Figura të njohura të jetës publike mesazhe për zgjedhjet në Ora News

723
Figura të njohura të jetës publike, i janë bashkuar një video-promocioni mbi rëndësinë e zgjedhjeve për një vend, në kërkim të një demokracie të shëndoshë. Angazhimi i figurave nga arti, media apo religjioni është një zgjedhje e kujdesshme e Radio Televizionit Ora News për të përcjellë tek shikuesit rëndësinë e mendimit përparimtar në një moment të rëndësishëm për vendin, dhe për ti parë këto zgjedhjet parlamentare si një moment të rëndësishëm për demokracinë tonë.
“Demokracia funksionon më mirë kur kemi një qytetari aktive”, shprehet aktorja Ema Andrea në promon e Ora News.Ndërsa Ipeshkvi i zgjedhur i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, fton qytetarët të bashkohen këtë të dielë për një të mirë të përbashkët që është vota.
“Mos e shit kurrë votën tënde, pasi po shet dinjitetin tënd”, thotë Ipeshkv Gjergj Meta.
Drejtorja e Informacionit në Ora News, Ilva Tare, ka zgjedhur këtë shprehje për publikun:
“Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një burrë shteti mendon për brezin e ardhshëm. Përdoreni zërin, të drejtën tuaj për këtë të dytin”.
Artisti, Maks Velo, e quan demokracionë tonë dadaiste, dhe zgjedhjet sipas tij janë forma më e mirë për ta treguar këtë.
“Demokracia jonë është një demokraci Dadaiste. Dmth nëse Europa këto format, çmenduritë i përjetoi në art, ne i përjetojmë në të vërtetë, dhe forma më e mirë janë zgjedhjet”, thotë Velo.
Për kritiken e artit, Alda Bardhyli, demokracia është pushteti i një populli të informuar.
Gazetarja, Mimoza Picari, shprehet se: “Në katër vjet ata bëjnë çtë duan me ne. Ndërsa ne për një minutë mund ti bëjmë të dridhen nga vota jonë, për atë që kanë bërë keq ose nuk kanë bërë siç duhet”.
Mesazhe mbi demokracinë e rëndësinë e zgjedhjeve kanë sjellë dhe gazetarja Aurora Sulçe, politologu Afrim Krasniqi dhe shkrimtarja Diana Çuli.
“Demokracia është një sistem që na jep të drejtat tona në demokraci, prandaj në këtë javë të zgjedhjeve kur të hedhim votën duhet të mendojmë që këtë votë nuk e hedhim vetëm për kandidatin që ne dëshirojmë ta shohim në parlament si përfaqësuesi jonë por edhe për detyrat tona në këtë mandat të ri që do ta çojë përpara demokracinë shqiptare”, shprehet Diana Çuli.
“Do të kemi katër vjet ankesë, ose katër vjet përfaqësim. Demokracia vetë ka vlerë kur qytetarët janë të informuar dhe qytetarët duhet ti përdorin këto ditë për tu informuar për partitë për programet, për kandidatët dhe ofertat, dhe në momentin e fundit duhet të shkojnë të votojnë. Nëse ata nuk votojnë, një pakicë militantësh partiakë do të vendosë fatin e tyre për katër vitet e ardhshme”, thotë politologu Afrim Krasniqi.
Sigal