Ekspert Zgjedhor Artan Lazaj: KQZ-ja në kundërshtim me Kodin, përjashtoi komisionerët e opozitës. Kuvendi nuk ka autoritetin të jetë dinjitoz

779
Sigal

Artan Lazaj, ekspert i Çështjeve Zgjedhore

 

KQZ-ja, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, përjashtoi komisionerët e Opozitës

 

 

Artan Lazaj, ish-anëtar i KQZ në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se Opozita ka të drejtën e saj të ketë komisionerë në KZAZ, sepse, pavarësisht se dorëzoi mandatet e deputetëve, është parti parlamentare. Zoti Lazaj shprehet se Kuvendi nuk është i tanishëm nuk përfaqëson elektoratin dhe interesat e popullit dhe nuk e ka autoritetin për të qenë dinjitoz të miratojë ligje.

-Zoti Lazaj a është e ligjshme kërkesa e Opozitës, e cila i kërkoi KQZ që të ketë komisionerët e vet në KZAZ?

– Përbërja e KZAZ trajtohet sipas nenit 29 të Kodit Zgjedhor. Sipas kritereve të parashikuara nga ky nen, mendoj se Partitë e Opozitës, janë në të drejtën e tyre ligjore që të paraqesin interesin e tyre në KQZ, për të emëruar anëtarët që dëshirojnë ata, për të ushtruar detyrën si anëtarë të KZAZ-ve, sipas formulës të përcaktuar në këtë nen. Ato janë Parti parlamentare, pavarësisht faktit që përfaqësuesit e tyre të mëparshëm në Kuvend kanë hequr dorë nga ushtrimi i mëtejshëm i mandatit të Deputetit. Por gjithashtu është i vërtetë fakti që KQZ, ka ushtruar detyrimin e vetë ligjor, për të zëvendësuar mandatet e dorëzuara, me mandate të kandidatëve të tjerë, të zgjedhur nga listat e po këtyre Partive. Pra, e thënë ndryshe, këto Parti vazhdojnë të përfaqësohen nga përfaqësuesit e tyre sipas listës zgjedhore të dorëzuar në KQZ. Megjithatë KQZ ka kohë ende, deri në datën 30 Maj që këtë krizë ta zgjidhë përfundimisht sipas kritereve të përcaktuara në nenin e mësipërm.

– A mundet që zv. kryetari i KQZ të përcaktojë të quajë parti jo parlamentare atë parti që ka dorëzuar mandatet e deputetëve kur KQZ u ka dhënë mandat deputeti kandidatëve të tjerë nga lista e po kësaj partie parlamentare?

– Zv Kryetari i KQZ, ka të drejtë si çdo anëtar tjetër i saj të interpretojë dhe të shprehë pikëpamjet e veta, gjatë diskutimeve të KQZ, përpara vendimmarrjes së saj, por pa tejkaluar logjikën dhe qëllimin e ligjit. Detyrimisht, në kuadër të pyetjes të ngritur nga ju, ky interpretim, nuk duhet t’i kaloj caqet e logjikës dhe kritereve të trajtuara nga neni 29 i Kodit Zgjedhor. Unë do t’i jepja një këshillë miqësore, kolegeve të mi në KQZ, që të mos bëjnë të njëjtat gabime që ka bërë KQZ e mëparshme, të cilat ne i kemi kritikuar, por ajo me forcën e numrave që kishin nuk luanin formulës së lojës 4-3.

– Sa kohë mundet parlamenti të jetë legjitim kur nuk ka 140 deputetë të betuar siç e përcakton Kushtetuta?

– Sipas parashikimeve të nenit 64/1 të Kushtetutës së Republikës sonë, Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. Në pikëpamjen formale ligjore duket sikur Kuvendi në këtë situatë jo dhe aq të rregullt, është në pajtim me frymën e ligjit themeltar, por nga pikëpamja morale nuk jemi në rregull. Sipas kësaj pikëpamje, nisur nga situata, preteksti dhe mënyra e heqjes dore nga ushtrimi i mëtejshëm i deputetëve të kaluar, shtuar faktin, e mënyrës së dhënies së mandatit dhe çfarë përfaqësojnë në të vërtetë deputetet e rinj, ky Kuvend nuk të mbush mendjen shumë se përfaqëson realisht interesat e popullit të vet.

