Engjëll Musai: “Krye-timonieri” i “Rilindjes” , pas 8 -vitesh kujtohet për fukarenjtë

279
Sigal

Qeveria e “rilindjes” deklaroi se do të heqë tatim-fitimin për biznesin e vogël, ndërkohë që kjo vlerë është e papërfillshme për buxhetin në krahasim me 3 miliardë euro që kanë marrë oligarkët e PPP-ve. Ja historiku i premtimeve të 2013-ës për rritjen e pensioneve, legalizimet, shëndetësinë falas, ish-ushtarakët, veteranët etj. Nga akrobacitë e “tepsisë vetëm” në 2017-ën, tek “filxhan i kafesë” në zgjedhjet moniste të 2019-ës

 

 Engjëll Musai

Drejtor i gazetës “Telegraf”

 Nga akrobacia e “tepsisë vetëm”, tek filxhani i kafesë”, për të justifikuar premtimet fallco të 2013- 2017-ës dhe zgjedhjet moniste të 2019 , të ngjashme me Komitetet Ekzekutive të PPSH-së

Kryeministri Edi Rama, deklaroi se qeveria e “rilindjes”, do të heqë tatim -fitimin për biznesin e vogël. Madje qeveria e ka shtyrë edhe më shumë premtimin, duke u thënë bizneseve, se do rishikojmë edhe heqjen e TVSH-në për një kategori të caktuar biznesesh, duke përfshirë edhe ato të agrobiznesit. Por premtimi më bombastik ka të bëjë me faktin se tatim -fitimi do të hiqet deri në vitin 2029 ?! Kaq mjafton që të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë dhe biznesi i vogël, ta kuptojnë se kjo deklaratë e kryeministrit Rama, nuk është gjë tjetër, veçse pjesë e premtimeve elektorale, pasi biznesi i vogël është totalisht i asfiksuar, që nga muaji mars, kur ka mbyllur qepenat. Një pjesë e tyre kanë aplikuar për shpalljen e falimentit, apo mbylljen e aktivitetit dhe të tjerët kanë mbushur xhamat e vitrinave me tabelat “Jepet me qira”. Vetëm gjatë vitit 2019, janë mbyllur mbi 4600 biznese, ndërkohë, që kjo shifër do të jetë edhe më e frikshme për këtë vit, ku situata e Covid-19, ka dhënë efekte të rënda, falë edhe mos menaxhimit të kësaj situate nga qeveria. Ulja e tatim -fitimit nuk ka vlerë po nuk hoqe taksat e pushtetit lokal, reklamat, rimbursimi i qirave, amortizimin e ambienteve, ulja e pagesave të dritave, ujit, sigurimeve shoqërore, shëndetësore etj. Ndërkohë që biznesi i vogël i jep shtetit, rreth 20 milionë euro në vit nga TVSH-ja , dhe një shifër të papërfillshme nga tatim-fitimi, pasi këto biznese janë në pragun e mbijetesës dhe mjaftohen me nxjerrjen e rrogave të tyre. Ndërkohë që shteti dhe qeveria, i fal miliona euro nga dividenti, bizneseve të kompanive oligarke, ku vetëm për vitin e kaluar, janë falur rreth 150 milionë euro, aq sa do të paguajnë të gjitha bizneset e vogla për 7 vite rresht. Oligarkët e naftës kanë miliona pa paguar nga TVSH-ja e naftës, ku vetëm një kompani që ka shpall faliment, ka 60 milionë euro, ndërkohë, që 1 miliardë euro që përfitohen nga nëntoka, nuk u tatohet oligarkëve vendas dhe ndërkombëtarë. Koncesionarët, (PPP ) e djegjes së plehrave, ka përfituar rreth 370 milionë euro. Kjo shumë është e barabartë me shumën që duhet të paguajë biznesi i vogël, për 17 vjet, ndërkohë, që qytetet po mbyten nga mbeturinat. Nuk po flasim për PPP-të e shëndetësisë, rrugëve, ushqimeve, tregjeve etj. Në total, PPP-të në Shqipëri, arrijnë në 3 miliardë euro, çka përbën një fond të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit dhe jo ato qindarkat e biznesit të vogël. Ja këto janë shifrat që rëndojnë ekonominë, dhe jo biznesi i vogël, të cilit qeveria e “rilindjes” i vuri litarin në fyt, sapo erdhi, duke vendosur TVSH-në, rriti taksat lokale dhe qendrore dhe tashmë, në prag të largimit pretendon se do t’ua heqë. Nëse bizneset vazhdojnë të mbyllen me këtë ritëm, qeveria Rama duhet të paguajë njerëzit që dalin të papunë me, përkrahje sociale, t’u paguajë sigurimet shëndetsore dhe ato spitalore. E ku shkuam ? Çfarë përfitoi kjo qeveri ? Ndryshe nga politika, ekonomia po shkon drejt një normaliteti tërësisht të ri. Vendi pritet të shënojë një rënie ekonomike midis 5%, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, dhe 9%, sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Pra, edhe këto shifra zyrtare, tregojnë se premtimet e qeverisë janë boshe dhe po hidhen në tregun e shpartalluar të biznesit për t’i paraprirë fushatës që do të mbahet brenda 6-mujorit të parë të 2021.

