Frank Shkreli: “Zëri…” ku folën udhëheqësit e ardhshëm të Shqipërisë

489
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Intervistë dhënë më Tetor 2010/ Rrëfen ekskluzivisht për “Telegraf”, Frank Shkreli, ish-shef i “Zërit të Amerikës”

Profili i Frank Shkrelit

Frank Shkreli ka qenë gazetar dhe redaktor në  “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974 deri në vitin 1984. Më pas po tek “Zëri i Amerikës”, zoti Shkreli ka qenë shef i seksionit shqip (1984-1985). Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar  i lartë programacioni në divizionin europian të “Zërit të Amerikës”. Ju kujtojmë që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e Luftës së Ftohtë. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë zëvendës drejtor i Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, divizion ku përfshihej edhe Bashkimi Sovjetik që ndërkohë u shpërbë. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, zoti Shkreli ka qenë drejtor i divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, divizion nga i cili, përveç gjuhëve të ndryshme evropiane, varej, veç të tjerash edhe seksioni shqip i kësaj radioje. Frank Shkreli ishte pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991, me ç’rast u hap ambasada amerikane pas pothuaj 50-vjetësh dhe morën pjesë si vëzhgues në zgjedhjet  e atij viti. Ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Pas daljes në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjetësh, z. Frank Shkreli shërben si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC.

Përgatitur nga Engjëll Musai, Drejtor i gazetës “Telegraf”

Në një kohë që shqiptarët po përkujtojnë 20-vjetorin e përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri, shumëkujt i kujtohet dhe çmon rolin e jashtëzakonshëm që kanë luajtur Shtetet e Bashkuara dhe posaçërisht “Zëri i Amerikës” në këtë ndryshim të madh. Gazeta “Telegraf”, publikon këtë intervistë ekskluzive me Frank Shkrelin, ish-shef i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” dhe më tej drejtor i Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, si dhe drejtor i divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”. Zoti Shkreli, tashmë i njohur nga lexuesit si një bashkëpunëtor dhe komentator i rregullt për gazetën tonë, mirëpriti dhe iu përgjigj me kënaqësi ftesës për këtë intervistë. Është interesante të ndjekësh rrëfimin e zotit Shkreli se si janë përcjellë këto ndryshime në Uashington dhe midis shqiptarëve që punonin me mish e shpirt për këto ndryshime. Gjithashtu, zoti Shkreli tregon se pse Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar dhe qëndrojnë përkrah shqiptarëve dhe kombit shqiptar në rrjedhat e historisë.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al : 

– Në kohën që Shqipëria bënte kapërcimin e madh të ndryshimit të sistemeve shoqërore nga diktatura në demokraci, ju punonit në një funksion të rëndësishëm në “Zërin e Amerikës”. Mund të tregoni për lexuesit tanë se si i keni përcjellë këto ndryshime në dheun amë?

– Unë gjithmonë e konsideroja këtë detyrë si një mundësi për të punuar për vendin e adaptuar, Amerikën, por ishte gjithashtu edhe një rast i jashtëzakonshëm për t’u marrë me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe për të influencuar sadopak, në mënyrë pozitive, në rrjedhën e zhvillimeve në Shqipëri si edhe në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Fundi i viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90 ishte për mua pa dyshim periudha me interesante në jetën time profesionale. Për dekada, që prej kohës së Niksonit e Kisingerit, politika e Uashingtonit  ishte detanta, d.m.th., ruajtja e balancit politik midis bllokut komunist lindor dhe botës demokratike perëndimore. Pothuajse ishim të programuar të mendonim se ky ishte realiteti i marrëdhënieve ndërkombëtare, në një botë me armë bërthamore, të cilat mund të shkatërronin botën disa herë. Por gjatë viteve ’80, Presidenti Ronald Regan nuk pajtohej me këtë politikë. Pas një vizitë të zotit Regan në ndërtesën e “Zërit të Amerikës”, vendosëm që programet drejtuar vendeve të Europës Lindore, kryesisht të përqendroheshin në gjendjen e brendshme të atyre vendeve, duke njoftuar për çdo gjë që ndodhte nga një vend në tjetrin, sidomos ngjarjet e Polonisë bënë jehonë në gjithë Europën. Buxheti për transmetimet drejtuar botës komuniste u shtua dhe si rrjedhim përfitoi edhe seksioni shqip i “Zërit të Amerikës”. Me shtimin e orëve për transmetim, edhe seksioni shqip, më ’89-’90 programet ia kushtonte kryesisht gjendjes në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Fatkeqësisht, unë nuk kisha mundësi të ndiqja ngjarjet në Shqipëri duke u bazuar në burimet standarde, për arsye që dihen, por “Zëri i Amerikës” shërbente edhe për mua si burim i dorës së parë. Megjithëse disa media të huaja njoftonin për trazira të mundshme në Shqipëri, ishin intervistat e para nga personalitet shqiptare për “Zërin e Amerikës”, diçka që deri atëherë ishte e pa-imagjinueshme, që më në fund më bindi se diçka me rëndësi e pozitive po ndodhte edhe në Shqipëri. Për mua si nëpunës i “Zërit të Amerikës” si dhe për shumë dëgjues, ishte hera e parë që dëgjoheshin kritika ndaj regjimit, nga persona brenda Shqipërisë. Ishte një periudhë jashtëzakonisht  e tensionuar por edhe shpresëdhënëse se, më në fund, edhe Shqipëria po rrëzonte komunizmin dhe po bëhej përsëri anëtare e komunitetit ndërkombëtar.

