Erisa Xhixho: Referendumi i nevojshëm për të vendosur populli, kemi parlament ilegjitim

480
Sigal

Nënkryetarja e LSI-së Erisa Xhixho në një intervistë televizive tha se referendumi i propozuar nga ana e presidentit të vendit Ilir Meta është i nevojshëm, me qëllim që populli të vendosë për fatet e vendit.

Xhixho theksoi se sot Shqipëria ka një parlament ilegjitim, kurse shtoi se qytetarët e kanë në dorë për të pasur demokraci në vend.

Parlamenti nuk është më i qytetarëve, sepse aty me bekimin e Rilindjes kanë hyrë kriminelë. Sot parlamenti ynë është ilegjitim. Referendumi është një mekanizëm shumë domethënës, që duhet të ishte aplikuar që kur nisi demokracia. Vjen si thirrje nga presidenti i Republikës, si i vetmi institucion legjitim në vend. Sot nuk ka më shumë institucione, s’ka ndarje pushtetesh, por pushteti abuziv tenton të kapë gjithçka. Kemi ekzekutiv të gjithëpushtetshëm. Duhen 5000 firma për të nisur referendumin. Pasi të ketë edhe një bashkëpunim, presidenti do të japë edhe një datë për referendumin. Mendoj se presidenti në kushtet që jemi, mendon se qytetarët duhet të marrin vetë në dorë demokracinë”, tha Xhixho.

E pyetur se çfarë pyetjesh mund të shtrohen në këtë referendum, Xhixho nënvizoi se ka një sërë çështjesh të pazgjidhura në vend.

“Mendoj se presidenti e vendos se cila do jetë pyetja ose pyetjet. Padyshim që pikëpyetje më e madhe është që të mbrojmë këtë Kushtetutë apo do kthehemi në diktaturë, në përqendrimin e pushtetit në dorën e një njeriu, pra kthim në diktaturë. Mund të ketë edhe pyetje nëse duan politikë të lidhur me krimin. Në referendum mund të shtrohen disa pyetje. Mendoj se në momentin që 50 mijë zgjedhës kërkojnë referendum, do të ndodhë ky referendum. Nëse kjo pengohet, atëherë kjo maxhorancë e di si do përballojë presionin. Maxhoranca do të ketë përballë popullin. Sot është detyra e çdo shqiptari të mbrojë demokracinë dhe Kushtetutën”, deklaroi Xhixho.