Ja premtimet e “krye-timonierit” për 2013-2017-ën për energjinë, uji, strehimi, kushtet e familjeve rome etj.

  1. Premtoi ulje të çmimit të energjisë elektrike, por e rriti edhe me 27%
  2. Premtoi ulje të çmimit të ujit të pijshëm, por e rriti edhe me 60%, duke futur edhe një taksë shkolle.
  3. Premtoi furnizim 24 orë furnizim me ujë në të gjithë vendin, por ka mbyllur rubinetet edhe në 30% të qendrave të banuara.
  4. Premtoi se do të krijonte kushte model strehimi e jetese për jetimët, por i nxori me dhunë policore në rrugë edhe ata që jetonin nëpër konvikte.
  5. Premtoi se do të strehonte 100% të familjeve rome e egjiptiane në banesa të reja, por u shkatërroi edhe barakat që kishin anës lumenjve.
  6. Premtoi se do të realizonte politika sociale-ekonomike punësimi e strehimi për gratë e dhunuara e të trafikuara, por i la ato në varfëri të plotë dhe nën goditjen e dhunës
  7. Premtoi se do të përgjysmonte varfërinë brenda mandatit 2013-2017, por e shtoi atë edhe me 32%.
  8. Premtoi se do të ulte papunësinë në masën 60%, por e shtoi atë edhe me 42%
  9. Premtoi se do rriste nivelin e jetesës me 35%, por çdo vit prej varfërisë janë vetë-vrarë nga 50 persona, janë shpërbërë nga 300 familje dhe janë prangosur nga 1000 adoleshentë e të rinj.
  10. Premtoi se nuk do të ketë më asnjë të moshuar të mbetur rrugëve si endacak, por numri i tyre u rrit me 30%

