Engjëll Musai: Arbitrazhet “gërryejnë” financat shqiptare, gjobat pritet të arrijnë në 1.6 miliard euro

253
Sigal

Engjëll Musai,
Drejtor i gazetës ‘Telegraf’

Totali i gjobave që ka humbur Shqipëria në Arbitrazhe, shkon në 825 mln euro, ndërsa nga paaftësia, pazaret dhe marrëveshjet e fshehta të zyrtarëve të rilindjes me oligarkët, shuma që do paguajnë familjet shqiptare arrin në 1 miliard e 575 milion euro.

Gjykatat e Arbitrazhit janë krijuar dekada më parë me qëllim mbrojtjen e investitorëve nga veprimet arbitrare të qeverive të vendeve ku gjykatat vendëse kanë reputacion të keq. Por këto gjykata janë gjithashtu të njohura për ruajtjen e sekretit, gjë që e bën thuajse të pamundur për taksapaguesit, që paguajnë në instancë finale faturën, të mësojnë se çfarë kanë bërë qeveritë e tyre ,që janë dënuar dhe për çfarë arsyesh konkrete kompanitë private i kanë përfituar këto para! Shqipëria është përballur në shumë raste në gjykata arbitrazhi ku në disa raste ka fituar dhe në disa raste të tjera ka humbur. Por edhe në rastet kur ka fituar, kjo nuk ka ardhur pa kosto.

01

Kompanitë që kanë hedhur në gjyq Shqipërinë dhe kanë fituar, janë:

Familja Becheti kundër shtetit shqiptar;
J & P Avax kundër Ministrisë së Transportit;
SAFA shpk kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
Valeria s.r.l kundër Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
Anglo-Adriatica Group Limited vs Shqipërisë kundër Ministrisë së Financave;
Porti Karpen HFË LLC kundrejt Shqipërisë;
TIA shpk kundrejt Shqipërisë.

 

Totali i gjobave që ka humbur Shqipëria në arbitrazhet ndërkombëtare, pritet të shkojë në 825 mln euro.

Arbitrazhet ndërkombëtare vazhdojnë të “groposin” financat shqiptare, për shkak të arrogancës dhe korrupsionit ministror. Fatura nga gjyqet e humbura prej kompanive dhe atyre që presin vendimin sipas padive arrijnë në 825 milionë euro.

-KLSH deri në fund të vitit 2019 llogariten 19 miliardë lekë ose (170 mln euro) detyrime për

vendime Gjyqësore Ndërkombëtare, të cilave u shtohen edhe:
-110 milionë euro për një dëmshpërblim të kompanisë “Akërnia”,
-110 milionë euro investitorit Italian Francesco Becheti,
-100 milionë euro, “Kurum” ka një çështje të hapur me shtetin shqiptar,
– 45 milionë euro kompania greke “Actor”, që ndërtoi tunelin Tiranë-Elbasan dhe dy lotet e

tjera të autostradës në bashkëpunim me “Copri”,
-110 mln euro llogaritet humbja e shtetit shqiptar me “Dondi & Kubota”,
-150 deri 300 mln euro shoqërinë “Hydro srl” & kompania “Fusha” shpk. (Për Kalivaçin),

-16.8 mln euro kushtoi hoteli i vjehrrit të Bashës në Vlorë.

-Çështja tjetër e pranuar nga qeveria është ajo e’ GBC Oil Company’, në vlerën e 13.4 milionë euro.

GJYKATA e OKB

02

Pazaret dhe marrëveshjet e fshehta të zyrtarëve të rilindjes me oligarkët, do u kushtojnë shqiptarëve 1 miliard e 575 milion euro.

Por pavarësisht detyrimeve që kemi ndaj këtyre kompanive, të tjera gjyqe priten në horizont dhe që do të bëjnë që shuma të rritet në shifra marramendëse. Sipas ekspertëve të së drejtës dhe zyrave përmbaruese, veprimet e zyrtarëve të shtetit duken dukshëm të kundraligjshme, gjë që të krijon përshtypjen se këto kontrata koncesionare janë prishur qëllimisht që kompanitë të marrin sa më shpejt fitimin ,të cilin me PPP ndoshta nuk do ta merrnin as për 50 vjet. Pikërisht kjo përbën edhe një pikë që organet e hetimit, por jo këto të ngritura politikisht, duhet të kryejnë ndaj cilitdo që i ka dhënë në mënyrë të kundraligjshme PPP, apo që i ka prishur për tekat dhe qëllimet e tyre personale dhe politiko-elektorale. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, shërben si aktakuza më e mirë dhe e paanshme, për ndëshkimin e atyre që po ndajnë paratë me botën e krimit me kollare, ndërkohë që shqiptarët kanë marrë arratinë nëpër botë, se janë pa bukë.

