Edvin Brokaj/ Asambleja e PS në Vlorë dhe shkatërrimi i organizatave që mblidhnin të majtë idealistë

946
Sigal

Edvin Brokaj            


 As kam qenë ndonjëherë dhe as nuk jam edhe sot anëtar i forumeve të PS të
Vlorës, ndonëse nuk i jam ndarë veprimtarisë së saj, qysh gjimnazist e deri
sot. Mund të them se, për rrethana familjare dhe fisnore, si dhe më pas për ndërgjegjësimin
tim politik, u rrita nën ndikimin e pikëpamjeve majtiste, pa ndenjur prapa derës
së zyrave të PS e as pas xhaketave të krerëve të saj. Nuk e kam patur merak që
të dilja para tyre e të më shihnin se “isha edhe unë aty”! Por, siç thashë më
lartë, qysh gjimnazist, nuk ka patur fushatë elektorale parlamentare apo
vendore ku të mos kem qenë në komisione apo në gjithë veprimtaritë e kandidatëve
në ballafaqimet me elektoratin, nuk ka patur protestë, apo grevë si ajo e
studentëve të Universitetit “I.Qemali” në vitin 1997, ku të mos kem marrë pjesë
aktive, nuk kam kursyer as ndihma material e fizike për gjithë kandidatët për
deputet e kryetar bashkie, paçka se këto, pas çdo fitoreje “harroheshin”, ose bëheshin
sikur nuk diheshin!.. i kujtova të gjitha këto për të më mirëkuptuar e besuar
se jeta e Partisë Socialiste më dhimbset e më shqetëson, ndaj kam të drejtë të
shpreh edhe nga kjo tribunë mediatike disa mendime, që ziejnë jo vetëm te unë,
por edhe në mjediset e rrethet shoqërore të elektoratit të majtë këtu në Vlorë.

Një mbledhje, ku njëri
i binte gozhdës dhe tjetri patkoit!

Është pikërisht kjo mbledhje që më shtyu, që të mos heshtë më dhe të hapem
edhe matanë kufijve të saj. E kam fjalën për mbledhjen e Asamblesë së PS të
Vlorës, që u mblodh para disa ditësh në sallën e Pallatit të Kulturës “Labëria”.
Unë dhe disa të tjerë ishim aty si të ftuar. E kishim për herë të parë që
merrnim pjesë në një mbledhje të tillë. Përshtypja e parë që na bëri ishte, se
një pjesë të madhe të këtyre të zgjedhurve po i shihnim për herë të parë nga që
nuk i kishim parë në gjithë ato ngjarje të shumta që ka kaluar PS e Vlorës
sidomos pas vitit 1997 e këtej. Përshtypja e dytë ishte se, nuk dinim përse
ishim mbledhur. Dhe përshtypja e tretë, duke parë presidiumin, nuk kuptonim se
kush e drejtonte këtë mbledhje; Këshilli i Qarkut, me që aty ishte drejtuesi i
tij, Bashkia me që aty ishte Kryetari i saj, Prefektura me që aty ishte vet
Prefektja, ish deputeti me që aty ishte z. Koço Kokëdhima, apo ata që përcakton
Statuti?!… Kjo ishte mbledhja e parë pas zgjedhjeve të reja për forumet e PS.
Prisnim që të ishte një mbledhje e qetë dhe moment pune. Prisnim se ishte rasti
që t`i shikonim të gjithë deputetët e Vlorës, pasi qysh kur u caktua z. Koço
Kokëdhima i deleguari kryesor për Jugun, ata i kemi parë fare pak, vetëm ndonjëherë
kur kanë shoqëruar Kryeministrin. Por nuk ndodhi kështu. Dukej që ishte një
mbledhje e porositur dhe jo e programuar. Pjesëmarrësit pyesnin njeri-tjetrin
se përse ishin mbledhur. Kryetari hapi mbledhjen pa na sqaruar se cili ishte
rendi i ditës. Mund të ngrihej kushdo dhe të fliste çfarëdo. Me përjashtim të
ndonjë diskutimi që ngriti shqetësime të drejta për situatën, të tjerët “njeri i
binte gozhdës e tjetri patkoit”. Kjo solli atë që disa prej pjesëmarrësve të
pakënaqur nga zhvillimi i kësaj mbledhje pa drejtim, pa qetësi, pa respekt, u
larguan në mënyrë demonstrative, duke lënë pas revoltën se kështu nuk mund të
ecet më. ia thanë në sy Kryetarit të Qarkut, Kryetarit të Bashkisë, Prefektes,
ish deputetit Koço Kokëdhimës që u mor posaçërisht me zgjedhjet e fundit në PS
e Vlorës. ia thanë edhe më të pafajshmit, kryetarit të ri që dukej se ishte i
hutuar se situate po ecte jashtë porosisë e qëllimit të caktuar. Disa prej tyre
i njihja mirë që ishin veprimtarë të njohur e të pandarë të PS, që nga Gëzim
Çapo, që është një nga socialistët veteran të PS dhe deri te të rinjtë Everald
Hoxhaj e Artan Seraj. Mbledhja u hap nga kryetari i PS të Vlorës dhe u mbyll
nga ish deputeti Koço Kokëdhima. Asnjëherë nuk u përmend emri i Kryetarit të
PS, Edi Ramës, sikur ai të mos jetë faktor që jeton me ne, me problemet tona,
me jetën e Partisë. i mendova gjatë të gjitha këto ndaj lashë një distancë kohe
për të vendosur nëse ia vlente të shprehja disa mendime.

