Erion Veliaj duhet të japë dorëheqjen, si falsifikator rrezikon 4 vite burg

425
Një ditë pas protestës të 8 dhjetorit 2015, Bashkia e Tiranës i ka dërguar PD një fletë gjobe, për të paguar dëmet e shkaktuara në institucione dhe subjekte të tjera të qytetit të Tiranës nga protestuesit. Këtë fletë gjobe të Bashkisë së Tiranës, e ka firmosur polici i Policisë Bashkiake të Tiranës Besmir Karaj. 
Sigal

Falsifikimi i firmës nga kryebashkiaku Veliaj dhe pranimi i fajit

Polici i Policisë Bashkiake të Tiranës, Besmir Karaj mohoi që ai ka vënë firmën e tij, madje ka shkuar në prokurori dhe ka bërë kallëzim penal ndaj Bashkisë së Tiranës për falsifikimin e firmës së tij. Mësohet se Karaj ka deklaruar që gjoba është plotësuar nga kryeinspektori. Për këtë ai ka bërë kallëzim edhe për falsifikim të firmës së tij. Është e kuptueshme dhe e natyrshme që firma e policit bashkiak në gjobën që Bashkia e Tiranës i faturoi PD për dëmet dhe shkatërrimin e pronës së përbashkët, nuk u bë me iniciativën e kryeinspektorit të Bashkisë së Tiranës, por edhe ai u urdhërua nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, që t’i falsifikohej firma policit bashkiak dhe kryebashkiaku Erion Veliaj e pranoi publikisht. Ja pohimi publik i kryebashkiakut Veliaj për falsifikimin e firmës të policit bashkiak: “Polici më dhimbset se qëlloi të ishte në detyrë. E kuptoj që polici që duhet të shoqëronte fletën e gjobës rezultoi se ishte djali i kreut të PD në Fushë-Krujë. Kjo bashkinë e nderon. Për sa kohë që unë i kam dalë vetë zot dhe vetë kam firmosur gjithë dëmet, nuk kam nevojë të fshihem pas askujt, sepse i ka vënë emrin tim dhe ia kam drejtuar fletën e dëmeve dhe firmën time kryetarit të PD që ishte institucioni, ekipi, skuadra, organizata që kërkoi leje për aktiviteti”, deklaroi Veliaj.

Falsifikimi i dokumenteve dënohet deri në 4 vjet burg

Falsifikimi i dokumenteve, ku përfshihet edhe falsifikimi i firmës, është një vepër penale dhe sipas Kodit Penal, kur falsifikimi bëhet në bashkëpunim, dënohet me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet. Edhe firma e policit bashkiak në fletëgjobën e Bashkisë së Tiranës ndaj PD është falsifikuar në bashkëpunim dhe përgjegjësinë e falsifikimit e vetëpranoi publikisht vetë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Pra, vepra penale e falsifikimit është kryer nga kryebashkiaku Veliaj në bashkëpunim me vartësit e tij, është pranuar nga vetë kryebashkiaku Veliaj, polici bashkiak ka bërë kallëzimin penal në prokurori, ndaj dosja e kallëzimit penal është e plotë. Prokuroria thjesht duhet ta përcjellë kallëzimin penal të policit bashkiak Besmir Karaj në gjykatë për gjykim. 

Erion Veliaj, të japi dorëheqjen, ka kryer veprën penale të falsifikimit

Derisa kryebashkiaku Veliaj e pranoi që ka bashkëpunuar në falsifikimin e dokumenteve, atëherë ai duhet të dorëhiqet nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës. Nuk mundet më që Erion Veliaj, edhe tani që e pranoi që ka bashkëpunuar në falsifikimin e dokumenteve, madje ai është urdhëruesi me autoritetin e kryebashkiakut, të vazhdojë të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës, për më tepër edhe në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, që së shpejti do të miratohet në Kuvend. 
Bylykbashi: Kryeministri mund ta shkarkoj kryebashkiakun Veliaj, meqë ka pranuar që ka kryer vepër penale
Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar të Dekriminalizimit, Oerd Bylykbashi i pyetur nga gazeta “Telegraf”, nëse PD do të kërkojë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, u përgjigj se nuk është e nevojshme që kryebashkiaku Veliaj të dorëhiqet, por duhet që kryeministri Rama ta shkarkojë, në bazë të Kushtetutës, pa pritur dënimin penal, derisa Veliaj ka bashkëpunuar në kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve dhe konkretisht të firmës së policit bashkiak, në fletëgjobën ndaj PD. Ja prononcimi i Bylykbashit për gazetën “Telegraf”: Nëse e pranon që ka falsifikuar, mund t’i ulet 1/3 e dënimit, nëse kërkon gjykim të shkurtuar. Po u dënua shkarkohet, pra s’ka nevojë të dorëhiqet. Por meqë ka pranuar që ka kryer vepër penale, Kryeministri mund ta shkarkojë mbi bazën e Kushtetutës, pa pritur dënimin penal”. 

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 12.12.2015