Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi: Papërgjegjshmëria e institucioneve, punësimet nepotike, PPP-të dhe mungesa e ndëshkueshmërisë po fundosin shtetin

504
Sigal

/Gazeta TELEGRAF 

Funksionarët që janë zotërues të posteve publike, nuk i jep të drejtën askujt që të fshihet pas postit dhe t’i shkaktojë dëm pasuror buxhetit të shtetit. E drejta për të qeverisur është e drejtë për të vendosur prioritete, të ndërtosh një shkollë apo të ndërtosh diçka tjetër dhe nuk është e drejtë për të hedhur në det shuma të mëdha parash, që do t’i paguajë çdo qytetar shqiptar tani dhe në perspektivë.

E kuptoj, në fakt dua të vijojmë të mbetemi tek i njëjti diskutim, ju thatë se është edhe një lloj papërgjegjshmërie nga ana e institucioneve. Mendoni se është vetëm kjo pra, papërgjegjshmëri arrogante apo kemi edhe mungesa të themi, në burime njerëzore për t’u përballur në gjyqe të tilla?

Mendoj që janë shumë elementë të marrë së bashku, që nga cilësia e kontratave që përmende, që në mjaft raste bëhen favor të investitorëve pa marrë parasysh barazinë e palëve. Së dyti, ka të bëjë me mungesën e ekspertizës, mungesën e kapaciteteve, mediokritetit në emërimet politike, që bëhen në institucione të tilla. Së treti, ndoshta unë dyshoj, kam të drejtë ta shpreh publikisht, që mund të ketë edhe vendimmarrje, të cilat janë bërë të qëllimshme për t’i fituar pala e huaj, pra nuk janë mbrojtur si duhet interesat e shtetit. Sipas një investigimi të agjensisë BIRN, është konstatuar që para disa vitesh në 60 procedura të kësaj natyre, 15 kanë qenë të përfshira në njërën anë një pjesëtar i familjes, në anën tjetër një pjesëtar tjetër i familjes, pra njërin në anën e shtetit tjetri në anën e investitorit, çka e shpreh një pozitë qesharake të shtetit, një mbrojtje të papërshtatme të interesave publike dhe në thelb një cënim të buxhetit të shtetit për të cilin shteti duhet të bëjë analizat e veta dhe të nxjerrë përgjegjësinë nominale. Natyrisht këto institucione vazhdojnë të mbeten të politizuara dhe njëkohësisht përzgjedhja e kompanive të huaja për të asistuar shtetin shqiptar në procedura të tilla në arbitrazh ka qenë objekt debatesh midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Shtetit, pasi sipas ligjit, që ishte në fuqi Ministria e Drejtësisë kishte primatin e kontrollit mbi këtë institucion.

“Përgatitja dhe përpunimi i specifikimeve teknike, që favorizojnë klientë të caktuar që kanë sfond politik. Nuk mund ta besojë që një sipërmarrës që fiton dhjetra miliona euro në vit, të ketë interes për t’iu bashkuar Parlamentit, për të marrë 1000 apo 1500 euro edhe njëkohësisht të jetë përfaqësues i shërbimit publik”

“Abuzimet kanë të bëjnë me mungesën e ekspertizës, mungesën e kapaciteteve, mediokritetit në emërimet politike, që bëhen në institucione të tilla.”

– Zoti Preçi, gjatë ditëve të fundit ne kemi raportuar për një sërë operacionesh të ndërmara nga Institucionet e Drejtësisë, që në fokus kanë patur korrupsionin me vlera tejet të larta mund të përmendim, tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, nga ana tjetër edhe rastin e kryebashkiakut të Lushnjes, që ishte një abuzim me fondet publike. Ju në fakt keni denoncuar dhe keni folur herë pas here, për çështje të tilla, në të vërtetë çfarë po ndodh me ekonominë shqiptare në këtë drejtim, pra me abuzimin me fondet publike?

