Faik Konica: “Bëhuni burra dhe jo palaçot e dheut”

310
Sigal

“ Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmbi të gjitha, heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Hiqni dorë, se do të bëheni lodra e botës. Ta dini se ne, në sy të Evropës së qytetëruar, jemi negër, dhe asgjë më tepër: Ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, po të gjithë na …përbuzin e na kanë për të poshtër.

Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni, punoni, mos u zini besë raporteve, që thonë gjëra të mira ‘për ne’ dhe mbase një ditë dalim të “Rritur” përpara botës. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, por me ferra; ai që arrin në kulm, arrin i grisur, i përgjakur, i djersitur, i lodhur; dhe trëndafilat, dafinat, ujët e ftohtë, lëndina, ku është mirë dhe ëmbël të shtrihet, të gjitha këto i gjen në kulm vetëm, dhe atje shumë herë as që i gëzon dot, se bie i vdekur nga të lodhurit, po me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. Ne, vëllezër, jemi negër të varfër, pa ndonjë rëndësi fare; mos u dehni me moskuptime, mos dëgjoni njerëz të cekët, njerëz aq të paditur sa ju, më të paditur se ju ndofta, të cilët kanë vetëm një guxim barbar dhe të verbër që i shtyn të futen kudo, në mes të talljes së përgjithshme. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmbi të gjitha, heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën. Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Po mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot, sa s’qaj dot. Dhe më në fund, aq di, aq them; Jini të lirë të bëni si të doni”…

Këto janë fjalë shpirti, xhani dhe zemre për politikanët shqiptarë, të cilët, nëse nuk duan ta kuptojnë dhe vlerësojnë, do u shkojë për shtat shprehja e një tjetër figure botërore si Çurçilli, i cili thoshte se: “ Nëse jeni nisur drejt ferrit, vazhdoni!”.