“Forumi Ekonomik i Vjenës”, Edi Rama: Ndërtoni suksesin në Shqipëri, qeveria partnere

344
Sigal

Vjenë- Kryeministri, Edi Rama, ka prezantuar para sipërmarrjes austriake, masat e para emergjente për frenimin e ngadalësimit ekonomik, për zhvillimin e një modeli të ri ekonomik që bazohet në rritje të qëndrueshme ekonomike, në reformat në sektorët kyç të ekonomisë. Në forumin ekonomik në Vjenë, ku u mbajt një Konferencë të veçantë Shqipërisë, Kryeministri Rama, teksa ftoi investitorët austriakë në Shqipëri, tha se, qeveria po punon për një qasje të re në marrëdhëniet midis shtetit dhe sipërmarrjes.

“Ne kemi hedhur hapat e parë dhe jemi inkurajuar nga reagimi që kemi pasur – nga Kancelaria Merkel, kur unë vizitova së fundmi, Berlinin – por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, qeveri dhe institucione të tjera, të cilët shohin rrugën nëpër të cilën ne po përpiqemi të shkelim dhe duan të na mbështesin”. Qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri Rama, po punon intensivisht për të ngritur bazat e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe në këto përpjekjet, ajo është mbështetur edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. “Që nga shtatori, ne kemi ndërmarrë një numër të madh masash për të frenuar ngadalësimin e ekonomisë. Ne kemi nënshkruar një Marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për një program të ri që do të na sigurojë likuiditetin e nevojshëm për të shlyer borxhet e prapambetura të trashëguara nga qeveria e kaluar, sikurse edhe një monitorim të kujdesshëm të financave tona publike, si edhe të politikave të shpenzimeve publike. Aktualisht, jemi edhe në bisedime me Bankën Botërore, për dy Kredi për Politikat Zhvillimore dhe për reformimin e sektorit energjetik. Me këtë mbështetje, ne do të eliminojmë në një kohë të shkurtër, borxhet e fshehura, të trashëguara dhe do të nisim gjithashtu, reforma radikale në sektorë kyç.” Në Vjenë, Kryeministri Rama u takua edhe me Kancelarin e Austrisë, z. Vverner Faymann, i cili inkurajoi progresin e deritanishëm dhe shprehu mbështetjen e mëtejshme për Shqipërinë në rrugën e saj të modernizimit dhe integrimit. Gjithashtu, Kryeministri vizitoi edhe Dhomën Federale të Tregtisë.