Fatmir Xhafaj emërohet ministër i Brendshëm, me votat e LSI dhe PDIU por pa Metën e Idrizin

464
Kuvendi ka votuar në seancën e sotme plenare dekretet e Presidentit për emërimin e 4 ministrave të rinj të kabinetit qeveritar, të propozuar nga kryeministri Edi Rama.
Kështu Fatmir Xhafaj është emëruar ministër i Brendshëm me 76 vota pro dhe asnjë kundër. Pro tij kanë kaluar edhe votat e LSI, por pa votën e Shpëtim Idrizit, dhe Ilir Metës, të cilët nuk ishin të pranishëm në seancë.

Sakaq, pa votat e këtyre dy të fundit, u miratua me 75 vota pro edhe shkarkimi i Saimir Tahirit nga posti i ministrit të Brendshëm.

Më pas, shkarkimit të tre ministrave të tjerë Ilir Beqaj, Bledi Çuçi dhe Blendi Klosi i është bashkuar edhe vota e Idrizit.

Po kështu, me votat e mazhorancës, (79 vota pro) por pa Metën dhe Idrizin, u miratua edhe emërimi i Ogerta Manastirliut si ministre e Shëndetësisë.

Eduart Shalsi u emërua me 76 vota pro ministër për Çështjet Vendore.

Për dekretet e Presidentit Nishani për emërimin e Olta Xhaçkës, ministre e Mirëqenies Sociale, dhe për shkarkimin e Blendi Klosit, u votua dy herë.

Seanca e sotme zhvillohet sërish pa opozitën, e cila prej më shumë se një muaji vijon të bojkotojë Parlamentin duke mos u tërhequr nga kërkesa e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që sipas saj do të mbahen nga një qeveri teknike.
Sigal