Frank Shkreli në Romë pas vizitës së parë të delegacionit amerikan në Shqipëri

– A e keni vizituar Shqipërinë pas përmbysjes së diktaturës dhe a mund të na jepni ndonjë mbresë nga këto vizita mbi ndryshimet që po bëheshin?

– Unë kam patur fatin e mirë dhe privilegjin si shqiptaro-amerikan, që Shqipërinë ta vizitoja për herë të parë në Mars-Prill të vitit 1991, si pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri. Menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit më 15 Mars 1991, Departamenti i Shtetit dha urdhër për dërgimin pa vonesë të delegacionit dhe për hapjen e ambasadës amerikane në Tiranë, si edhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 31 marsit. Delegacioni përbëhej nga katër veta, duke përfshirë edhe mua. Unë kisha pritur gjithë jetën për të vizituar Shqipërinë dhe m’u dha rasti jo vetëm për ta vizituar, por edhe si i privilegjuar, si anëtar i delegacionit diplomatik amerikan, të ngarkuar me hapjen e ambasadës amerikane në Tiranë. Për mua nuk kishte gëzim më të madh. Por, fatkeqësisht ky gëzim, me të arritur në Tiranë u kthye shpejt në dëshpërim dhe hidhërim. Si delegacion, na dëshpëroi pa masë varfëria me të cilën u ballafaquam kudo shkonim, anë e mbanë Shqipërisë. Unë e kisha ndjekur situatën dhe pritja varfëri, por niveli i varfërisë që gjetëm në Shqipëri në Mars-Prill, 1991 ishte diçka e paimagjinueshme, që më shokoi jo vetëm mua, por dhe  kolegët e mi. Pas kësaj vizite, unë kam vizituar shumë herë, kryesisht si pjesë delegacionesh zyrtare amerikane dhe më vonë si përfaqësues i organizatës shqiptaro-amerikane, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku jam takuar me udhëheqësit shqiptarë të të gjitha ngjyrave si edhe me intelektualë dhe gazetarë. Është e pa-diskutueshme se Shqipëria ka bërë hapa jashtëzakonisht të mëdhenj përpara nga vizita ime e parë. Edhe nga vizitat që kanë pasuar, gjithmonë kam vënë re ndryshime për më mirë -me përjashtim të periudhës fatzezë të ’97-ës – dhe përparimet janë shtuar progresivisht gjatë viteve. Të pakën ky është vlerësimi im, si vizitor nga jashtë.

– Është e provuar se Shtetet e Bashkuara dhe personalitet më të larta të saj, nga Udro Uillson e deri tek Barack Obama, në momentet më delikate të shekullit të fundit kanë qenë në krah të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Si shpjegohet kjo mbështetje?

– Për mendimin tim kjo i atribuohet dy fakteve. Një, se Shtetet e Bashkuara, megjithë disa  të meta gjatë historisë në marrëdhëniet ndërkombëtare – në thelb – gjithmonë janë përpjekur të mbrojnë vendet dhe sidomos popujt e vegjël nga pushtuesit dhe që ato vende e popuj të gëzojnë liritë dhe të drejtat njerëzore, siç i gëzojnë amerikanët. Kjo, sikurse e vini në dukje edhe ju, është pasqyruar edhe përsa i përket fatit dhe mbrojtjes së interesave shqiptare gjatë historisë. Për shembull, Fan Noli në kujtimet e tij thotë se në një takim me presidentin Udro Uillson, udhëheqësi i atëhershëm amerikan, i tha Nolit se një zë kam dhe atë zë do ta përdorë në mbrojtje të Shqipërisë. Fan Noli ishte lobisti i parë shqiptar, megjithëse në kohën e tij nuk quheshin të tillë. Dhe fakti i dytë është se sot, dhe do të thoja gjatë dyzet vjetëve të fundit, komuniteti shqiptaro-amerikan është mobilizuar, herë më mirë e herë më keq, por kryesisht mirë, në mbrojtje të interesave kombëtare duke sensibilizuar opinionin amerikan; por ç’është më e rëndësishme duke sensibilizuar udhëheqësit e ndryshëm të ekzekutivit dhe të Kongresit amerikan për vuajtjet dhe padrejtësitë që ka pësuar kombi ynë nën komunizëm dhe nën regjimet e ndryshme sllavo-fashiste anë e mbanë Ballkanit. Nuk ishin interesat gjeo-politike që i bënë Shtetet e Bashkuara të bindin aleatët e tyre në NATO se kishte ardhur koha për të sulmuar Serbinë dhe për ta ndëshkuar atë për krimet që bënte mbi shqiptarët e Kosovës. Ishin dhimbjet dhe ndjenjat njerëzore të Amerikës për të shpëtuar një popull nga zhdukja. Fatbardhësisht, ne shqiptarët, me përjashtim të periudhës enveriste, jemi mirënjohës për rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në mbrojtje të interesave të kombit tonë.