Taksat, koncesionet, ilaçet, legalizimet, varfëria, të moshuarit

  1. Premtoi se për gratë e moshuara të vetmuara e pa të ardhura ekonomike, do të jepej pension 10 mijë lekë të reja në muaj, por nuk u bë realitet.
  2. Premtoi se kuota e regjistrimit në Arsimin e Lartë, do të ulej me 50%, por u shtua edhe me 60% mbi tarifën ekzistuese.
  3. Premtoi se në zonat më të varfra të vendit, do të hapeshin 200 qendra sociale-ekonomike humanitare me strehim e ushqim për njerëzit e braktisur, të pastrehë e të varfër, por nuk u bë realitet.
  4. Premtoi përfundimin e të gjitha akseve rrugore nacionale të lëna pa përfunduar deri në vitin 2013, por i la ato siç ishin.
  5. Premtoi ulje të vlerës së taksave publike, por i rriti vlerat e tyre me 1-2 herë.
  6. Premtoi pakësim të numrit të taksave për popullatën, për biznesin e vogël dhe për biznesin e huaj që afron punësim masiv, por i shtoi ato edhe me 36 taksa të reja.
  7. Premtoi shëndetësi falas, por rriti koston e shërbimit shëndetësor edhe me 60%, duke aplikuar monopole ilaçesh, koncesione mjekësore, mbyllje qendrash spitalore zonale dhe nxitje shëndetësie private.
  8. Premtoi legalizim falas por shtoi me 18% vlerën e pagesave të dokumenteve dhe me 80% vlerën e trojeve.
  9. Premtoi legalizim falas dhe përfundim të procesit brenda mandatit 2013-2017, por kreu vetëm legalizimin e 28% të objekteve banesa dhe 15% të objekteve biznese të shtetarëve, ndërkohë që jo vetëm si bëri falas, por ua rriti vlerën dhe i çoi fadromat për ti prishur si “Astiri” dhe të tjerat në bregdet.
  10. Premtoi shfuqizimin e 4 koncesioneve të para vitit 2013, por shtoi edhe 12 PPP me vlerë 900 milionë euro, 400 milion euro vetëm në sektorin e shëndetësisë.

Administrata, papunësia, strehimi dhe çmimet e artikujve të konsumit të përditshëm

  1. Premtoi krijim administrate publike me punësime e emërime me konkurs të hapur, por 60% të administratës u punësua me korrupsion e militantizëm partiak dhe e mbushi me familjarë të shtetarëve.
  2. Premtoi pastrim të administratës shtetërore nga të paaftët, por 38 mijë zyrtarë i punësoi me diploma false nga ish-universitet kioska dhe me diploma false të huaja, nga të cilët 11 mijë janë graduar drejtues.
  3. Premtoi arsimimin universitar për të gjithë, por me reformat e tij la jashtë universiteteve afro 40% të maturantëve të shkëlqyer që morën rrugët e Europës.
  4. Premtoi vendosje të “Shportës Ushqimore” me 24 artikujt bazë jetikë për familjet në nevojë, por nuk e realizoi.
  5. Premtoi 50% ulje, 35% heqje taksash për turizmin familjar e atë zonal, por i rriti ato me 17% dhe i shtoi me 5 taksa të reja.
  6. Premtoi uljen e tarifave të shërbimit të transportit publik, por i rriti ato me 60% në shërbimin urban dhe me 35% në transportin ndërqytetës.
  7. Premtoi ulje të çmimit të karburanteve, por i rriti ato me 25%.
  8. Premtoi se do të hapte 300 mijë vende të reja pune, por me taksat e larta mbylli edhe 75 mijë vende ekzistuese
  9. Premtoi se brenda mandatit 2013-2017 do të pakësonte me 70% numrin e familjeve të pastreha, por i shtoi ato edhe me 2 herë
  10. Premtoi se do të pastronte zyrat e shtetit nga persona të inkriminuar, por në 40% të tyre punësoi persona të tillë dhe 30% të grupit parlamentar dhe bashkive të “Rilindjes” i mbushi me kriminelë

