Edi Rama: Pas takimeve në Berat, kryeministri mbledh sot socialistët në Shkodër. Ja prioritetet dhe sfidat e agjendës

25
Sigal

Kryeministri shqiptar Edi Rama ishte këtë të premte në Berat ku inspektoi disa nga kantieret e ngritura në zona të ndryshme të qytetit. Prej ditësh transformimi urban i Berat po vijon në të gjitha lagjet, rrugët, sheshet e qytetit, ku po jetësohen një grup projektesh dinjitoze, që nga rehabilitimi i sheshit kryesor dhe pedonales, parkimi, fasadat e ndërtesave, ura, tregu i gjelbër, e plot lehtësi të tjera, duke krijuar hapësira, jo vetëm funksionale, por edhe atraktive për qytetarët e turistët e shumtë që vizitojnë Beratin, të cilët përgjatë vitit 2023 shënuan shifrën e 800 mijë vizitorëve. Tregu i gjelbër është një nga projektet, i cili po ngrihet një sipërfaqe prej 13 mijë metrash katrorë, i pozicionuar pranë rrugës nacionale që lidh hyrjen e qytetit me qendrën dhe i  konceptuar si një strukturë e hapur e dedikuar për tregun e shumicës dhe pakicës së produkteve bujqësore. Në këtë treg parashikohet të sistemohen rreth 100 fermerë dhe të grumbullohen produktet e 35 fshatrave. Ndalesa e radhës ishte në sheshin kryesor të Beratit, i cili po rikonstruktohet, së bashku me fasadat e ndërtesave, parkimin e pedonalen, duke siguruar një transformim rrënjësor të qendrës së Beratit. “Këtu jemi tashmë në sheshin kryesor të Beratit, që është mbi parkim në fakt. Parkimin ju e keni vizituar edhe vetë, është një parkim me rreth 200 mjete, që është një kapacitet i konsiderueshëm dhe gjithë kjo aureolë e qendrës së qytetit. Ne tashmë kemi përfunduar dhe projektin përsa i përket fasadave që e kemi diskutuar edhe më parë për një rehabilitim disi të formalizuar edhe më shumë dhe do të shkojmë me gjithë peizazhin që ka qendra e qytetit, por ky është një transformim rrënjësor në qendrën e Beratit. Vetë rruga Antipatrea është kthyer në identitet sepse është bërë e gjitha me gur, siç ka qenë në fakt edhe përpara gati 80 vjetësh dhe pastrimi ishte shkrirja me sheshin e madh të qytetit që është një shesh rreth 8000 metra katror. Kjo është një rilindje e Beratit, e paimagjinueshme pak vite më parë. Sot vetëm në zonën historike të qytetit, në qendrën muzeale, Mangalem, Goricë dhe Kala janë më shumë se 35 bujtina që janë duke u ndërtuar” – tha Demo ndërsa shtoi se investimet publike që po bëhen në qytet, po ndiqen në mënyrë të barabartë edhe nga sektori privat dhe energjia që po çlirohet është e jashtëzakonshme.