Ergys Mërtiri: Tiranës i erdhi shkatërrimi final nga Rama dhe Veliaj

237

Narrativa vulgare, banale, patetike e Erion Velisë, një përzierje pështirosëse naiviteti e shejtanllëku, hipokrizie, marrëzie e mërzie, të shkakton, dorë me një, të prera në stomak.

Pikë së pari, kënga ‘Ku ka si Tirona’ është e shëmtuar, po aq sa fjalimet e kryetarit të bashkisë, por mbi të gjitha nuk është aspak një këngë tiranase.

Së dyti, Tirana nuk ka lindur kur u bë kryeqytet, po ashtu siç Erioni nuk e ka ditëlindjen ditën që e ul në kolltukun e Kryetarit të Bashkisë.

E treta, ka një prirje për ta konsideruar katund, Tiranën e hershme. Komunistët janë përpjekur të na mbushin mendjen se janë ata që e bënë atë nje qytet, rilindasit e sotëm e kanë shtyrë edhe më vonë këtë, duke pretenduar se ky qytet ka filluar të marrë kuptim kur Edi Rama erdhi në krye të bashkisë, ndërsa ka të tjerë që priren të pohojnë se Tirana filloi të marrë formën e një qyteti, në kohën e Zogut.

Natyrisht, Tirana ka qenë një qytet i vogël dhe jo një qendër e rëndësishme ekonomike. Por ka qenë një qytet i bukur, në një pozicion gjeografik të mrekullueshëm, me shtëpi karakteristike interesante, i pastër, i gjelbëruar, me vija uji kudo dhe rrugica të kalldremta. Përshkrime udhëtarësh rrëfejnë për një qytet tërheqës, që gjithsesi ka pasur një treg me mbi 100 dyqane dhe një jetë të gjallë qytetarie.

Një gazetar suedez, Sven Auren, që e ka vizituar Tiranën gjatë kohës së Zogut, shprehet me superlativa, duke e quajtur atë nga qytetet më të bukura në Ballkan, jo vetëm për gjeografinë, pastërtinë, arkitekturën, gjelbërimin, por më shumë për njerëzit, marrëdhëniet midis tyre, traditat, gjallërinë etj. Shtëpitë e Tiranës ai i quan kështjella, në të cilat tiranasit ndërtojnë botën e tyre.

Së treti, Tirana nuk u zhvillua, por u degjenerua pas ardhjes në pushtet të komunistëve e deri më sot.

Regjimi i Enver Hoxhes shkatërroi pazarin e vjeter, ndërtesën e Bashkise si dhe një mori objektesh me vlerë identitare duke shkatërruar një pasuri të rëndësishme kulturore të qytetit. Në vend të tyre ai ndërtoi monumentet arkitekturore të shëmtuara të stilit rus, si dhe zona masive urbane me qëllime minimale funksionale pa pike shijeje dhe vlerë. Parafabrikatet, pallatet prej tulle, si kuti shkrepësesh, pa suvatim dhe pa asnjë element estetik, kanë qenë veprimtaritë e para të shpërfytyrimit të këtij qyteti. Pas tij, sidomos epoka e Edi Ramës, e trashëguar tashmë nga Veliaj, është faza vdekjeprurëse e këtij shkatërrimi.

Sot Tirana është e asfiksuar nga kullat dhe pallatet që kanë mbirë në çdo hapësirë, pa asnjë parametër urban, pa asnjë kriter funksional, arkitekturor, estetik etj. Nëse i hedh një sy peizazhit të merr frika të shohësh sesi shkapërderdhen godinat, në një mënyrë barbarisht kaotike, pa asnjë rregull, parim apo raport mes njëra-tjetrës. E tillë është bërë edhe jeta e ketij qyteti, një stres, acarim, asfiksim dhe paralizë totale. Ky ekspansion betonizmi ka bërë që Tirana sot të jetë qyteti më i ndotur në Europë, më pa hapësira, më pa infrastrukturë, më i pajetueshëm. Tirana sot nuk ka ujë, nuk ka kanalizime, nuk ka hapësira për parqe, argëtim, zhvillim kulturor, nuk ka hapësira për shkolla, kopshte, institucione sociale, nuk ka hapësira për parkim, nuk ka rrugë për të ecur makinat e madje shpesh as trotuare për këmbësoret. Një qytet ku rropatesh në trafik si askund në botë…

Dhe fajtorët kryesorë të kësaj masakre kriminale, janë pikërisht ata që sot festojnë pa kuptim një ditëlindje që nuk ekziston, duke kënduar në mënyrë patetike jotiranase: Ku ka si Tirona.

Sigurisht, ju garantoj, askund nuk ka si Tirona.

Në asnjë vend të botës!