Pavarësisht rezervave, që mund të kemi për SPAK-un dhe Reformën në Drejtësi në tërësi, duhet pranuar që tashmë në mjedisin shqiptar dhe në fushën e drejtësisë, nuk ka më të paprekshëm, çka do të thotë që me gjithë rezervat që mund të ketë duhet t’i japim mbështetje reformës në vazhdimësi të saj. Nga ana tjetër, vakumi i krijuar tregon për mosnjohje si duhet të gjendjes edhe ndoshta për influenca, për hakmarrje, për vendimmarrje të diskutueshme, qoftë edhe të Komisionit të Vettingu-t apo të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Për rrjedhojë, jemi në një situatë ku numri i institucioneve mezi po rivihen në funksionim, duke filluar me Gjykatën Kushtetuese dhe aktivizimi i tyre, funksionalizimi i tyre i shërben rifillimit normal të punëve të Shtetit dhe frenimit të agresivitetit të Qeverisë në vendimmarrje apo edhe certifikimit të vendimmarrjeve të Parlamentit etj. Dhe në këtë këndvështrim korruspioni ka ardhur përherë e më shumë duke u bërë një temë e ditës, ndërkohë tenderat të cilët janë objekt shqyrtimi (unë e kuptoj hetimi i çështjeve të mëdha kërkon shumë kohë dhe burime njerëzore  dhe agjensia përkatëse investigative është në krijim e sipër, njerëz po trajnohen etj.), por shpreh shqetësimin që në rastet e përzgjedhura kemi të bëjmë me raste specifike, që janë larg problematikës të vërtetë, që ka korrupsioni, në fund të fundit, duhet ta kuptojmë që problemi i korruspionit është Qeveria, gjithë të tjerat janë aksesorë dhe janë periferike, siç është Pushteti Vendor etj. Nga ana tjetër, tenderat shumë milionësh me efekt mbi publikun nxjerrin në pah edhe defektet që shfaqin sistemi ynë i prokurimit edhe pse është i përditësuar me përvojat e mira të vendeve të OECT-s, Magjistracionit të Bashkimit Evropian etj. Dhe hetimi për tenderin e uniformave në Ministrinë e Brendshme, është një mundësi për të kuptuar mekanizmat korruptiv, trafikun e influencës, por edhe faktin që zyrtarë të lartë publik po tentojnë t’i shmangin duke ia lënë barrën e përgjegjësisë nënpunësve të thjeshtë, të cilët mund t’i klasifikosh në dy grupe, kategoria që përmbush detyrimet kundrejt shtetit dhe kategoria që bën ndërmjetësinë apo përfiton. Mbetet për t’u parë se çfarë do të thonë hetimet, por rëndësi ka që njerëzit të flasin dhe të zbardhet e vërteta për këtë tender dhe tipologjinë e tenderave në Shqipëri. Çdokush e kupton, që problemi në Shqipëri nuk është një arkë peshk që mund të marrë një funksionar, ajo është gjëja më e rëndomtë edhe pse është e dënueshme, edhe pse është shkelje edhe etike edhe ligjore edhe morale edhe politike. Problemi është vendimarrja që çojnë në përdorimin e 100% të fondit limit. Problemi është pjesëmarrja në tendera me një ofertues të vetëm. Problemi është prurja e tenderave pa shpallje publike dhe negocim të drejtëpërdrejtë. Problemi është destinimi i shumave të mëdha, që në kontratë arrin më shumë se 10% të GPD-s, në formën e Partneriteve Publike Private me kompani ofshore, me kompani të krijuara posaçërisht, me kompani të dyshuara për përfshirje të politikanëve të lartë me përfitime prej tyre etj. Dhe nuk janë ndoshta 20 milionë lekë të reja të një kanali, edhe pse 1 lek të ishin janë të detyrueshme, por ka nevojë të shkohet në thelbin e problemit dhe unë uroj dhe shpresoj dhe personalisht e mbështes punën e SPAK-ut, në mënyrë që gradualisht të krijohen premisa për të patur një staf të aftë, të ndershëm, që zbaton ligjin, që nuk është pre e vendimmarrjeve dhe interesave oligarkike, interesave politike, interesave të momentit ku padyshim korruspioni është shtrati, ku mbi të cilin gjenden gjithë elementet e tjera.

– Në fakt, në kuadër të asaj që ndodhi me kryebashkiakun e Lushnjes, kryeministri Edi Rama tha se do të prezantojë dhe një paketë të prokurimit publik, ku do të jetë SPAK, që herë pas here do të hetojë të gjitha tenderat që bëhen. Është një lloj zgjidhjeje kjo?

Unë e mirëkuptoj retorikën politike të zotit Rama, në kuptimin, që ofron çdo ditë diçka për të mbushur kohën televizive tek njerëzit, por në vlerësimin tim, problemi më i madh me rregullimin e kuadrit ligjor, nuk është përshtatja e disa amendamenteve, që lidhen me blerjet e përqendruara apo blerjet specifike apo elementet e tjera tejet teknike. Problemi më i madh është moszbatimi dhe mosrespektimi në tërësi i konkurrencës në procesin e prokurimit. Përgatitja dhe përpunimi i specifikimeve teknike, që favorizojnë klientë të caktuar që kanë sfond politik. Duhet të jemi koshientë, unë nuk e besoj dhe nuk dua ta besoj, që një sipërmarrës që fiton dhjetra miliona euro në vit, të ketë interes për t’iu bashkuar Parlamentit, për të marrë 1000 apo 1500 euro edhe njëkohësisht të jetë përfaqësues i shërbimit publik. Fjala më fyese duhet të jetë fjala shërbëtorët e popullit apo shërbyes public, sepse në thelb është larg përmbajtjes reale të saj. Ashtu sikurse, nisma si ajo e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, para se të mbyllej legjistlatura e fundit e Kuvendit, për të klasifikuar pasurimin e paligjshëm si vepër penale, e cila ndoshta kaloi pa u vënë re nga media edhe nga politika ka nevojë të rivitalizohet, të rikthehet në skenën e debatit në mënyrë, që të bëhet e qartë për secilin do që ushtrimi i funksioneve publike duhet të mbështetet në ligj, në ato përfitime, që të garanton ligji dhe nuk mund të jetë mjet për pasurim të shpejtë, as për vete, as për klanin politik ku bën pjesë, as edhe për lobet e biznesit apo të oligarkëve.