“Opozita shqiptare deklaroi pak ditë më parë me fakte dhe prova se Avokati i Shtetit që mbronte qeverinë në Arbitrazh, dhe bashkëshorti i saj mbronte firmën private të përzgjedhur nga Shteti. Kjo hedh hije dyshimi se një pjesë e gjyqeve të arbitrazhit janë të krijuara qëllimisht për të ndarë më vonë fitimet, ndaj kjo kërkon hetim të menjëhershëm nga Komisioni Parlamentar, Krimit Ekonomik dhe SPAK.”

Shumës prej 825 milion euro që shqiptarët duhet të paguajnë deri më tani do t’i shtohen edhe:

-Gjoba e Kalivaçit, që pritet të shkojë në 300 mln euro, ku 150 mln euro të tjera ( përveç Agon Channel) do i marrë Becheti i cili kishte marrë garanci nga Banka Kombëtare Gjermane, dhe 150 mln euro do i marrë me shumë gjasa Fusha i ‘rilindjes” me ortakun e ri turk, madje pa bërë asnjë lekë punë.

-300 mln do i kushtojnë Shqipërisë prishja e kontratave të puseve të naftës, që “rilindja” ua hoqi kompanisë austriake dhe ja dha kompanisë ruse të ish-drejtorit gjobvënës të FBI-së, McGonigal, mik i qeverisë aktuale.

– Rreth 300 mln euro pritet që të marrin edhe dy kompanitë: ajo e Ora News dhe resortit Prestigj në plazhin e Durrësit.

Pra shumës totale  të Arbitrazhit deri më tani prej 825 mln euro, pritet t’i shtohen edhe 750 mln euro të tjera, pa llogaritur, gjyqet e pronave, largimeve nga puna. Dhe në total Shqipëria dhe taksapaguesit e saj shqiptar do të paguajnë për kapriçot, pazaret dhe në disa raste marrëveshjet e fshehta të zyrtarëve të rilindjes me oligarkët, 1 miliard e 575 milion euro.

“Kryeministri shqiptar deklaroi dy ditë më parë se do dalim nga marrëveshja me Gjykatën e Arbitrazhit pranë Bankës Botërore, por harron se do izolohet totalisht dhe vendi do futet në kolaps dhe në mosbindje civile…!”

03

Arbitrazhet, si rrezik për financat! Ja disa të dhëna për kompanitë dhe shumat që pritet të marrin kompanitë nga marrëzia rilindase.

Arbitrazhet ndërkombëtare vazhdojnë të “groposin” financat shqiptare, për shkak të arrogancës dhe korrupsionit ministror.

-Ndoshta historia e prishjeve të kontratave me kompanitë e huaja fillon me ardhjen në pushtet të PD-së që në vitin 2005 kur financat dhe ekonominë i drejtonin dyshja Ruli-Bode. Në atë kohë qeveria e të djathtës u tërhoq nga një marrëveshje e negociuar nga qeveria Nano me kompaninë amerikane General Electric. Kjo e fundit fitoi 25 milionë dollarë në arbitrazh dhe i arkëtoi paratë duke sekuestruar të ardhurat e Shqipërisë nga Eurokontrolli, rrjeti evropian i monitorimit të trafikut ajror, nga ku Shqipëria ka të ardhura për shërbimin e menaxhimit të trafikut të mbikalimeve ajrore mbi territorin e vendit.

-Prapaskenat e Rilindjes dhe drejtuesve të grupit parlamentar socialist vazhduan pas prishjes së koalicionit PS-LSI. Këta të fundit ishin ndërtuesit e dy loteve të autostradës Tiranë-Elbasan dhe përplasjet që patën me qeverinë bënë që shteti në finale të paguante 45 milionë USD.

