Trafiku i drogës me avion, qeveria bën memecin, opozita protestë para Parlamentit

545
Sigal

Deklarata për avionin e drogës. Ambasadori Arvizu: Presim hetimet! Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi: Skenar për kundër imazhit të qeverisjes!

Teksa opozita paralajmëron protestë masive para Parlamentit të enjten për rrëzimin e “qeverisë së drogës”, ende nga policia e strukturat shtetërore nuk ka një informacion të saktë për ngjarjen e shumëpërfolur në vend e më gjerë. Përveç Shefit të Sektorit të Antitrafikut të drogës, Sokol Selfollarit që ka kundërshtuar akuzën e opozitës se, “çantat me drogë nga avioni u morën nga policët” duke thënë se, “çantat ishin mjete personale të pilotit”, kanë reaguar dhe faktorë të tjerë, përfshi ambasadorin amerikan Arvizu dhe ish-kreun e SHISH Fatos Klosi. Për ambasadorin Arvizu “duhen pritur hetimet për ngjarjen”, ndërsa për Fatos Klosin, “ky është një rast i përgatitur për të dëmtuar imazhin e qeverisë aktuale”….

 NGJARJA 

Avioni “Piper Lance II” u bllokua të shtunën nga policia në plazhin e Divjakës, vetëm 400 metra larg një automjeti të ngarkuar me 460 kilogramë drogë. Piloti i avionit, shtetasi italian Giorgio Riformato, u ndalua ndërsa transportuesi i ngarkesës së drogës me makinë, Saimir Bajrami, u arrestua pak orë pas ngjarjes. Në momentin e arrestimit, të dyshuarit Saimir Bajrami i janë sekuestruar dhe 27 000 euro. Ai akuzohet se ka afruar në zonën ku u ul avioni makinën tip “Mitsubishi” me targë “AA 794 EU” me një ngarkesë droge të llojit hashash. Pranë automjetit, pas bllokimit të avionit janë gjetur disa çanta me lëndë narkotike në afërsi të saj. Një ditë pas ngjarjes, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri konfirmoi se në bazë të hetimeve, piloti i avionit dhe drejtuesi i makinës ishin bashkëpunëtorë në tentativën për trafikimin e lëndës

DEKLARATA

“Çantat që duken në fotografitë e publikuara në media janë të pilotit italian, janë sekuestruar dhe ndodhen në Prokurori”. Deklarata u bë dje nga Shefi i Sektorit të Antitrafikut të drogës, Sokol Selfollari duke reaguar kështu ndaj fotove të publikuara në media, të cilat u siguruan nga një dëshmitar në vendngjarje, i cili rrëfeu dhe skenën me avionin në Divjakë. Sipas Selfollarit në vendin e ngjarjes nuk ka pasur makina të tjera dhe makina me targa Elbasani që duket në foto, është e një efektivi policie. Por, shefi i sektorit Antidrogë në deklaratën e tij nuk sqaroi se përse çantat u tërhoqën nga 2 policët e Divjakës dhe pa praninë e grupit hetimor. Duke marrë shkas nga komentet e disa gazetarëve në mediat e ndryshme lidhur me ngjarjen e datës 10.05.2014, në zonën e Divjakës, ku u bllokua avioni me mbishkrimin “Piper” PA32-BT-300 mod I-GRMP, si dhe rreth disa fotove të bëra publike në disa media vetëm para pak çastesh, Policia e Shtetit, sqaron se: “Policia e Shtetit edhe njëherë shpreh gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me median, për informimin e saj dhe të publikut, brenda kufijve të ligjit, por gjithashtu, kërkon prej tyre të mos keqinformojnë publikun për shkak të informacioneve jo të vërteta apo interpretimit jo në përputhje me realitetin. Përkushtimi ndaj të vërtetës duhet të jetë e vetmja arsye, jo vetëm e institucioneve, por edhe e medias. Në të kundërt, abuzimi me informacionin është dezinformim me keqdashje”,- deklaroi Selfollari