“Problemi i korruspionit është Qeveria, gjithë të tjerat janë aksesorë dhe janë periferike, siç është Pushteti Vendor etj. Nga ana tjetër, tenderat shumë milionësh me efekt mbi publikun nxjerrin në pah edhe defektet që shfaqin sistemi ynë i prokurimit”

“Pas Reformës në Drejtësi ka nevojë të thellohet ky procesi i njohur si procesi i Vetting-ut apo i pastrimit të drejtësisë, të thellohet në administratë në mënyrë që, gradualisht të kemi një administratë edhe profesionale”

– Unë dua të mbetemi për pak çaste edhe te çështja e tenderave, duke patur parasysh zyrtarët e arrestuar për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit. Besoni edhe ju se një tender i tillë, me një vlerë të tillë, nuk mund të bëhet thjeshtë nga zyrtarë të agjensisë së prokurimeve publike?

Së pari, duhet të kuptojmë që në kohë paqeje, ligji më i rëndësishëm është ushtrimi i buxhetit, zbatimi i buxhetit, sepse politika, që ndjek një Qeveri e caktuar me dikasteret përbërëse të saj materializohet me procesin e prokurimit, aty gjejnë mbështeje, ide, që janë shfaqur në program të cilat janë të miratuara në Parlament, shqyrtuar në Qeveri, sepse në fund të fundit çdo ndryshim ndodh kur ka vullnet politik, kur ka instrument legal dhe faturë financiare. Buxheti është pikërisht kjo e fundit fatura financiare, për një poltikë të caktuar. Në rastin konkret, janë dy elementë që mua më shqetësojnë, së pari largimi nga detyra i Drejtoreshës, vetëm 8 ditë përpara se të arrestohej nga Gjykata, çka do të thotë që, vetë procesi ka qenë i njohur paraprakisht dhe bëhet fjalë për një proces të pilotuar dhe së dyti, deklarimet publike të zyrtarëve më të lartë të ministrisë, që nuk kishin kurrfarë dijenie. Unë nuk bëj hetuesin në këtë debat, por ajo që mund të them është që, nuk ka titullar institucioni, të ndjekë zbatimin e buxhetit krahas detyrave të tjera, sepse aty materializohet politika; sepse ne nuk kemi drejtuesit politik të ministrive për të dhënë thjesht fjalime dhe për të bërë propagandë trushplarëse për qytetarët, përkundrazi kemi për të mbajtur përgjegjësi për çfarë ka vendosur Parlamenti dhe ligji më i rëndësishëm, e përsëris, në kohë paqeje është ligji i buxhetit. Në të njëjtën kohë duhet pranuar, që Sekretari i Përgjithshëm është autoriteti më i lartë në ekzekutimin e buxhetit, në të gjithë institucionet shqiptare, në Qeveri dhe jashtë saj, çka do të thotë, që përgjegjësia është  e drejtëpërdrejtë, përsa i takon rregullshmërisë ligjore, bazueshmërisë ligjore, performancës dhe pritshmërive, që ndërton shpenzimi i parave publike, në një objekt apo në një tjetër, kështu që askush nuk është jashtë përgjegjësisë, por të shpresojmë që, personat e ndaluar si persona bashkëpërgjegjës për çfarë ka ndodhur në cënimin e interesave publike në favoritizëm apo në përdorim kriteresh, që largojnë një firmë dhe afrojnë dikë tjetër, pra në vendimmarrjen që është kryer, të mund të flasim për rreth asaj historie dhe kjo t’i presë rrugën dhe historive të tjera të ngjashme në të ardhmen, përndryshe nëse dikush është i gatshëm të vuajë dënim me heqje lirie, për llogari të superiorëve politik apo adiministrativ kjo është çështje personale dhe nuk mbetet tjetër veçse t’i urojmë që t’i gëzojë ato ditë, duke vuajtur për dikë tjetër, por mirë është që përgjegjësia të jetë e drejtëpërdrejtë edhe kjo përgjegjësi duhet të shndërrohet në një normë. Mendoj se pas Reformës në Drejtësi ka nevojë të thellohet ky procesi i njohur si procesi i Vetting-ut apo i pastrimit të drejtësisë, të thellohet në administratë në mënyrë që, gradualisht të kemi një administratë edhe profesionale edhe me integritet njerëzor e profesional, por njëkohësisht edhe të mbrojtur me ligj, që të mos jetë pre e vendimmarrjeve abuzive e klienteliste, të cilitdo titullar politik, që guxon të shkelë ligjin e të cënojë interesat publike.

-Zoti Preçi, unë ju falenderoj shumë për komunikimin që patëm së bashku!

Faleminderit juve!