Forumi ‘Ballkani dhe sfidat gjeopolitike’/ Meta: Rajoni kërkon vizion, kthjelltësi, guxim, kurajo dhe bashkëpunim

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka marrë pjesë në Forumin Rajonal ‘Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes’.

Në fjalën e tij, Meta thekon se ‘sfidat e rajonit kërkojnë jo vetëm vizion dhe kthjelltësi, por edhe guxim, kurajë dhe bashkëpunim’.

NOA

Meta: Të nderuar miq,

I nderuar Presidenti, Stipe Mesiç, mik i dashur i të gjithë shqiptarëve anembanë botës,

I nderuar Presidenti, Milo Gjukanoviç, lideri historik që arriti çdo gjë të paimagjinueshme 27 vite më parë duke realizuar Pavarësinë e Malit të Zi, anëtarësimin e tij në NATO dhe që e ka afruar kaq shumë me BE,

I nderuar Profesor Ahmet Davutoglu, një mbështetës i jashtëzakonshëm i Pavarësisë së Kosovës, por edhe i shumë njohjeve në të gjitha kontinentet,

I dashur President Fatmir Sejdiu apo ndryshe Presidenti i Pavarësisë,

Ju jam mirënjohës, që pranuat ftesën për t’u mbledhur sot këtu në Tiranë, për të diskutuar për një çështje tepër të rëndësishme që ka të bëjë me të ardhmen e rajonit tonë “Ballkani   dhe   sfidat   gjeopolitike   të   së sotmes   dhe   së   ardhmes”.  

Ju, të nderuar miq, jeni ndër ata liderë që keni treguar se sfidat e mëdha të popujve tanë e të rajonit si një i tërë për paqe e zhvillim, për integrim dinjitoz mes vetes dhe në komunitetin europian dhe Trans-Atlantik kërkojnë jo vetëm vizion dhe kthjelltësi, por zgjidhjet përpara nesh kërkojnë edhe guxim e kurajë dhe bashkëpunim.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës u çeli sytë shumë politikanëve perëndimorë që deri atëherë ecnin somnambul, me iluzionin se rreziku i luftrave në Europë ishte përjashtuar përgjithmonë.

Ata që parashikuan se ambicja e Putinit do të ndalonte në Krime dhe iu kthyen “punëve të zakonshme”, u desh të njihnin realitetin politik dhe të rishikonin politikat europiane dhe euro-atlantike në përputhje me këtë realitet.

Kjo do të thotë së pari dhe mbi të gjitha ripërkufizim të rreziqeve.

NATO vendosi në strategjinë e saj të sigurisë Rusinë, si kërcënimin kryesor për paqen.

Rajoni ynë u përfshi në hartën e vatrave të rrezikut, duke parashikuar se vendet dhe aktorët proxi të Rusisë do të nxisnin destabilitet, duke insistuar në të njëjtën fabul të vjetër që synon ndryshimin e kufijve mes vendeve të Ballkanit.