AMBASADORI ARVIZU

Dy ditë pas ngjarjes në Divjakë, ku një avion i vogël u bllokua në rërë dhe një makinë me drogë u kap shumë pranë tij, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu thekson rëndësinë e përfundimit të hetimeve, përpara se të nxirren konkluzione rreth ngjarjes. I pranishëm në një aktivitet të Korpusit të Paqes në Elbasan, ambasadori amerikan tha se vetëm hetimet do të zbardhin të vërtetën e ngjarjes.
“Edhe unë jam i interesuar për zbardhjen e së vërtetës. Është e rëndësishme që hetimet të jenë të plota dhe që t’u përgjigjen shumë pyetjeve”,-deklaroi ambasadori.  Duke iu referuar akuzave të opozitës, ambasadori Arvizu tha: “Të gjithë kanë një mendim, por kemi nevojë për në shumë informacione dhe më shumë fakte se: “Çantat e shfaqura në foto janë çantat e pilotit të aeroplanit, shtetasit italian Giorgio Riformato, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës dhe ndodhen aktualisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Makina me targa EL 7117 B, është makina e punonjësit të policisë të Stacionit Divjakë, Arben Sina, i cili u ngarkua me shërbim në vendin, ku u gjend aeroplani. Personi i dytë është specialist i krimeve në Divjakë, Sheme Kaja. I pyetur për makinat që kanë transportuar çantat ai është përgjigjur se nuk ka pasur makina të tjera. “Nëse nisemi nga fotot aty nuk shikojmë asnjë makinë shohim vetëm një makinë të një dëshmitari. Këta dëshmitarë do pyeten. Nuk na rezulton të ketë pasur tre -katër makina që të kenë zbritur çanta. Nga hetimi i deritanishëm nuk na rezulton kjo gjë”,- u shpreh Selfollari. Më tej ai thekson se, përkushtimi ndaj të vërtetës duhet të jetë e vetmja arsye jo vetëm e institucionit, por edhe e medias. Pyetjes se, ‘Çfarë përmbanin çantat?’, ai u përgjigj se “Janë çanta me sende personale, brenda ka pasur dhe disa manuale të avionit veshje, licenca e sende të tjera”…

FATOS KLOSI

Për ish- kreun e SHISH-it, Fatos Klosi, droga me avion, është një rast i kurdisur për të dëmtuar punën e policisë e qeverisë. “Unë nuk kam informacion. Unë kam opinionet e mia për gjërat. Unë nuk di se avioni ishte i ngarkuar me drogë, do ngarkohej me drogë. Kurrkush se si, qysh, tek dhe sa e vërtetë është. Ministrin e dëgjova në intervistat që dha mesa duket ai person që kanë kapur u ka thënë që unë do ta çoja drogën në avion dhe kjo mjafton për të thënë që kështu ishte”. Më tej ai shtoi: “Nuk e kam quajtur të pavend, e ka quajtur të porositur. Është shumë më e rëndë. Ajo shkresë ishte e porositur, duhej bërë që të krijonte këtë atmosferë. Për të akuzuar që ushtria, qeveria, se kjo qeveri i komandon të tëra u marka me drogën, nuk u marka me vendin. Dhe kjo e dyta për mua është bërë e porositur. Identik si e para. Është vazhdim i asaj të parës. Dhe kjo është sajuar të vijë një avion që të ngeci aty, t’i prishet një rrotë në mënyrë që të demonstrojë që shiko ja ku doli e vërteta. Është absurde të mendosh që njerëz që merren me drogën, të cilët janë shumë të zotë se derisa sa merren me drogën i kanë shpëtuar policive të të gjithë botës. S’duhet t’i mendojmë ata që janë kriminelë të thjeshtë. Janë njerëz me goxha eksperiencë dhe shumë të guximshëm. Dhe të thuash që ai erdhi këto ditë pas kësaj gjullurdie të madhe, që të gjithë veshët janë të hapur dhe të gjithë sytë janë drejtuar tek qielli, qoftë të NATO-s, qoftë të ushtrisë sonë, qoftë të autoritetit civil të aviacionit do ishte një budallallëk nga ana e atyre që merren me drogë. Dhe ata budallallëqe të tilla nuk bëjnë. Ky është një argument shumë i fortë për mua që ajo nuk është rastësi. Ata erdhën në këtë situatë mbasi dështoi ideja, për mua dështoi ideja që shiko se këtu po bëhet kështu apo ashtu sollën gjoja një provë. Kjo provë për mua është e porositur. Është rast i izoluar dhe i sajuar. Në mënyrë që të kenë ata që e kanë sajuar, argumente që “shiko e gjitha ajo që kemi thënë është e vërtetë”. Mjafton të sakrifikohet një avion që nuk e di sa kushton po aq i vjetër sa ishte ai që la rrotën aty. Jam i sigurt që edhe rrota është hequr mbasi është ulur sa për të treguar që shiko ishte një aksident. Që edhe mos vritej njeri se piloti sigurisht,nuk do të pranonte të bënte një aksion të tillë me vrasje. Thashë s’kam asnjë informacion. Nuk jam unë prokuror, nuk i kam pyetur unë ata njerëz, por nga eksperienca që kam dhe duke i njohur këta njerëz them se këto janë të porositura”

