Flet Prof. Elmaz Sherifi: Ndikimi politik mbi organet e pavarura dhe heshtja ndaj krimit dhe korrupsionit të qeverisë, sfidë thelbësore

203
Sigal

 

SPAK, deri tani nuk i ka realizuar pritshmëritë e Reformës në Drejtësi

  • – Nuk do të ishim objektiv, nëse do ta vlerësonim, se nuk ka bërë asgjë, se ishte bërë KAPS nga ndikimi politik
  • – Presidenti i Republikës për buxhetin 2022 është duke respektuar kompetencat, që i jep Kushtetuta
  • – Kjo situatë e ka shtyrë në kohë fillimin e një konflikti brenda familjes së PS
  • – Besoj se qeverisja ka mjaft probleme dhe qeveria do të jetë para disa sfidave që nuk do t’i përballojë dot
  • – Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka bërë si “stiva e druve” dosjet me shkelje.

Gazeta Telegraf

Zhvillimet politike në Shqipëri ditët e funit janë shumë të nxehta. Arrestime nga SPAK, por dhe një luftë e ashpër në PD. Më 11 dhjetor ish-kryeministri Sali Berisha njëherazi Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ngjit  në podiumin e Kuvendit Kombëtar të PD të thirrur prej tij, duke e cilësuar atë si një monument madhështor të rithemelimit të forcës më të madhe politike në vend. Por një kongres pritet këtë të shtunë. Në një anë qëndron Berisha, pjesë e politikës shqiptare që nga rënia e komunizmit tre dekada më parë dhe në anën tjetër është Lulzim Basha, njeriu që Berisha promovoi në radhët e partisë dhe të cilit përfundimisht ia dorëzoi frenat e saj në vitin 2013. Në këtë bisedë Prof. Sherifi – shprehet për situatën politike në vend, për veprimet e SPAK, për luftën brenda PD, për mënyrën e qeverisjes dhe problemet aktuale në Shqipëri,

-Si do t’i komentoni arrestimet e SPAK ditët e fundit , a mendoni se tashmë ka hyrë në një fazë që nuk do të ketë me ndikim politik ndaj Drejtësisë shqiptare?

SPAK, deri tani nuk i ka realizuar pritshmëritë e Reformës në Drejtësi. Nuk do të ishim objektiv, nëse do ta vlerësonim, se nuk ka bërë asgjë, se ishte bërë KAPS nga ndikimi politik. Por, ka humbur shumë kohë, e duhet të eci me tjetër ritëm, që kap “kohën e humbur” dhe të shfaqë pavarësinë, si provë e aftësisë profesionale si institucion i pandikuar e i pavarur.

 -Odisea e ndarjes në dy kampe e PD nuk ka fund. Kush ka të drejtë në këtë situatë kaotike? A ka Berisha mbështetjen e duhur për t’u rikthyer në drejtimin e PD dhe pse Basha kërkon vetëm mbështetjen e ndërkombëtarëve?

Nuk do të ishte etike për mua si kryetar i Partisë Lidhja për Drejtësi e Progres të jepja opinion për konfliktin e shfaqur publikisht. Por, ajo që po pohohet edhe nga ju nëpërmjet pyetjes, duket reale. Si pedagog i Institucioneve politike e juridike do të vlerësoja, se çështja nuk duhet analizuar se cilat janë raportet, shumicë, pakicë, por mbi cilat kritere kërkohet e drejta. Studentëve të jurisprudencës iu jepet si casus rasti kur një subjekt i ka fituar të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, nëse subjekti humbës ankohet në Gjykatën Kushtetutese,se në shqyrtimin e çështjes, nuk janë respektuar parimet e gjykimit të drejtë, a ka kompetencë ajo të anullojë vendimin e Gjykatës së Lartë. Studenti ekselentë thotë. Po. Nëse Gjykata nuk ka respektuar qoftë edhe aspektin procedurial. Ky element më duket se mungon te pala që pretendon shumicën.

– Si do ta cilësoni buxhetin 2022 dhe a ka të drejtë Presidenti për mosdekretimin e këtij buxheti duke e cilësuar “antisocial”?

Presidenti i Republikës është duke respektuar kompetencat që i jep Kushtetuta. Ashtu si disa kategori të shoqërisë kanë të pazgjedhura shumë probleme sociale.

 -Vizita e Escobar në Shqipëri çfarë mësime dha për politikën shqiptare? A foli ai qartë dhe pa dorashka dhe ccfarë ndikimi pati kjo vizitë e shumëpritur?

Escobar me cilësinë e zëvendës ndihmësit të Sekretarit të Departmentit të Shteti, ishte shumë i qartë në mesazhin e drejtëpërdrejtë për institucionet e reja të drejtësisë, kur shprehu “habi”, përse nuk i godasin me mjete ligjore veprat penale të krimit dhe korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes. Ndërsa politikisht ishte edhe më “trasparentë, kur i bëri ftesë Bashës që të vizitojë Uashingtonin, kur Sekretari i Departmentit të Shtetit, Blinken, në mënyrë jo diplomatike e shpalli Berishën Non Grata”.

– A është në interes të Ramës kjo situatë në PD dhe sa ndikon në politikën shqiptare kjo situatë? -“Qeveria femërore” a ja ka lehtësuar qeverisjen Ramës?

Jo, nuk mendoj se është në favorin e tij. Por, është e vërtetë se kjo situatë e ka shtyrë në kohë fillimin e një konflikti brenda familjes së tij politike. Besoj se qeverisja ka mjaft probleme dhe qeveria do të jetë para disa sfidave që nuk do të përballohen lehtë dhe me “muskujt” e meshkujve.

– Dhe pse Drejtësia po thuhet se ka marrë pamje të re, dhe pse ka disa arrestime të bujshme, si ka mundësi që kontrolli i Lartë i Shtetit dhe pse ka denoncuar qindra raste korrupsioni sërishmi korrupsioni është galopant sipas këtyre raporteve?

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka bërë si “stiva e druve” dosjet me shkelje. Nuk po hedh hapat e “guximit” SPAK. Le të shpresojmë se institucioni do të fitojë “kohën e humbur” !

– Berisha nuk e pranon emërtimin “Non grada” nga SHBA. A mendohet se Amerika mund ta zbusë këtë qëndrim, që ai e quan ndikimi Soros?

Sekretari i Departamentit të Shtetit të SHBA listën e personave të shpallur Non Grata e ka çuar te Kongresi. Mendoj se nuk mund të ketë kthim prapa, por, të tjera emra mund të shtohen edhe nga Shqipëria, si ndodhi me grupin e vëllezërve Veselinoviç të lidhur me vëllain e Presidentit të Serbisë Vuçiç.

 – A është vërtetë kaq i madh ndikimi i Soros në politikën dhe drejtësinë shqiptare dhe pse?

Nëse do e pranonim si të vërtetë pohimin duhej të besonim se institucionet e SHBA i drejton Soros.