Epoka pas Covid-it!

596
Sigal

Nga Gentian Çala

Tregjet, ekonomia, vendimmarrësit, mendjet dhe sjellja njerëzore, zakonet, sistemet shëndetësore dhe të mbrojtjes sociale do të jenē ndryshe në erën pas Covid-19-të. Bota u trondit, nga bursa te sjelljet, nga lindja në perëndim, nga të pasurit te të uriturit. Dikush mund të thotë se asgjë s’ka pēr të ndodhur, kjo do të kalojë dhe bota do të ecë në të njëjtën trajektore njësoj si para kësaj ndodhie. Mundet! Por, unë po i mëshoj idesë së ndryshimit bazuar në katër premisa dhe duke u mbështetur në disa artikuj të publikuar në median botërore me të njëjtin qëllim:

  1. Dimensioni i ngjarjes. Kjo pandemi kishte dy elementë: shpërndarjen dhe shpejtësinë e përhapjes, të shoqëruar me rrezikun vdekjeprurës, i amplifikuar në përqindje, por i mjaftueshëm që të mbyllë në shtëpi mbi 1 miliard njerëz. Asnjëra nga epidemitë e tre dekadave të fundit nuk i kishte të dyja cilësitë në këto përmasa.
  2. Pasojat njerëzore. Vdekjet e projektuara të 100 000 njerëzve anekënd globit nga Covid-19 mund të kenë ndikim të rëndësishëm në disa vende që mund të zhyten në kaos. Ato do të kenë ndikim në qeverisjet, në liritë, në raportet ndërmjet vendeve, në prioritetet globale.
  3. Elementi befasi. Pandemia e Covid-19-të nxorri në pah dobësitë dhe të qenit të papërgatitur të shkencëtarëve, të qeverive dhe të njerëzimit për një ngjarje të tillë. Shkenca, qeveritë dhe vetë qytetarët do të bëjnë ndryshime në mënyrë që “të kontrollojnë” apo “ti paraprijnë” rrezikut.
  4. Pasojat e menaxhimit të pandemisë. Ishin të shumta, por kryesisht në ekonomi dhe në të drejtat e njeriut. Ekonomia globale do të zhytet në reçesion ose së paku nuk do të arrihen projeksionet e rritjes së pritshme ekonomike, shumë vende pune do të humbasin, do të ketë ndikim në aspektet gjeopolitike dhe në qeverisje.

Për disa mendje të ndritura, ne do të jetojmë në “botën analoge”, kurse për disa do të jetë “revolucioni i katërt industrial” (që ka filluar me dixhitalizimin). Disa nga këto që do të them vijnë nga observime të ndryshimeve në vende ku ka pasur kriza të ngjashme (epidemish apo katastrofa të tjera natyrore), kurse disa janë thjesht hamendësime. Po çfarë mund të ndryshonte?!

– Zakonet tona, p.sh.: puna nga shtëpia do ketë më shumë hapësirë, jeta me stil më pak social, higjenizimi personal më i shprehur, shmangia nga qendra (të banuarit ose frekuentimi i vendeve më pak të populluara), ndryshime në infrastrukturën e ndërtimit, më pak shpenzime për pasuri të palujtshme, më pak udhëtime ose shmangia nga transporti publik, përdorimi më i shprehur i komunikimit përmes pajisjeve. Madje edhe ritualet fetare të besimeve të ndryshme apo pelegrinazhet mund të ndryshojnë.

– Masat ndaj epidemive. Për shumë vende lufta ndaj epidemive do të ketë po aq proritet sa lufta ndaj terrorizmit apo ngrohjes globale. Do të investohet më shumë në kërkimin shkencor (e cila për disa studiues rrit rrezikun e fabrikimit të agjentëve). Do të ketë struktura shëndetësore që ngjajnë me ushtrinë (me kapacitete rezervë). Do të ketë më shumë presion nga publiku për sisteme shëndetësore me mbulim universal apo për shtim të paketa sociale mbështetëse.

– Raportet e individëve me shtetin. Për më shumë siguri mund të na duhet të lëshojmë terren në të drejtat tona, duke bërë që qeveritë të kenë më shumë kontroll dhe publikja të fuqizohet në raport me privaten.

– Politika dhe raportet ndërkombëtare. Prirjet nacionaliste dhe populiste thellohen sepse e huaja perceptohet si e rrezikshme. Dikush parashikon zvogëlim të pabarazisē, por dikush fillimin e një luftë të ftohtë midis Kinës dhe ShBA-së. BE-ja humbi rastin për të qenë më e pavarur në politikën e jashtme. Në disa vende në zhvillim mund të ketë rënie të qeverive dhe zhytje në kaos.

– Ekonomia. Reçesioni, humbja e vendeve të punës dhe rritja e nivelit të varfërisë do të na shoqërojnë për një periudhë. Luftimi i varfërisë do të jetë një objektiv global që kërkon bashkëpunimin global. Mund të ketë një tendencë të grumbullimit të pasurive në kesh. Tregjet do të kenë luhatje dhe paqëndrueshmëri. Bizneset e mëdha mbijetojnë më lehtë, por mund të ketë një tendencë të njerëzve për të shmangur qendrat e mëdha tregtare duke ndihmuar bizneset e vogla për mbijetesë. Rritja e taksave dhe shkurtimi i investimeve mund të jetë zgjidhje për disa prej qeverive për të zvogëluar deficitin.

Në fakt njerëzimi pas çdo krize ka dalë më i fortë, për shkak të aftësive të mëdha përshtatëse, krijuese dhe ripërtëritëse. Bota mund të përfitojë nga kjo përvojë përmes disa ndryshimeve pozitive: mund të jetë një vend me më shumë solidaritet; me më tepër ndjesi përgjegjësie ndaj komunitetit; “rigjetja” e jetës në familje dhe investimi më i madh në shëndet apo sjellje të shëndetshme, besoj se janë ato i shtohen vlerave të përbashkëta njerëzore.