 

Në Vlorë meritat e
fitoreve i ka elektorati besnik i saj, pastaj strukturat e PS

U përqendrova te kjo mbledhje, jo se është një ngjarje e rastësishme dhe e
shkëputur, por se, janë pasojë e disa qëndrimeve dhe problemeve të tjera, që
janë trashëguar ose u krijuan gjatë kësaj fushate të fundit në PS e Vlorës.

E para, PS e Vlorës, për hir të së vërtetës ka ardhur duke u
rrudhur në autoritetin e saj. Ajo filloi me injorimin dhe shkatërrimin e
organizatës bazë. Kujtoheshin për të, kur duhej mbështetur mendimi ose vendimi i
ndonjë klani, apo individi me pushtet. U është dashur dhe u duhet nënvlerësimi i
rolit të org. bazë se nën injorimin e saj e kanë më lehtë të bëjnë për mikun, për
shokun, për bashkëfshatarin, për porositë e padrejta që vijnë nga lartë, për
fshehjen e korrupsionit e të allishverisheve, etj. Këto kanë qenë fakte e
fenomene të njohura e të përfolura në opinionin e vlonjateve, por të
patrajtuara në org. bazë, sepse mbi të gjitha ajo nuk ka funksionuar. Sepse në
disa prej tyre drejtonte ndonjë roje i pa shkolluar, që “të vriste”për shefin e
tij, ose ndonjë tjetër që ishte i importuar nga një rajon në tjetrin, sepse ashtu
i duhej atij atje lartë për të mbajtur në gjumë org. bazë. Në këtë këndvështrim
unë vlerësoj punën e ish deputetit z. Koço Kokëdhima, që duke udhëhequr këtë
fushatë partie, arriti të shkund dhe të ringjallë org. bazë dhe të dihet se
edhe kush e drejton atë.

E dyta, ka të bëjë me rolin dhe ndikimin e z. Koço Kokëdhima në këto
zgjedhjet të reja në PS. Roli dhe puna e tij krahas atyre që e çmojnë pozitivisht,
ka bërë dhe dy grupe të pakënaqurish. Njeri grup janë ata që u prishi “qetësinë”,
ose siç themi ne në Vlorë “u nxori kallajin”. Ata ishin mësuar të vegjetonin
dhe u mësuan me këtë gjendje. Grupi tjetër është ai që për mendimin tim ka të
drejtë. Duke dashur që të rinovohen drejtuesit e Partisë dhe forumet e saj, u
kalua në ekstremizëm që ka krijuar pakënaqësi dhe mosrespekt për disa prej të
zgjedhurve. Orientimi, që në krye të org. bazë të zgjidheshin kandidatë deri në
moshën 40 vjeç dhe të votoheshin emrat që sillnin të deleguarit, ishte dhe
mbetet një gabim që duhet korrigjuar. Unë di një organizatë që u bë problem
edhe në faqet e shtypit ku shumica e anëtarëve të saj ishte mbi 40 vjeç dhe e
kishin menduar vet drejtuesin e tyre, kurse “të deleguarit” ngulnin këmbë për
emrin që kishin sjellë me vete!.. Një panoramë e tillë u shfaq edhe në këtë
mbledhje që fola më sipër, ku dalloje atë boshllëk brezash dhe më e rëndësishmja
ata të zgjedhur anonim që dalloheshin se ishin më shumë të emëruar se sa të
zgjedhur. Unë jam vet i ri. Jam edhe i shkolluar. Por, në përgjithësi ne të
rinjve të këtij tranzicioni të stërzgjatur na mungon shkolla e jetës. Atë e kanë
brezi që është mbi ne. Dhe shoqëria ka nevojë për ata, ndaj e quaj ekstremizëm
që përvoja e tyre të mungojë në veprimtarinë e jetës politike dhe të mos kenë përfaqësinë
e tyre të merituar.