SHKELJA QË NEGLIZOHET

Burime policore bëjnë me dije se, shtetasi italian që pilotonte avionin e bllokuar dje në Divjakë, Giorgio Riformato, nuk ka qenë regjistruar në sistemin TIMS. Sipas procedurave në aeroportin e Rinasit, pilotët nuk regjistrohen në sistemin TIMS, procedurë kjo e marrëveshjes për fluturimet ndërkombëtare. Sipas kësaj, procedure, kalimi i pilotëve regjistrohet vetëm në regjistra, pas konfirmimit nga Eurocontrol. Pilotët dorëzojnë licencën PPL për lejen e fluturimit dhe itinerari i lëvizjes së avionëve monitorohet 24 orë nga ANTA. Avioni i Giorgio Riformatos u dëmtua gjatë uljes në plazhin e Divjakës, ndërsa shtetasi Riformato u kap nga policia dje në Divjakë pas bllokimit të avionit. Giorgio Riformato akuzohet për “tentativë të trafikut të drogës, në bashkëpunim”.

Të enjten në protestë popullore kundër oligarkisë së drogës. Rama të dorëhiqet!

Lulzim Basha

(Kryetar i Partisë Demokratike)

Avioni i radhës i drogës nuk u ngrit dot e nuk u nis dot drejt destinacionit, siç ishin nisur të tjerë para tij në Divjakë, Gjadër, Kardhiq, Bedat e gjetkë. Po të ishte nisur, po të mos kishte pësuar avarinë që pësoi, sot do të ishim sërish në betejën tonë më të madhe përballë një kryeministri dhe një qeverie bojëdalë, që do të mohonte përsëri dhe do të tallej përsëri, siç bëri gjatë gjithë këtyre javëve, me informacionet e shërbimeve, me denoncimet e opozitës dhe qytetarëve të thjeshtë për avionët e drogës. Po të mos ish prishur një prej fuoristradave të drogës, do të kishte ikur edhe ajo në drejtim të paditur, siç ikën makinat e tjera, bashkë me ngarkesën e avionit e drogës. Por faktet u kombinuan në atë mënyrë, sa të mos i linin asnjë shteg për të vazhduar lojën e mohimit dhe talljes narkotrafikantëve politikë. Avioni i drogës ju ra në prehër. Droga ju mbeti në derë. Edi Rama duhej të kishte folur me dorëheqjen e tij. Dorëheqja do të ishte i vetmi akt që do ta nxirrte qeverinë jashtë skandalit, që do të tregonte se narkotrafiku nga toka, deti dhe ajri ka marrë këto përmasa të jashtëzakonshme ngaqë qeveria është e paaftë, por jo se ka dorë vetë në të. Dorëheqja e qeverisë do të ishte ngushëllimi dhe mesazhi i domosdoshëm i shpresës në këtë ditë të zezë për publikun shqiptar, i cili është përligjshëm i skandalizuar dhe i alarmuar me këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Për fat të keq, kryeministri nuk foli me dorëheqje. Madje, nuk arriti të fliste as me heshtje apo me ndjesë për gjithë ato turpe që ka nxjerrë nga goja për avionët- fantazma, për avionët –mushkonja, e plot të tjera që publiku shqiptar i di mirë. Tani që ju plasi mbi kokë, Edi Rama dhe ministri i tij folën e po flasin sikur e ndaluan ata avionin e drogës. Folën e po flasin me përpjekjet e tyre të mjera për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet nga shpërthimi i skandalit. Folën me bllokimin e dhunshëm të mediave për të shkuar në vendin e ngjarjes para pastrimit të skenës së krimit. Folën e po flasin me presionet dhe kërcënimet e tipit mafioz që po u bëhen mediave të pavarura apo qytetarëve të thjeshtë për të mbyllur gojën e për t’i mbajtur iso mashtrimit qeveritar për superaksionin policor, me të cilin po tallet e po revoltohet gjithë Shqipëria. Kështu kanë bërë që prej fillimit. Heshtën, refuzuan, u tallën me pyetjet tona, me kërkesat tona, me denoncimet tona. U përpoqën, siç e kanë zakon ata që janë dorëbrenda në skandale, të na atribuonin akuza të paqena, që nuk i kemi bërë kurrë, me qëllim që të zhurmonin shqetësimin dhe denoncimin tonë për trafikun e drogës përmes ajrit, si në narkokartelet më famëkeqe të botës. Nuk lëvizën gishtin për të mbrojtur dëshmitarët, përkundrazi i lanë të terrorizoheshin nga mesazhet deri makabre të narkomafias, siç ishte rasti i gazetarit Telnis Skuqi, të cilit i hodhën një kokë të prerë dhie në derën e shtëpisë apo rasti i Gentianit nga Bedati. Për ne dhe çdo shqiptar me sy në ballë sot është akoma më e qartë se dje: Kanë heshtur sepse e kanë