Fituan në 6 mars/ KQZ miraton rezultatin, merr mandatin Bardh Spahia, Emirjana Sako dhe Eriselda Sefa

234
Sigal

Pasditen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë mandatin tre kryebashkiakëve të tjerë, të cilët u shpallën fitues në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Në mbledhjen e zhvilluar pasditen e sotme, KQZ miratoi tabelën përmbledhëse të rezultateve të zgjedhjeve dhe i dha mandatin Bardh Spahisë në Shkodër, i propozuar nga koalicioni Shtëpia e Lirisë, Emiriana Sako në Durrës dhe Eriselda Sefa në Lushnje nga Partia Socialiste.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve.

Bardh Spahia i Shtëpisë së Lirisë, fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Shkodër, duke marrë  20125 vota ose 43.7 %. Më pas u rendit Majlinda Angoni e Partise Socialiste me 18.205 vota 39.5 % dhe kandidati i PD, Xhemal Bushati mori 7749 vota ose 16.8%.

Emiriana Sako nga Partia Socialiste mori 39.157 vota duke shënuar një diferencë të thellë me vendin e dytë, kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, Ardian Mukën i cili ka marrë 20.831 vota. Ndërkohë kandidati i Partisë Demokratike, Luan Hoti mori vetëm 7.937 vota.

Eriselda Sefa e PS-së fitoi bindshëm me 21.477 vota, i dyti u rendit kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”, Elton Bano me 11.238 vota ndërsa i treti kandidati i PD-së, Indrit Sefa me 3.809 vota.

Më herët, KQZ miratoi edhe dhënien e mandatit për tre kryebashkiakët e tjerë, të Vorës, Dibrës dhe Rrogozhinës.