-Një tjetër çështje në vazhdim është ajo me “Dondi & Kubota” ku humbja e shtetit shqiptar llogaritet në 90 milionë euro, nga të cilat vetëm 20 milionë si pretendim gjykate, ndërsa pjesa tjetër lidhet me mospërfundimin e investimit.

-Në 23 shtator 2020, pranë ICSID, u regjistrua një tjetër çështje kundër Shqipërisë. “Kompania Durrës Kurum Shipping” dhe të tjerë paditën shtetin duke kërkuar 100 milionë euro kompensim për prishje të njëanshme të kontratës. Këtyre më pas u shtohen edhe çështja e Becheti dhe ajo e Akërnisë nga Arka Energy që rrisin në mënyrë të jashtëzakonshme shumën potenciale që Shqipëria mund të humbasë të Arbitrazhe.

-Lidhur me Bechetin tashmë gjykata ka dhënë vendimin pro investitorit italian dhe Shqipërisë do t’i duhet që të paguajë. Aktualisht Shqipëria ka bërë përpjekje për ta shtyrë këtë zbatim përmes procedurave të ndryshme, ku më e fundit ishte ajo korrigjuese, por kjo nuk ndryshon faktin që vendit do t’i duhet ta paguajë faturën e kripur prej rreth 110 milionë euro.

-Në këtë gjykatë aktualisht janë në vazhdim përveç çështjes së Bechetit edhe ajo me “Arka Energy” e cila ka paditur Shqipërinë pas tërheqjes nga kontrata për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Akërnisë. Kompania edhe pse nuk ka dhënë publikisht detaje mbi shumën që ka kërkuar, nga burime pranë saj, është lakuar shifra 110 milionë euro.

-Në vitin 2021, kompania me pronësi shtetërore “Albcontrol”, që menaxhon trafikun ajror, u vu në vështirësi likuiditeti për shkak se të ardhurat e saj janë bllokuar në llogarinë e saj në Bruksel nga Eurocontrol. Bllokimi nga Brukseli i 21 mln eurove të “Albcontrol”,- thuhet se është për llogari të Bechetit.

-OSHEE paditet 8 mln. euro, gjobë për t’u paguar në arbitrazh, e cila u bë e ditur nga deputetja Tabaku gjatë një Komisioni të Ekonomisë.

-TIA sh.p.k., kompania koncesionare e aeroportit të Tiranës, e cila fitoi në mënyrë kontroverse pa garë nga qeveria e Edi Ramës zgjatje të afatit të koncesionit, ka hedhur në gjyq qeverinë shqiptare për shkaqe të panjohura.

– Çështja tjetër për të cilën qeveria ka pranuar një detyrim faktik është ajo kundrejt GBC Oil Company, në vlerën e 13.4 milionë eurove.

Çdo vit vonesë në shlyerje për këtë detyrim rritet me kamatë që është normë LIBOR plus 3% interes të përbërë, kamatë që e rrit detyrimin çdo vit me disa milion Euro shtesë.

04

“Hidrocentrali i Kalivaçit, megjithëse me shumë mundësi nuk do të ndërtohet, do t’u kushtojë shqiptarëve të varfër rreth 300 milionë euro.”

