Reforma në Drejtësi/ PD paraqet 10 pika ku duhet të ndërhyhet

547
Tre partitë kryesore në vend nuk bien dakord për draftin final për reformën në drejtësi. Në mbledhjen e djeshme të komisionit për reformën në drejtësi, socialistët dolën në mbështetje të draftit të ekspertëve të nivelit të lartë, ndërsa PD dhe LSI dolën me të tjera propozime konkrete. Partia Demokratike paraqiti 10 pika të reja që sipas saj tejkalojnë konfliktin por që nuk rezultoi kështu, dhe Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi pretendimet e saj në disa 5 pika. Nënkryetari Eduard Halimi ka vënë në dyshim thelbin e projektit për reformën në drejtësi dhe ka paraqitur 10 pika që kapërcejnë vërejtjet e Komisionit të Venecias. Deputeti demokrat tha se opozita nuk kushtëzon reformën vetëm me shumicën e miratimit, madje ai shtoi se as 2/3 dhe as 3/5 nuk kanë rëndësi për Partinë Demokratike. 

“Demokratët nuk janë dakord me ngritjen, ekzistencën dhe përbërjen e Këshillit të Emërimit”, theksoi Halimi, i cili argumentoi edhe pse PD është kundër strukturës së Gjykatës së Lartë. “PD kundërshton edhe strukturën e Gjykatës së Lartë, që ndahet në dy të tilla, ajo për çështjet civile dhe penale dhe tjetra Administrative. Partia Demokratike thotë se struktura e Gjykatës së Lartë nuk u takon ekspertëve, por politikës. Lidhur me këtë institucion, opozita kundërshton edhe emërimin e gjyqtarëve nga jashtë sistemit, që e konsideron si një çështje që mund të shfrytëzohet politikisht”, theksoi nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi. Në vijim, Halimi u shpreh se opozita mbështet vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por kërkon edhe një strukturë për ankimimin. “PD mbështet procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i ashtuquajturi veting, por kundërshton strukturën dhe mohimin e ankimimit për gjyqtarët dhe prokurorët”, prezantoi Halimi. Nënkryetari i komisionit u shpreh edhe për një sërë çështjesh të tjera. “Opozita ka rezerva edhe mbi procesin e emërimit dhe funksionet e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ku procesin e zgjedhjes me 3/5 për një mandat 9-vjeçar të Inspektorit të Lartë e politizon këtë institucion dhe e vendos në varësi të maxhorancës; PD kundërshton përbërjen e Tribunalit Disiplinor”, vijoi deputeti demokrat.
Sigal