Gazeta Telegraf/ 225 shtetarë “vjelin” pagat e 2800 punonjësve fiktivë në bordero

618
Sigal

Përparim HALILI


Skandali që po publikojmë sot është dërguar disa kohë më
parë në “Telegraf”, nga një punonjës banke i nivelit të dytë në Tiranë. Në
informacionin e dërguar, bankieri denoncon faktin e konstatuar prej tij, se
drejtues institucionesh, ndërmarrjesh e shërbimesh shtetërorë në Shqipëri, prej
kohësh vazhdojnë e “vjelin” (vjedhin) shtetin me një skemë të “heshtur”
hajdutërie, të futur në veprim shumë vite më parë, nëpërmjet borderove të
pagave që jepeshin direkt në arkat e ndërmarrjeve e institucioneve, ndërsa
tashmë i zhvatin nëpërmjet kartave bankare individuale të punonjësve fiktivë që
faktikisht me shkresa zyrtare figurojnë në bordero si “punonjës”, por që
realisht nuk janë as në punë dhe as në Shqipëri. Punonjësit “fantazma” që janë në
bordero si “hije”, janë futur në strukturën e organikës së administratës, apo të
sektorëve të punës, në pazar me drejtuesit zyrtarë sa për të pasur vjetërsi
pune, ose në shumë raste edhe pa dijeninë e tyre! Drejtuesit që kanë bërë këtë
skemë, i dinë emrat, madje i kanë pajisur ata edhe me kartë me të dhëna që në
shumë raste janë edhe të rreme, duke u tërhequr (vjedhur) pagat mujore në
bankat me të cilat kanë kontratë pagesash mujore institucionet e tyre. Çfarë
ndodh? Konkretisht, drejtues shtetërorë në Tiranë, por edhe në rrethe të ndryshme
të vendit, sidomos në Durrës, Vlorë, Berat, Korçë, Fier, Elbasan, Shkodër, Dibër
etj, janë përfshirë në një skemë krimi financiar që bëjnë me fondet e
planifikuara të pagave, të cilat shteti i ka akorduar për punonjësit sipas
numrit konstant vjetor, por edhe sipas shtesave të punonjësve periodik, të
komanduar e provizorë me afat 1, 2, 3, 6 e 9 mujor, të punësuar me kontratë të
përkohshme për shërbime dhe punë kalimtare sipas nevoja që kanë institucionet
dhe shërbimet publike! Bankieri nga Tirana, deklaron se e ka zbuluar krejt
rastësisht këtë abuzim, duke parë një drejtor institucioni shtetëror që e
kishte komshi, duke tërhequr lekë me kartë elektronike në “Bankomat”-in e
bankës ku punonte, ndërkohë që nuk ishte as depozitues dhe as pagë-marrës në atë
bankë! Pas verifikimit, deklaron bankieri, rezultoi se ai tërhiqte pagën mujore
të një personi të regjistruar si punonjës në një nga sektorët e institucionit që
drejtonte bashkëshortja e tij, rast i cili u verifikua dhe rezultoi, se personi
që i tërhiqej paga mujore, ishte pajisur me kartë bankare si punonjës i
regjistruar, kur në fakt prej 17 vitesh ishte emigrantë në Australi dhe nuk
kishte hyrë asnjëherë në Shqipëri! Pas këtij informacioni, Gazeta “Telegraf”
nisi investigimin me gazetarët e saj në qarqe dhe duke mbledhur informacion nga
burimet që ajo disponon. Jo vetëm që denoncimi i bankierit nga Tirana u vërtetua
plotësisht për rastin e denoncuar, por u zbuluan edhe 74 raste të tjera, që drejtues
institucionesh shtetërore në Tiranë vjedhin rregullisht paga mujore punonjësish
të regjistruar fiktivisht në institucionet dhe ndërmarrjet që ata drejtojnë,
duke i regjistruar si punonjës që gjoja… “paraqiten përditë në punë” dhe
sikur gjoja tërheqin pagën mujore me karta elektronike në bankën përkatëse ku
shkon listë pagesa mujore prej thesarit. E vetmja gjë që përfitojnë këtë
punonjës “fantazma” që rezultojnë sikur janë në punë e në Shqipëri, janë
pagesat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore! Raste të tilla janë denoncuar
edhe në “Telegraf”, prej personash që janë emigrantë në Itali, Gjermani, Francë
e deri SHBA dhe Australi, por që figurojnë si të punësuar në institucione e
shërbime shtetërore qendrore dhe lokale, madje edhe nëpër ministri! Sipas të dhënave
të deritanishme, konstatohet se janë 225 shtetarë dhe qendrorë të cilët “vjelin”
(vjedhin) rregullisht pagat e 2800 punonjësve që janë në borderotë mujore në
shëndetësi, ujësjellës, bashki, ushqim, dogana, tatime, universitete, në
drejtorinë e rrugëve, në porte, në institucionet e kulturës, në aeroport etj.,
por që nuk janë në Shqipëri, ose që janë në Shqipëri dhe nuk e dinë që janë të
punësuar në shtet! Këta drejtues që vjedhin pagat mujore të punonjësve
“fantazma”, përdorin kartat e nxjerra në emër të tyre, madje për të mos rënë në
sy, ua tërheqin rrogat në sportele bankare të zonave të tjera, ose u japin
familjarëve të tyre për t’u tërhequr si rasti i drejtuesit që denoncoi bankieri
nga Tirana.