Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi sot se Tirana do të vazhdojë të modernizohet, duke përmendur edhe disa nga investimet që do bëhen në pjesën e Bulevardit të Ri.
“Ne duhet të vazhdojmë modernizimin e qytetit dhe më vjen mirë që nesër kemi disa konkurse, bashkë me Kryeministrin, për Qendrën e re të Panaireve dhe të Konventave në “Bulevardin e Ri”, sepse “Pallati i Kongreseve” është ezauruar dhe është i rezervuar deri në fund të vitit. Ndërkohë, duam të çojmë disa nga gjykatat apo prokuroritë, te “Bulevardi i Ri”; godina e re e Bashkisë do të ketë një qendër administrative, që të mos jemi ca te “Torre Drini”, ca te “Pallati i Kulturës”, e ca te “7-katëshi”, e ca te “Zëri i Popullit”, por të grupohemi e gjithë si administratë në një ndërtesë ultramoderne, siç po bëhet ndërtesa e re e Tatimeve të bashkisë tek “21-shi”, u shpreh Veliaj.
Fushata elektorale e zgjedhjeve të 14 Majit, nuk duhet të ndikojë në punën e përditshme të Bashkisë së Tiranës. Kjo ishte porosia e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili zhvilloi një takim falënderues me punonjësit e institucionit të bashkisë, para hyrjes zyrtarisht në fushatë.
Veliaj shprehu vlerësimin maksimal për stafin dhe bashkëpunëtorët e tij, pa të cilët – tha ai – Tirana nuk do kishte pësuar transformimin e sotëm.
“Porosia e parë është që puna duhet të vazhdojë, shërbimi ndaj qytetarëve duhet të vazhdojë, Tirana duhet të jetë çdo ditë xixë, siç ka qenë këto vite. Tirana duhet të shkëlqejë dhe ne duhet të vazhdojmë shërbimin ndaj qytetarëve. Duhet të sigurohemi që, pikërisht se është fushata, nuk duhet ulur ritmi, sepse nuk do të doja kurrë që njerëzit ta lidhnin suksesin e Tiranës, suksesin e Bashkisë së Tiranës, me praninë time fizike në çdo veprimtari të qytetit. Madje, merita e kësaj skuadre është se e vazhdon punën me profesionalizëm, pavarësisht se ku është drejtuesi politik i skuadrës së Bashkisë së Tiranës dhe jam i sigurt që kjo do të ndodhë edhe kësaj here”,- deklaroi Veliaj. Nga ana tjetër, ai shtoi se ndihet i keqardhur pasi një pjesë e akuzave politike drejtuar atij, kanë prekur padrejtësisht edhe ata që punojnë në Bashkinë e Tiranës.