Evis Allushi: Me femrat drejtuese, ndihet vërtet ndryshimi, jo vetëm i qeverisjes, por edhe nga periudha kur drejtoheshin nga bu

590
Sigal

 Intervistë me Evis Allushi, Kryetaren e Këshillit të Bashkisë Vlorë,

1. Çfarë do të veçonit nga veprimtaria e këshillit bashkiak për vitin 2014

Për vitin 2014, Këshilli i Bashkisë, është mbledhur rregullisht, në bazë të ligjit për funksionimin e pushtetit lokal, duke ushtruar, me kompetencë e përgjegjësi, funksionet e veta. Në përbërje të këshillit janë këshilltarë me përvojë dhe ky fakt e bën edhe më të lehtë diskutimin dhe miratimin e projektvendimeve që vijnë nga administrata apo faktorë të tjerë.
Ndër vendimet më të rëndësishme kanë qenë:
-buxheti i vitit 2014
-dhënia në administrim e klubit të futbollit “Flamurtari”, dy kompanive turke
-dhënia me koncesion e parkimeve me pagesë në disa rrugë të qytetit të Vlorës
-vlerësimi me titullin “Qytetar Nderi i Vlorës” ekipin kombëtar të futbollit si dhe personaliteteve të tjera lokale e kombëtare.
-dhënia e bursave për studentët më të mirë por edhe ata në nevojë ekonomike
Një vlerësim pozitiv dua të jap dhe për bashkëpunimin midis forcave politike në këshillin e bashkiak, ku debatet për problematika të ndryshme, asnjëherë nuk janë bërë pengesë për miratimin e tyre apo dhe faktin që edhe pse ka maxhorancën në këshill, e majta nuk e ka përdorur asnjëherë forcën e kartonit për të bërë diktat në këshill.

2. Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet me bashkinë dhe institucione të tjera?

Kanë qenë marrëdhënie korrekte dhe pozitive.
Administrata e bashkisë, ka përvoje disa vjeçare në përgatitjen e materialeve që sjell për miratim në këshillin e bashkisë dhe ky fakt ia ka bërë edhe më të lehtë punën këshillit.
Përveç kësaj, kryetari i bashkisë, z. Shpëtim Gjika, ka qenë prezent në të gjitha mbledhjet e këshillit, duke dhënë shpjegime për çdo paqartësi që kanë pasur këshilltarët për materiale të ndryshme, të paraqitura prej tij apo administratës në këshill.
Vendimet e këshillit janë vlerësuar të ligjshme nga Institucioni i Prefektit, e cila ka qenë më parë kryetare e këshillit të bashkisë, duke qenë tregues i përgjegjshmërisë së këshillit në miratimin e projektvendimeve të shumta.
Bashkëpunim të mirë kemi pasur me drejtorinë arsimore, shërbimin social shtetëror, etj.

3. Sot, pas më shumë se një viti qeverisje të maxhorancës së majtë, si e vlerësoni përzgjedhjen e femrave në drejtimin e institucioneve?

Në Vlorë, ka shumë femra që drejtojnë institucionet e shtetit e të qeverisjes lokale.
Kryetarja dhe nënkryetarja e këshillit, janë femra.
Institucioni i prefektit, drejtoresha e arsimit, drejtoresha e spitalit rajonal, drejtoresha e degës së tatim taksave, drejtoresha e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Ka edhe femra të tjera të nderuara, por përmenda vetëm institucionet kryesore të qeverisjes që drejtohen nga femra.
Puna e tyre është pozitive dhe e vlerësuar në opinionin qytetar dhe në institucionet ku ato drejtojnë, ndihet vërtet ndryshimi, jo vetëm i qeverisjes, por edhe nga periudha kur drejtoheshin nga burra.

4. Si ka qenë viti 2014, për qytetin e Vlorës e vlonjatët?

Nëse do ta gjykoja në raport me vitin 2015, viti 2014, ka qenë një vit përgatitor për punimet e mëdha që pritet të nisin në Vlorë gjatë vitit 2015.
Janë disa vepra të rëndësishme për Vlorën e vlonjatët, ku do të përmendja:
-Lungomaren apo shëtitoren përgjatë bregdetit të qytetit të Vlorës nga pylli i sodës deri tek tuneli në Ujin e Ftohtë,
-rehabilitimin e portit detar,
-ndërtimin e Bypass-it,
-lidhjen e autostradës me rrugën transballkanike me përfundim në port,
-rehabilitimin e shëtitores Vlorë-Skelë,
– sheshin e Flamurit
apo rrugë e lagje të tjera në qytet.
Të gjitha këto mirëpriten nga qytetarët e Vlorës dhe nga biznesi i Vlorës, jo vetëm si ndryshim të imazhit të qytetit, por edhe si një mundësi ekonomike në të mirë të mirëqenies së vlonjatëve.
Ndaj vlonjatët, duhet të ndihen të vlerësuar nga deputeti i tyre dhe njëkohësisht kryeministër i vendit, Edi Rama.

5. Data 21 qershor është caktuar nga Presidenti i Republikës, si data e zgjedhjeve lokale. Cila është situata në PS e Vlorës dhe nëse ka filluar përzgjedhja e kandidaturave?

Është shpejt për të folur për kandidaturat, ndërkohë, duke qenë prej disa vitesh Sekretare për Burimet Njerëzore në PS-në e Vlorës e shpreh me bindje se PS e Vlorës ka burime njerëzore të shumta për të qenë gjithsecili një kandidat i denjë për postin e kryetarit të bashkisë, pa përjashtuar kryetarin aktual të bashkisë, z. Gjika.
PS e Vlorës, krahas zgjedhjeve lokale, ka edhe sfidën e madhe të reformimit të saj, në mentalitet, në struktura, në marrëdhëniet me institucionet qeverisëse, në rekrutimin e anëtarësisë etj si këto.
Në vitin e parë të qeverisjes në Vlorë, PS është përballur me një fluks kërkesash për punë nga anëtarësia, duke qenë në një presion të vazhdueshëm, fakt i cili i është bërë i njohur edhe qendrës në Tiranë. Kam besimin se situata shumë shpejt do të kthehet në normalitet dhe anëtarësia duhet të fillojë e të kuptojë se ashtu si afrohet vullnetare në parti, ashtu duhet ta ofrojë, vullnetarisht, besimin e vet, kur fiton zgjedhjet partia e jo ta kërkojë ta shkëmbejë domosdoshmërisht, vullnetarizmin e parazgjedhjeve, me një vend pune pas zgjedhjeve.
Qëllimi i të gjithëve, në fund të fundit, është t’i fitojmë edhe zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, për të qenë më të sigurt në zbatimin e reformave dhe projekteve të mëdha për Vlorën.

 Engjëll MUSAI