Shëndetësia, invalidët, emigrantët, të rinjtë, pagat e shtetarëve, hashashi

  1. Premtoi se do të rihapte qendrat shëndetësore e do t’i pajiste ato me mjekë, infermierë, autoambulanca e farmaci për çdo zonë skajore të Shqipërisë, por i hoqi edhe nga ato zona ku ishin, duke i punësuar me ryshfete, nepotizëm e militantizëm partiak në Tiranë dhe në qendrat e rretheve kryesore.
  2. Premtoi trajtim mjekësor falas jashtë shtetit, për çdo pjesëtar të familjeve të varfra sidomos fëmijë, por mashtroi duke trajtuar vetëm shtetarët dhe familjarët e tyre.
  3. Premtoi se do të trefishonte pensionet e invalidëve e jetimëve ua hoqi 35% prej tyre, duke përdorur lojën me KEM-et, ndërkohë që bëri 3000 dollarë pagat dhe shpërblimet mujore të deputetëve.
  4. Premtoi se do të shlyente 70% të borxhit shtetëror që ishte marrë nëpër botë dhe 100% të borxhit të brendshëm, por edhe shtoi borxhin e jashtëm me 38% dhe borxhin e brendshëm me 49%!
  5. Premtoi se do të rriste pensionet e pleqërisë me 2-3 herë, por i rriti ato me 2-3% ose 1kg. presh në muaj.
  6. Premtoi se do të shtonte kreditimin e bizneseve shqiptare me 5 herë, por e uli ato 4 herë në raport me masën që ishte deri në vitin 2013 dhe që prej vitit 2015 u bllokua plotësisht kreditimi.
  7. Premtoi votim në zgjedhje për gjithë emigrantët shqiptarë, por tani u thuhet se do të behët pas 4 vitesh.
  8. Premtoi se do të kthente nga emigracioni gjithë të rinjtë, për t’i punësuar në administratën publike, por largoi edhe 250 mijë të tjerë.
  9. Premtoi se do të zhdukte kultivimin e hashashit, por e lejoji të kultivohej masivisht e lirshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë, me mbështetjen e policisë dhe shtetarëve si biznes i tyre, duke na kthyer në qëndrën e trafikut mes Lindjes dhe Perëndimit.

Premtimet e fushatës së Rama-rilindjes në 2017

Po t’i kthehemi premtimeve të tre viteve më parë në një kohë të ngjashme, si kjo e këtij viti, kryeministri i erdhi vërdallë vendit, duke iu folur atyre që i rrinin rrotull, por për ta dëgjuar edhe ata që e ndiqnin nga ekranet, për dy objekte: Timonin dhe Tepsinë, si simbole mjaft të gjetura. Këto dy simbole në një fushatë elektorale, janë treguesi më i mirë për të përkufizuar atë, se çfarë nënkupton me pushtetin ai vetë, por edhe jo pak shqiptarë të tjerë. Sot, nuk ka shqiptar, por mbase edhe gjerman, francez dhe holandez, që të mos e dijë se çfarë ishte për vendin, kapja nga një dorë e vetme e këtyre dy objekteve kaq “të dashura”. Të vetmit që ende nuk e kanë “kuptuar”, janë ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në Tiranë. Tentativa për të shmangur përgjegjësinë nga detyrimet sociale-ekonomike ndaj popullit, u konstatuan nga kreu i “Rilindjes”, i cili zhvilloi fushatë elektorale për mandatin e dytë, duke mos dhënë llogari për premtimet dhe detyrimet që “Rilindja” duhej të kishte realizuar gjatë mandatit të parë. Parulla elektorale, me të cilën kërkoi pushtet “Rilindja” ishte: “Na jepni timonin vetëm neve”! Çfarë “timoni: kërkojnë, kur e kanë pasur dhe po vazhdojnë ta kenë edhe sot, paçka se “marrshin dhe pedalin e gazit” ia dhanë PD-së, sipas pazarit të përbashkët të mesnatës! Përballë popullit nuk shkohet me parulla e bejte, me brekushe e “Selfie”, me justifikime e premtime të përsëritura, por me bilanc, për ato çfarë ke premtuar 4 -vite më parë, dhe çfarë ke realizuar! Ishte absurd qëndrimi dhe përdredhja prej “striptisti” që pozonte kryeministri nëpër fshatra, duke justifikuar mos-mbajtjen e premtimeve dhe mos-plotësimin e detyrimeve, ndërkohë që “timonin” e ka pasur vetë në dorë, “frenat e makinës”, i ka pasur nën këmbë, licencën për t’a drejtuar, (1 milionë vota), e ka pasur të plotë! Në vend që të jepte shpjegime për mashtrimet, kryeministri përdori justifikimet për dështimet, korrupsionin dhe mashtrimet e “Rilindjes”, duke bërë akrobaci “me timonë, pa timon”, kur duhej të ballafaqohej me shqiptarët për premtimet dhe detyrimet, sidomos përpara atyre 1 milionë votave që e besuan si “krye-timonier”, në mandatin 2013-2017

Premtimet për ushtarakët

1-Krye-timonieri u premtoi ish-ushtarakëve, rikthimin e SHQUP-it, rritjen e pensioneve, njohjen e Statusit të Ushtarakut dhe rrëzimin e Aktit Normativ të Bodes. Por jo vetëm që nuk i realizuan premtimet, por i detyroi ushtarakët, edhe pse me vendime gjykate, të kthenin pensionet, ndërkohë që Ritvan Boden e bëri anëtar Bordi në Bankën e Shqipërisë, duke flakur në rrugë Arben Malajn, një socialist i orëve të para.

