Ish ministri Fatmir Xhafaj kundër deputetëve ‘rilindas’ për SPAK-un
SPAK-u fshihet pas Prokurorisë së Përgjithshme
Diskutimi i ndryshimeve në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në kuadër të marrëveshjes së 5 qershorit nuk kaloi pa debate në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj u shpreh kundër këtyre ndryshimeve, duke abstenuar në votim. Ai tha se përfshirja e organeve të SPAK edhe në krimet zgjedhore , mund të përbëjë një devijim të qëllimit, për të cilin janë ngritur këto institucione në kuadër të Reformës në Drejtësi. Xhafaj gjithashtu kërkoi që përfaqësuesit e SPAK të jenë më aktivë në diskutime të tilla, duke mos u “fshehur” sipas tij pas organit të Prokurorisë së Përgjithshme. Përtej kësaj, Xhafaj ngriti si shqetësim gjatë mbledhjes së Komisionit edhe mungesën e opinioneve nga institucionet në kuadër të procesit të Konsultimit Publik. Fatmir Xhafaj: “I ndoqa me shumë vëmendje të gjithë kolegët që folën për ndryshimet, të cilat po shqyrtojmë në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal. Duke qenë se unë nuk do të votoj pro, por do të abstenoj për ndërhyrjet në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal si reflektim i vendimeve të të ashtuquajturit Këshill Politik, jam i mendimit që ato sjellin më shumë deformim të legjislacionit aktual dhe deformojnë qëllimin kryesor, për të cilin janë ngritur institucionet e SPAK, por edhe argumentet që sillen për këto nuk janë bindëse, vota ime është abstenim. Ka dy gjëra që do doja të sqaroheshin: A ka pasur vërtet një konsultim me këto institucione për këto ndërhyrje dhe cili është reagimi apo qëndrimi që ato kanë mbajtur? Dhe e dyta, unë shoh këtu sot përfaqësuesin e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, prokurorin e nderuar Luli, por nuk shoh asnjë nga përfaqësuesin e SPAK, të cilët do duhej të ishin shumë të interesuar për këtë gjë. Prokuroria e Përgjithshme nuk mund të zëvendësojë rolin e tyre dhe ata nuk mund të vazhdojnë të fshihen mbas Prokurorisë në debate të kësaj natyre. Gjithsesi, nëse ky proces nuk është bërë, unë do të sugjeroja që do të ishte pozitive që miratimi të shtyhej për në një ditë tjetër. Një pyetje kisha unë… Ne kemi të njëjtin email, apo marrim email-e të ndryshme, pasi edhe unë edhe zonja Hysi nuk e kemi marrë këtë dokument. Mbase, z.Shameti, për shkak të funksionit të tij në këtë proces tepër të rëndësishëm, ka marrë barrën e madhe ta propozojë, pa dyshim që mund t’i ketë materialet, e ka ketë këtë privilegj, por nga ne që nuk e gëzojmë këtë privilegj në burim, besoja se do ta shikonim në faqen e email, por unë nuk e shoh.”