Edita Tahiri: Shembja e teatrit kombëtar është një akt krimi dhe sadizmi

58

Nga Edita Tahiri

U trishtova nga shembja e teatrit kombëtar në Tiranë. Ndjeva dhimbje të thellë e dëshpërim pafund.

Kjo ngjarje kaq tragjike me futi në mendime dhe gjërat e para që më dolën përpara ishin djegia e Romës nga Neroni dhe sadizmi si destruktivitet njerëzor i definuar nga Fromi.

Të shkatërrosh trashëgiminë kulturore të armikut tënd është praktikë e keqe e luftës, mirëpo të shkatërrosh trashëgiminë kulturore të popullit tënd i ngjanë si të jesh në luftë me popullin tënd. Nuk mund ta kuptoj vendimin e Edi Ramës për shembjen e teatrit kombëtar, për injorimin e kërkesës së artistëve për mbrojtjen e teatrit, dhe nuk mund të besoj se një agjendë politike korruptive mund të jetë mbi kulturën, mbi historinë e sajë dhe mbi shpirtin që mbahet nga kultura.

Për mendimin tim, shembja e teatrit kombëtar është një akt krimi dhe sadizmi.

Ishte akt krimi sepse u shkel e drejta për trashëgimi kulturore që është një e drejtë fundamentale njerëzore, ndërsa fshirja e një pjese të historisë kulturore cenoi identitetin tonë kulturor kombëtar shqiptar, identitet ky që ishte vazhdimisht i kërcënuar nga agjenda hegjemoniste të të tjerëve jashtë nesh.

Edhe ma keq, kjo shfaqi sadizmin e një lideri që sillet si despot, mbase i frymëzuar nga Neroni romak, edhe pse me profesion vjen nga bota e kulturës dhe është pritur të jetë njohës i botës shpirtërore të kombit tonë. E vërteta tregoi se Rama është larg botës shpirtërore të popullit të tij dhe shumë afër botës së të korruptuarve që për ushqim të shpirtit kanë paranë dhe korrupsionin.

Nuk mund të jetë ndryshe. Fakti se pas dy katastrofave natyrore, tërmetit e pandemisë, që tronditën shpirtin e kombit, ai krijoi vet vuajtje shpirtërore me rrënimin brutal të ndërtesës historike të teatrit kombëtar nuk mund të quhet ndryshe përveç? një sadizëm nga një qeveri e cila në vend se ta gëzoj popullin ajo e hidhëron çdo ditë e më shumë.

Hidhërimi i popullit është fundi i një qeverie, është fundi i një qeverisje antidemokratike. Shpresa dhe ardhmja është demokracia, qeverisja nga populli për popullin.