Të miturit në protestë, UNICEF: Të shqetësuar për arrestimin e tyre

280
Sigal

UNICEF në Shqipëri, ka reaguar për protestat që kanë mbërthyer vendin. Përmes një reagimi zytar, kërkon që të miturit e arrestuar apo që po ndihen në gjendje të lirë, të marrin trajtimin dhe mbështetjen e duhur sipas ligjit si dhe ka dënuar dhunën në protesta, duke u bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga ajo dhe të respektojnë masat anti-covid, pasi grumbullimet rrisin rrezikun e infektimit të fëmijëve dhe të rinjve.

Reagimi i plotë

UNICEF është i shqetësuar për dëmin e mundshëm dhe ekspozimin ndaj dhunës, përfshirë këtu, dhe rrezikun e ekspozimit ndaj Covid-19 që fëmijët dhe të rinjtë mund të përballen mes protestave në Tiranë dhe në qytete të tjera.

UNICEF i bën thirrje gjithë shoqërisë të mbështesë të drejtat e fëmijëve,sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, lidhur me lirinë e shprehjes dhe grumbullimet paqësore.

Gjithashtu, u bën thirrje të gjithë aktorëve përgjegjës, të sigurohen që fëmijët që janë në kontakt me ligjin, duhet të marrin në kohë, trajtimin dhe mbështetjen e duhur, përmes procedurave të përshtatshme për të miturit.

UNICEF i bën thirrje mbarë qytetarëve të distancohen nga dhuna, të respektojë masat themelore ndaj mbrojtjes së Covid-19, si dhe ata që marrin pjesë në protestë, ta bëjnë këtë pjesëmarrje, sa më paqësore dhe jo të dhunshme.