E treta, ka të bëj me vlerësimin e kontributeve të militantëve
dhe njerëzve më të ditur. E kam përjetuar këtë fakt edhe në përfundimet e
fushatave të mëparshme. Kandidatët për kryetar partie, për kryetar Bashkie, apo
për deputet, në fillim janë shumë të dashur, shumë të respektuar, të mbushin mendjen
se ata do të sjellin drejtësinë që të ka munguar, s’ti kursejnë lëvdatat dhe
premtimet për kontributin që jep, nuk i përfillin interesat e tyre për interesat
e qytetit e të zonës, etj. Por kur vjen fundi d.m.th. fitorja, secili shkon në
vend të vet; ata duke parë punët e tyre në karriget që fituan me votat tona, ne
aty ku ishim duke pritur zgjedhjet e tjera!… Tre premtime bën krerët e Tiranës
për emërimet që do bëheshin nëpër institucionet dhe qendrat e tjera të punës.
Njëherë thanë se do të bëhej vlerësimi i kontributeve dhe meritave profesionale
nga Kryesia e PS që njeh nga afër militantët e saj. Njëherë tjetër dëgjuam se për
këtë do të gjykonin deputetët. Në fund thanë se do të vepronte konkursi. Për
mendimin tim të tria u zbatuan, por… sipas pjesës që iu la secilës! Unë jam i
ndërgjegjshëm se, në këtë pikë sado të përkryera të jenë gjykimet, do të ketë
pakënaqësi, përfolje, akuza,etj. Por janë ca raste që nuk flasin për drejtësi,
ndershmëri, ose profesionalizëm. Ja një shembull: Xhevair Çeloaliaj dhe Bashkim
Habilaj i kam miq dhe në fushatën e fundit kemi punuar bashkë për deputetin
z.Fatmir Toçi. Xhevairi ka mbaruar shkollën e Policisë i specializuar për
kriminalist. E ka ushtruar këtë profesion shumë vite deri sa një ditë u zëvendësua
nga “specialistët” e Sali Berishës. Më pas ka mbaruar edhe fakultetin e Drejtësisë
me korrespodencë. Bashkim Habilaj është inxhinier. Ka drejtuar me sukses disa
ndërmarrje ekonomike. Pas fitores së Partisë Socialiste në vitin 2013, Bashkimi
që është inxhinier dhe që ka drejtuar ndërmarrje ekonomike, e emërojnë Drejtor
të Paraburgimit në Vlorë, kurse Xhevahiri që ka punuar shumë vite në organet e
Policisë dhe që është diplomuar edhe për drejtësi, e emërojnë Drejtor të Portit
Detar! Nuk e kuptoj çfarë logjike ka punuar këtu për të mirën e punës dhe për
respektimin e profesionit të secilit?.. Ose një shembull tjetër: ku u provua “X”,
miku i deputetit “y”, që ti besohen mbi gjashtë detyra shtetërore, pushtetore,
partiake, shoqërore, etj, kur në asnjë prej tyre nuk ka as përvojë e as kontribute?
N.q.se do të zgjatesha mund të përmendja edhe shembuj të tjerë që kanë të bëjnë
jo me kontribute, as me merita profesionale, por… me mikun e me më të fortin financiarisht.

E katërta, që më shqetëson është mungesa e pranisë të të deleguarve
të kryesisë së Partisë Socialiste në njohjen dhe zgjidhjen e problemeve që shëndoshin
jetën e PS të Vlorës. U tha se në vend të z. Koço Kokëdhima ishte caktuar si e
deleguar e Kryesisë znj. Mimi Kodheli, e cila thonë se nuk vjen?! Përse kështu?
Kanë frikë për shqetësimet që ngrenë socialistët vlonjatë për gjendjen e
organizatës së PS, apo për premtimet e pambajtura? Apo se, sido që të sillen me
Vlorën, votat e socialistëve i kanë të siguruara?! Mirëpo, kjo pikëpyetje
mbetet pikëpyetje!…

Dhe në fund, për vëmendjen
e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama

Kur vendosa të hedh këto shqetësime në këtë gazetë, isha i sigurtë se nuk është
vetëm zëri im. Por jam gjithashtu i sigurtë se rivendosja e drejtësisë,
demonstrimi i ndershmërisë në riparimin e gabimeve, zemra e ngrohtë dhe jo zemërimi
ndaj vlonjatëve që flasin troç, i çon gjerat në vendin e duhur.

E para, rishikim i zgjedhjeve të reja në strukturat e Partisë. Të
mos ndodh si me të zgjedhurit në Këshillin bashkiak apo të Qarkut, për të cilët
votojmë qorrazi pa ditur kush janë, ç’kontribute kanë dhe sa na përfaqësojnë.

E dyta, frymëzimi i forcës së org. bazë, duke dëgjuar zërin e
saj për të shmangur ndikimin e mikut e të shokut, të blerjes e të shitjes për
interesa korruptive e privilegjeve private.

E treta, analiza e punës dhe rigjykimi në se është gjykuar drejtë
me të zgjedhurit në krye të institucionet pushtetore, duke bërë dëgjesa për
punën dhe rezultatet e tyre.

E katërta, ndihet mungesa e rolit dhe zërit shqetësues të
deputetëve, sidomos pas caktimit të z. Koço Kokëdhima si i deleguari kryesor
për rajonin e jugut. Cili do të jetë pozicioni i tij këtej e tutje?