Ambasadorja suedeze: Njerëzit të votojnë të lirë pa e shitur votën

184
Sigal

Ambasadorja suedeze në Shqipëri, Elsa Hastad, teksa flet për 25 prillin, thotë se votuesit të bëjnë zgjedhjen e tyre në mënyrë të lirë e të pavarur.

Tre vite më vonë ne nuk kemi arritur që të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare. Opozita fajëson mazhorancën, mazhoranca në vetvete fajëson vendet skeptike si Holanda. Po ju kë fajësoni? Pra, a fajëson dikë komuniteti ndërkombëtar këtu në Shqipëri për situatën në të cilën gjendemi, apo besoni se kjo çështje lidhet me faktorë të tjerë, të cilët pamundësojnë konferencën e parë.

Unë do të preferoja të thoja se janë faktorët e tjerë që nuk çuan drejt mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare. Nuk do të ishte e drejtë për mua që të fajësoja ndokënd. Kjo nuk është puna ime. Puna ime është që unë të njoh hapat që ndërmerr Shqipëria që janë të shumta dhe se ka një sërë kushtesh që ishin vendosur. Di të them se vendi juaj ka qenë mjaft punëtor për t’i plotësuar kushtet. Ne jemi shumë vende anëtare brenda BE-së që e mbështesim dhe e inkurajojmë Shqipërinë në rrugën e saj evropiane. Ne mendojmë se Shqipëria është gati që të fillojë negociatat. Por, është një proces i gjatë dhe ne të gjithë e dimë këtë.

A i kemi bërë ne detyrat e shtëpisë siç duhet? A mendoni se për aq sa na u kërkua ne përfunduam çdo gjë në mënyrë që të ndërmarrim edhe këtë hap?

Po, vlerësimi ynë është se Shqipëria është gati të fillojë negociatat. Ky është vlerësimi ynë dhe ne i kemi ndjekur më vëmendje kërkesat tona. Një prej tyre është padyshim reforma në drejtësi. Ishin gjithashtu kërkesat për Gjykatën Kushtetuese dhe për Gjykatën e Lartë. Këto janë përmbushur. Pyetja për detyrat e shtëpisë ishte shumë e mirë, pasi ato fillojnë tani, kur ju të hapni negociatat. Edhe për Suedinë u deshën shumë vite dhe do të dojë shumë vite edhe për Shqipërinë. Procesi në vetvete është shumë i mirë pasi e ndërton realisht vendin. Do t’ju duhet të bëni shumë gjëra.

Kthehemi pak tek zgjedhjet. Ambasadorët e huaj i kanë bërë thirrje liderëve tanë që të vendosin njerëz pa rekorde kriminale në lista. Në qasjen tuaj, a e kanë bërë deri më tani? Dhe a besoni tek i ashtuquajturi, proces i dekriminalizimit? A mund të jetë ai mekanizmi për t’i nxjerrë jashtë sistemit këta njerëz?

Unë nuk kam asnjë koment të detajuar për këtë. Gjithsesi, unë mendoj se është e rëndësishme të keni kandidatë të mirë dhe solidë në procesin zgjedhor. Kjo është gjëja më thelbësore. Pra, duhet njerëz tek të cilët qytetarët mund të kenë besim, njerëz të cilët qytetarët duan t’i votojnë me vullnetin e tyre të lirë. Sigurisht që kjo ka rëndësi. Ne kemi folur shumë edhe për shitblerjen e votës. Kjo gjë përmendet edhe nga Bashkimi Evropian. Është realisht me rëndësi të madhe që votuesit të bëjnë zgjedhjen e tyre në mënyrë të lirë e të pavarur. Kjo do të jetë gjëja më e rëndësishme në ditën e zgjedhjeve