Richard Holdbrooke (majtas), Presidenti Meta (në mes) dhe Frank Shkreli (djathtas)

 

– Në Shqipëri ka një opinion të fortë se Shtetet e Bashkuara dhe “Zëri i Amerikës” kanë luajtur një rol të dorës së parë në ndryshimin e klimës politike në Shqipëri. Mund të na tregoni se si ka evoluar ky rol nëpër vite?

– Është thënë shpesh, sidomos gjatë Luftës së Ftohtë se “Zëri i Amerikës” ishte ambasadori më i mirë i Shteteve të Bashkuara, pasi depërtonte atje ku nuk mund të shkelte këmba e diplomatit. Kjo që thoni ju është fakt, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera ish-komuniste. Unë kam dëgjuar deklaratat e Lech Valesës dhe Vaclav Havelit, dy disidentë të njohur, se pa “Zërin e Amerikës” gjerat nuk kishin për t’u zhvilluar ashtu si u zhvilluan në Europën Lindore. Valesa pat thënë, “A rritet lulja pa diell?”  Të njëjtin vlerësim kanë bërë edhe personalitete shqiptare në lidhje me rolin e “Zërit të Amerikës”. “Zëri i Amerikës” ishte zëri i atyre, të cilëve zëri nuk u dëgjohej. Para 20 vjetëve, ai transmetonte intervista me intelektualë shqiptarë të cilët nuk kishin media tjetër për të shprehur mendimet e tyre në prag të rënies së komunizmit dhe nuk kishin mënyra të tjera për të paraqitur mendimet e tyre para shqiptarëve. Të mos harrojmë se shumë prej këtyre të intervistuarve të parë në “Zërin e Amerikës”, si: Gramoz Pashko, Sali Berisha e Fatos Nano, e të tjerë u bënë udhëheqësit kryesorë të vendit. Në këtë kuptim, “Zëri i Amerikës”, si pjesë e pandarë e medias shqiptare, ka ndihmuar në evolucionin politik por edhe në atë mediatik. Unë dhe kolegët jemi krenarë për ndihmesën sado pak të vogël dhe rolin e luajtur nga “Zeri i Amerikës”, por fakti mbetet se heronjtë e vërtetë të kësaj lufte ishit ju në Shqipëri që për dekada, shpesh nën kushte çnjerëzore, mbajtët gjallë mendimet, kulturën dhe idetë për liri, të cilat qeveria komuniste donte t’i shuante. Më në fund, fuqia e së vërtetës triumfoi.

Antarët e delegacionit të DASH (Frank Shkreli i pari nga e majta) ditën e parë në Tiranë, ballë për ballë me yllin e kuq, simbolin e komunizmit

– Shqipëria njihet botërisht si një nga shtetet më pro-amerikanë. A është normale kjo për një vend që aspiron të hyjë në Bashkimin Europian?

– Siç e thashë edhe më lart, ne shqiptarët jemi popull mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe kjo është e drejtë, pasi mos të ishte angazhimi i Shteteve të Bashkuara, shumë gjëra nuk kishin për të shkuar në favorin tonë gjatë historisë. Ishin Shtetet e Bashkuara ato që duhej të merrnin iniciativë dhe të bindnin aleatët evropianë për shumë gjëra, kur vinte puna tek çështjet shqiptare. Për më tepër, historia e Europës karshi kombit shqiptar, sidomos në fillim të shekullit të kaluar, ishte tragjike për interesat kombëtare, dhe në favor të armiqve të kombit tonë. Por historia është histori dhe situata e sotme është krejt tjetër; kombi shqiptar ka nevojë, si gjithmonë, për aleatë dhe përkrahës. Pasi siç është vënë re kohët e fundit, armiqtë e vjetër nuk kanë ndryshuar. Ata e kanë humbur luftën për uzurpim territoresh shqiptare, por armiqësitë tani e shprehin me metoda të tjera primitive si djegia e flamurit kombëtar të shqiptarëve. Prandaj besoj se për arsye gjeografike, ekonomike, kulturore e të tjera, Shqipëria duhet të forcojë marrëdhëniet me Bashkimin Europian me shpresë që një ditë të bëhet anëtare. E them këtë si një person që gjatë gjithë jetës kam bërë sa kam patur mundësi për lidhjen  dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.  Kjo nuk i prish punë aspak Amerikës, përkundrazi është Amerika ajo që e do Europën një, të lirë, të bashkuar e në paqe.

(Vijon nesër)