E vërteta për qendrën e rehabilitimit në Shqipëri. Reagon kryeministria: Lajmi nuk është i vërtetë

608
Sigal

E vërteta për qendrën rehabilituese për ish-terroristët e ISIS në Shqipëri

Kryeministria përgënjeshtron lajmin: Nuk ekziston asnjë lloj ideje, kërkese për diçka të tillë

Në opinion u përhap lajmi se qeveria e Shqipërisë ka pranuar që të ngrihet në territorin e Shqipërisë një qendër rehabilituese për ish-militantët e ISIS. Ky lajm mori besueshmëri, sidomos pas takimit të kryeministrit Rama me kryeministrin bullgar në Tiranë, pas konferencës që u zhvillua për Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që pranoi muhaxhedinët, ku edhe për ata nuk ka asnjë lloj transparence.

Kryetari i PD-së: Ky vendim mund të merret edhe si ‘karamele’ për të ëmbëlsuar gojën e hidhur të Evropës për skandaleve Tahiri e Xhafa

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha reagoi: “Ndaj një dimension i tillë i kapërcen kufijtë ë vendit tonë, nuk mund të jetë një vendim i vetëm i një personi, aq më pak, nëse ajo serviret si një karamele për të ëmbëlsuar gojën e hidhur të Evropës nga skandalet ‘Tahiri’, ‘Xhafaj’, dhe lufta e pamjaftueshme kundër drogës dhe krimit”, tha Basha.

Petrit Vasili, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI: Ramës i është mbyllur goja, sepse ia tha vetë kryeministrit bullgar

“Ramës i është mbyllur goja, sepse ia tha vetë kryeministrit bullgar, se në Shqipëri do të bëhet një qendër koordinimi për luftëtarët që kthehen nga ISIS në territorin e Ballkanit. Pse bedelët e qeverisë gënjejnë trashë për qendrën e koordinimit të ish-ave të ISIS? Të thuash që kjo qeveri u çmend e tëra, nuk është lajm.

Kryeministria përgënjeshtron

Pas lajmit se në Shqipëri mund të ngrihej një qendër rehabilitimi për ish-terroristët e ISIS ka reaguar kryeministria. Përmes një deklarate për mediat Këshilltari i sigurisë në kryeministri Sandër Lleshi, thotë se nuk ekziston asnjë lloj ideje, kërkese, plani apo mundësie për diçka të tillë. Por ky lajm u dha pak ditë më parë nga kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë, në kuadër të takimit kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Njoftimi i kryeministrisë:

Duke venë re se disa lajme të rreme me karakter provokues dhe politike, që spekulojnë haptazi mbi një gjoja qendër për grumbullimin e ish-militantëve të ISIS-it në Shqipëri, këshilltari i Sigurisë i Kryeministrit, Sandër Lleshi, bën me dije se nuk ekziston asnjë lloj ideje, kërkese, plani apo mundësie për diçka të tillë. Këto opinione që i referohen një fraze të përdorur nga Kryeministri Borissov, janë krejt pa lidhje me subjektin, të cilit shefi i qeverisë bullgare iu referua në prononcimin e tij. Bëhet fjalë thjesht për Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, që ishte edhe organizatorja e konferencës ndërkombëtare të para pak ditëve, ku mori pjesë edhe Kryeministri i Bullgarisë. Shqipëria ka propozuar kthimin e kësaj qendre në një qendër rajonale, për të kryer analiza, vlerësime, studime, shkëmbim informacioni, si edhe programe të përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm. Por kjo qendër as nuk është, as nuk mund të jetë dhe as nuk i ka shkuar kurrkujt në mendje që të kthehet në një repart grumbullimi të ish-militantëve të ISIS-it. 

Mesila Doda: Nëse ky lajm është i vërtetë, nuk ka bastard më të madh se kryeministri ynë…

Ish-deputetja e PDIU-së, Mesila Doda: “Nëse ky lajm është i vërtetë, nuk ka bastard më të madh se kryeministri ynë.. Shqipëria çerdhe e terroristëve dhe kjo është dhuratë nga qeveria. Poshtërsi të tillë që të degradosh vendin tënd, duke e bërë kosh plehrash për të përfituar disa ditë zgjatje pushteti, nuk ka… Të gjithë në këmbë për të ndaluar një poshtërsi të tillë. Shoqëria civile, përfaqësuesit fetarë në vend, të rinj e të reja, prindër e qytetarë normalë të këtij vendi…duhet të jemi të gjithë në alarmin më të madh të këtyre 20 viteve. Na bënë koshin e plehrave të botës”, shkruan ish-deputetja Mesila Doda.