Në nëntor 2017, qeveria shqiptare nënshkroi kontratën koncensionare me shoqërinë “Ayen-Alb”, për një vlerë prej rreth 150 milionë dollarë. Kjo kontratë u nënshkrua në një kohë kur qeveria “Rama” ende nuk kishte mbyllur procesin gjyqësor me shoqërinë “Hydro srl” të Francesko Bechetit, e cila kishte siguruar më herët koncensionin për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Por, në shtator 2020, një agjenci qeveritare, ajo e Mbrojtjes së Mjedisit, refuzoi dhënien e lejes mjedisore për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, një vendim shumë i drejtë dhe që në fakt pengon ngritjen e veprës dhe, rrjedhimisht, rrëzon edhe kontratën koncensionare. Kompania “Ayen-Alb” e ankimoi vendimin e refuzimit në gjykatën administrative dhe kjo e fundit përkrahu qëndrimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Sjellja e dyfishtë qeveritare, fillimisht me nënshkrimin e koncensionit dhe më pas me bllokimin e lejes mjedisore, ngre dyshimet se gjithçka është një mekanizëm i menduar mirë për t’i dhënë të drejtën “Fusha” shpk të fitojë në Arbitrazhin ndërkombëtar një faturë tejet të madhe financiare në mënyrën më të lehtë të mundshme, pa kryer asnjë shpenzim. Praktikisht, “Fusha” shpk dhe ortaku i tij turk, nuk do të kryejnë asnjë shpenzim për veprën 150 milionë euro. Pra, hidrocentrali i Kalivaçit, megjithëse me shumë mundësi nuk do të ndërtohet, do t’u kushtojë shqiptarëve të varfër rreth 300 milionë euro, edhe pse qeveria “Rama” vendosi të japë me koncension hidrocentralin e Kalivaçit, ndërkohë që e dinte që në krye të herës se ajo vepër hidrike nuk duhej dhe nuk mund të ndërtohej mbi lumin e Vjosës.

05

Besmir Kodra: Fakti që Strasburgu shpalli fajtore Shqipërinë, në Tiranë zyrtarët përgjegjës duhet të shkojnë në burg.

“Por skandali më i rëndë ka të bëjë me faktin që Avokati i Shtetit i merr këto vendime të Arbitrazhit, ia çon Ministrisë së Financave për ekzekutim dhe nuk ka informuar kurrë nëse i ka çuar ndonjëherë në prokurori. Ndaj drejtësia shqiptare bashkë me hetimet, të hetojë dhe  ndëshkojë penalisht zyrtarët-përgjegjës të humbjeve kolosale të shtetit nga gjobat e Arbitrazhit.”

Vendimet e Arbitrazhit: Besmir Kodra, përfaqësues dhe një nga drejtuesit e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë në intervistën për gazetën “Telegraf”, bën me dije se përmbaruesit austriakë, por edhe kolegë në shtete të tjera, kanë filluar të ekzekutojnë vendimin e Arbitrazhit kundër Shqipërisë për të sekuestruar pasuri të Shqipërisë, për shkak se qeveria nuk zbaton vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare. Zoti Kodra, pohon, se përveçse dëmit material, i gjithë ky kalvar, që sapo ka nisur me përmbarues dhe sekuestro në vende të ndryshme, përveçse rrit shpenzimet e shtetit shqiptar me tarifa përmbarimi dhe me kosto të tjera administrative, dëmton dhe reputacionin e shtetit shqiptar, duke u bërë simbol i një shteti, që nuk njeh dhe zbaton vendimet e gjykatave. Zoti Kodra, arsyeton, se në mungesë të transparencës nga qeveria, nuk përjashton mundësinë, që “Ndër vite janë ngritur dyshime të qenësishme për bashkëpunim të natyrës korruptive të Avokatisë së Shtetit  me këto zyra avokatie të huaja, që marrin pagesa edhe nga 1-2 apo më shumë milionë euro. Zoti Kodra kritikon edhe Avokatinë e Shtetit për paaftësi profesionale, e cila mban përgjegjësi që çështje të tilla humben kaq lehtë në Arbitrazh, madje hedh edhe dyshime për bashkëpunime korruptive të Avokatisë së Shtetit me zyra avokatie të huaja, por që gjithmonë kanë një përfaqësues shqiptar, e këto zyra avokatie, ndonëse gjyqet në Arbitrazh humben kaq lehtë, shpërblehen me miliona euro nga shteti shqiptar. Së fundi, zoti Kodra, pohon se drejtësia shqiptare duhet të ngarkojë me përgjegjësi materiale dhe penale zyrtarët përgjegjës, që janë shkaktarët e gjobave të çështjeve që gjykon Arbitrazhi ndaj Shqipërisë. Skandali më i rëndë është që Avokati i Shtetit i merr këto vendime, ia çon Ministrisë së Financave për ekzekutim dhe nuk ka informuar kurrë nëse i ka çuar ndonjëherë në prokurori. Ndaj drejtësia shqiptare të fillojë hetimet dhe të dënojë penalisht zyrtarët-përgjegjës të humbjeve kolosale të shtetit nga gjobat e Arbitrazhit.