2-Premtuat rikthimin e Spitalit ushtarak, për ushtarakët dhe pensionistët ish-ushtarakë, ashtu siç e kanë të gjitha vendet e NATOS-s, por i mashtruat.

3-Premtuat, se do t’u jepnit ish-ushtarakëve të sëmurë dhe punonjësve të uzinave ushtarake ilaçe me 50-80 % ulje, por as që u kujtuat, ndërkohë që 160 milionë euro të sigurimeve shoqërore çdo vit, nuk dihet se ku përfundojnë.

4-Kampet e pushimit do vinit në dispozicion të ushtarakëve dhe ish-ushtarakëve , përsëri gënjyet.

Zgjedhjet moniste të 30 Qershorit

Në këtë rrugëtim, duke pasur si navigator zgjedhjet e 2017, Rama mbërriti në stacionin e radhës së 30 Qershorit. Në vend të reflektimit që duhet të ishte për vendin, një takim me historinë dhe perspektivë Europiane, oferta Rilindëse për popullin, ishte një filxhan kafeje i përmbysur, në llumin e errët të të cilit, shqiptarit ju kërkua të zbulonte të ardhmen “e ndritur” që e priste nën drejtimin e timonierit.

Përgatitjet për zgjedhjet e radhës pas “Reformës Zgjedhore”

Por çudia në Shqipëri zgjat vetëm 3 ditë, dhe këtë politikanët e “rilindjes” dhe krye-timonieri me tepsinë e filxhanit të kafesë, e di mirë këtë gjë, duke i gjetur të varfërve, “sipas kokës, kapelen”. Dhe kjo u duk kur premtoi rindërtimin nga tërmeti, (ku pas 4 muajve në shtator, mbushet viti) dhe qytetarët po e shikojnë se me propagandë, lugë boshe, nuk ndërtohen objektet e dëmtuara nga tërmeti dhe se me tritol objektet rrafshohen, por nuk lartësohen. Tërmeti në Korçë ka më shumë se 1 vit që ka rënë, u premtua nga “njësiti guerril”, se në shtator 2019 do jeni në shtëpi të reja, por banorët janë rrugëve dhe një pjesë po flenë po në ato ndërtesa me “qefin në kokë”. E njëjta situatë është edhe për banorët e Tiranës, Durrësit, Laçit, ku banorët e këtyre zonave në vend të dorës së “ngrohtë të rilindjes”, po ndjejnë mbi shpatulla rrotat e autobusit që drejton pa frena krye-timonieri. Përfundimisht vendi ndodhet në prag të katastrofës, ku krimi, korrupsioni, trafiqet dhe oligarkët, kanë kapur të gjitha institucionet e shtetit. Kemi një gjendje ekonomike dramatike për pjesën më të madhe të popullatës e cila, në mungesë të shpresës dhe pa një perspective zhvillimi brenda kufijve, po vijon të marrë rrugët e emigracionit në shifra alarmante. Ata janë të bindur plotësisht se autobusi ku kanë hipur është pa timon dhe po i drejtohet greminës, megjithëse dikush ende mban në dorë një timon. Por, është e dukshme se ky timon nuk shërben për t’i çuar drejt destinacionit të dëshiruar, por për të tjera qëllime, që synojnë për të kontrolluar krejtësisht gjë tjetër, gjithçka, çdo element apo mekanizëm që i garanton shoferit të Rilindjes mbajtjen sa më gjatë, pikërisht të atij objektit tjetër pak më anadollak: tepsisë me filxhanin e llumit të zi të kafes.