ditur. Kanë refuzuar, janë tallur dhe kanë kërcënuar sepse e kanë ditur, sepse janë brenda, sepse përfitojnë, sepse po bëjnë lekë droge, që përmes fuqisë të parave të drogës dhe dhunës të rrënjosin pushtetin e parave të pista dhe dhunës, që si i tillë, vetëm i popullit dhe për popullin nuk mund të jetë. Rënia – pas gjithë zhurmës dhe debateve të javëve të fundit – e avionit të drogës në prehrin e Edi Ramës tregon qartë se, qëndrimet e tij:- refuzimi i transparencës, përqeshja e shqetësimeve dhe akuzave të opozitës, kërcënimi i dëshmitarëve, hetimi nga komisioni parlamentar jo i narkotrafikut, por i denoncuesve të narkotrafikut – pra të gjitha këto, kanë qenë në funksion të mbështetjes së fuqishme për narkokartelin që të shtojë intensitetin e veprimtarisë mafioze me bazë nga Shqipëria. Partia Demokratike, opozita dhe, jam i bindur, mbarë opinioni i shëndoshë publik, akuzon sot me zë të lartë kryeministrin Edi Rama dhe kupolën e tij për implikim të drejtpërdrejtë në fshehjen e skandalit të narkotrafikut nga Shqipëria. Për mbështetjen politike që i ka dhënë kësaj veprimtarie mafioze të përmasave të mëdha, që rrezikon bazat e rendit juridik e shtetëror dhe njollos rëndë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Si opozita e vendit, ne jemi përballur në beteja të vazhdueshme politike me këtë qeveri. Jemi përballur me mashtrimet e saj të mëdha, me arrogancën dhe arbitraritetin e saj karakteristik, me shkeljen prej saj të konsensusit dhe kushtetutës, me reprezaljen e saj në administratë, me moszbatimin prej saj të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit, me orekset e saj për pushtete që nuk i takojnë, me politikat e saj të gabuara ekonomike që vetëm e kanë thelluar varfërinë dhe papunësinë në vend. Por kjo e drogës dhe narkotrafikut me mbështetje dhe leje qeveritare nuk është një betejë midis opozitës dhe qeverisë, si ato që renditëm me lart. Ky është fundi. Drejtësia po heton. Ne i kemi ofruar dhe i ofrojmë gjithë mbështetjen tonë. Ajo e do të thotë fjalën e vet në lidhje me përgjegjësitë penale të gjithsecilit. Por, përgjegjësia politike e Edi Ramës dhe qeverisë së tij për këtë që ka ndodhur është sot evidente, në dritë të diellit, për çdo shqiptar. Partia Demokratike dhe mbarë opozita kërkojnë sot dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Rama. As më shumë, as më pak. Dorëheqja e kësaj qeverie është imperativi i ditës për të reflektuar përgjegjësitë e papërmbushura nga shumica, për të ndaluar revanshin ogurzi të narkotrafikut dhe krimit, për të zhbllokuar jetën demokratike dhe procesin e integrimit të vendit në Europë. Populli shqiptar nuk pranon të qeveriset as nga një qeveri kukull e krimit të organizuar, as nga një qeveri e bërë njësh me narkotrafikun. Populli shqiptar nuk pranon t’ia dorëzojë sovranitetin dhe qeverisjen e tij botës së errët të trafikut kombëtar e ndërkombëtar të drogës. Populli shqiptar nuk mund të pranojë në asnjë mënyrë shndërrimin e vendit në një kartel të drogës; nuk mund të pajtohet me asnjë çmim me kapitullimin e qeverisjes dhe sundimin e narkotrafikantëve si në xhungël. Qytetarët shqiptarë janë gati të ngrihen dhe të luftojnë pa kursyer asgjë për lirinë dhe sovranitetin. Partia Demokratike dhe opozita do të udhëheqë protestën e pandalshme popullore, deri në largimin e Edi Ramës nga kreu i qeverisë. Për këtë arsye, këtë të enjte në orën 10:00, ftojmë qytetarët shqiptarë, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, fëmijë dhe të moshuar, të majtë, të djathtë e pa parti, në një protestë popullore kundër oligarkisë së drogës dhe për të kërkuar më zërin e fuqishëm të bashkimit largimin e qeverisë Rama. Të ngrihemi në protestë, më të vendosur se kurrë, për luftuar e ndaluar kursin kriminal, antipopullor dhe antieuropian të oligarkisë së drogës. Të ngrihemi në këmbë, më të bashkuar se kurrë, për ta çuar në shtëpi qeverinë e narkotrafikut dhe mashtrimit në kurriz të shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre.