– A i jep Kompetenca Kushtetuese Kodi Zgjedhor Presidentit të shpërndajë parlamentin kur nuk ka numrin e deputetëve që e përcakton Parlamenti?

– Kompetencat e Presidentit të Republikës, trajtohen ndër të tjera në nenin 92 të Kushtetutës, e posaçërisht në interes të pyetjes suaj, sipas shkronjës “gj” të këtij neni, sipas kritereve të trajtuara në këtë nen, Presidenti ka vetëm të drejtë që të dekretojë datën e zgjedhjeve dhe jo t’i shtyj ato. Kjo datë sipas mendimit tim, mund të shtyhet vetëm sipas kërkesës që mund ti drejtohet atij, në marrëveshje të partive që dëshirojnë të garojnë në zgjedhje. Në këtë pikëpamje, është mirë që subjektet zgjedhore të ulen dhe të gjejnë një rrugëzgjidhje për ketë krizë të vështirë.

-Po, nëse Presidenti i Republikës heq dore nga ushtrimi i detyrës, çdo të ndodhë?

– Gjithsecili mund të nxitohet e të japë shkurt përgjigjen, që s’ka problem, do të zgjidhet një President tjetër.

A është lehtësisht e mundur kjo, në situatën në të cilën përjeton vendi ynë?!

– Përgjigja ime, e sigurt është se do të jetë një krizë tepër e vështirë që nëse partitë do të këmbëngulin në qëndrimet aktuale të tyre. Vini re kriteret e nenit 91/2 të Kushtetutës. A kemi Gjykatë Kushtetuese në këtë Republikën tonë? Jo. A zotëron Kuvendi anëtarët e nevojshëm për të zgjidhur këtë krizë?! Jo. Presidenti i ri zgjidhet sipas formulës të trajtuar nga neni 87 i Kushtetutës. A mund të zbatohet ky nen i saj, nga Kuvendi në këtë situatë që ndodhet Kuvendi?! Jo, sepse Presidenti duhet të votohet së paku nga tri të pestat e anëtarëve te tij. A kemi 140 anëtarë në Kuvend që të dimë se sa është numri i tri të pestave të tij, për të votuar Presidentin. Jo.

Po nëse Presidenti nxjerr një Dekret që të shtyjë datën e zgjedhjeve kur të dëshirojë ai, a është në gjendje dikush që të mos zbatojë Dekretin e tij, në këtë situatë?

– Jo se dekreti i Presidentit është detyrim për t’u zbatuar.

– A është në gjendje Kuvendi që të nisë procedurën e shkarkimit nga detyra Presidentin, sepse për një moment mund të mendojë, se po të ndodhë kjo situatë, Presidenti do të akuzohet se “ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës”?

– Jo, sepse nuk kemi Gjykatë Kushtetuese për të përcaktuar një gjë të tillë. E shihni pra se sa “JO”, u bënë vetëm për zgjidhjen e një situate të tillë.

-A janë legjitime ligjet që miraton Parlamenti, i cili nuk ka as formalisht numrin e deputetëve që përcakton Kushtetuta (pavarësisht se ka në miratim shumicën e thjeshtë apo te cilësuar?

– Në këtë situatë ligjet dhe puna e Kuvendit në ditët e sotme nuk ka autoritetin e dëshiruar për të qenë dinjitoz. Kuvendi dhe qeveria, janë me brekë nëpër këmbë, siç i thonë një shprehje nga Jugu. Mendoj se do i shërbente vendit tonë të stërlodhur dhe zhgënjyer nga tranzicioni i stërzgjatur, nga e gjithë klasa politike, që ulen, të rregullojnë situatën dhe zgjidhin krizën se ndryshe duhet të mendojmë që kemi “qenë mirë kur kemi qenë më keq.” Përgjegjësit e kësaj situate-krizë politike, që është e gjithë klasa politike aktuale, duhet t’i japë zgjidhje urgjent kësaj gjendjeje alarmante jo vetëm zgjedhore.