e politikës së koncensioneve dhe rikthimin e pasurisë kombëtare në duart e popullit, për mbrojtjen e Kushtetutës dhe rendit demokratik, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë shqiptarëve, për ndërprerjen e hemoragjisë që po e shndërron Shqipërinë në një tokë të zbrazur. Fronti i Majtë shpreh bindjen se ndryshimi i qeverisjes pas zgjedhjeve të 25 prillit, do të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike, shoqërore, morale e politike, në të cilën e zhyti banda që sot ka hedhur rrënjë në zyrat e Kryeministrisë. I bëjmë thirrje gjithë elektoratit që i ka dhënë besimin në vite Frontit të Majtë, por edhe të gjithë atyre që kanë bindje të Majta, që të bashkohen me ne nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi vota për LSI-në është jo vetëm votë për të Majtën, por edhe votë për një ndryshim të madh në jetën e të gjithëve. Të gjithë bashkë me besim në fitore!