Sali Berisha: Avionët në Divjakë, trafik i mirëfilltë qeveritar droge

Ish-Kryeministri, Sali Berisha, ka reaguar pas daljes për shtyp të Shefit të Sektorit për narkotikët lidhur me çantat e pilotit italian. Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Berisha deklaron se, faktet pohojnë se kemi të bëjmë me një trafik të mirëfilltë qeveritar droge. Sipas tij, njerëzit e Ramës ndihmuan pilotin italian, ndërsa policia ka fshehur çantat që u morën nga avioni dhe bën presion mbi mediat.

POSTIMI

“Njerëzit e Ramës ndihmuan pilotin. Policia ka fshehur çantat që u morën nga avioni dhe bën presion mbi mediat. Të dashur miq, burime serioze plotësisht të besueshme njoftojnë se, piloti Reformato (rilindësi i Ramës), ka hyrë dhe dalë në aeroport nga dera e personelit, duke shmangur kështu sistemin e kontrollit. Për të hyrë dhe dalë nga porta e personelit, Reformaton e ka ndihmuar, me urdhër nga lart, në kundërshtim flagrant me ligjin, menaxheri i turnit të kompanisë së sigurisë së aeroportit ICTS, zoti Eno Bushi, ish-avokat i PS në KQZ dhe bashkëshorti i znj. Johana Bushi, ish-shefe e kabinetit të Edvin Kristaq Ramës, si kryetar Bashkie dhe aktualisht zyrtare e lartë në Agjencinë Kombëtare të Transportit Ajror në Rinas. Zoti Sula, drejtori i ANTA-s, u shkarkua 10 ditë para kësaj ngjarje, sepse ai nuk zbatoi urdhrat antiligjore që favorizonin rilindësin ajror Reformato. Policia ka fshehur ngarkesën e gjetur në avion në 4 çanta. Në komunikatat e saj kishte njoftuar se, u gjeten 27 mijë euro dhe asnjë fjalë për çanta. Sot një gazetar i guximshëm paraqiti fotot e marra nga një dëshmitarë në vendngjarje, në të cilat tregohet një njeri, duke zbritur dy çanta nga avioni. Sipas dëshmitarit, menjëherë pas rënies së avionit, ai konstatoi se, avioni u rrethua nga 6 makina “Mitsubishi” dhe një “Golf” dhe nga avioni zbriten piloti me një person tjetër, si dhe u nxorën prej tij dhe 4 çanta (me droge? me grosh?), dy prej të cilave dëshmitari i kishte fotografuar me një person që i mbante ato. Na del se, personi ishte një inspektor lokal policie, që ndodhej në vendngjarje me makinën e një privati dhe kishte thyer (me urdhër nga sipër) çdo rregull në qëndrimin ndaj provave në vendin e ngjarjes. Menjëherë pas paraqitjes së këtyre fakteve tronditëse nga gazetari në News 24, Policia njoftoi një konferencë shtypi dhe në një akt shantazhi të vërtetë ndaj gazetarit që publikoi faktet tejet të renda, paraqiti në një foto dy çanta që nuk dukeshin aspak si çantat e fotos së dëshmitarit, duke thënë se, ato ishin çantat e pilotit. Policia ra brenda me këmbët e veta, sepse me këtë dëshmoi se ajo ka fshehur ekzistencën e 4 çantave dhe në asnjë komunikate të saj deri sot nuk ka njoftuar për gjetjen e çantave në avion. Të gjitha këto fakte të reja pohojnë se, kemi të bëjmë me një trafik të mirëfilltë qeveritar droge. Kësaj i thonë me vrap drejt kartelit Rama të drogës! Vetëm lëvizja Rama ik!, do të shpëtojë Shqipërinë dhe shqiptarët nga qeveria e drogës!