Ajo që deri dje ishte një përplasje e brendshme mes prokurorëve të SPAK-ut dhe P S-së ka udhëtuar drejt Brukselit si një test i dështuar për Reformën në Drejtësi, pas rrëzimit të kërkesës për arrestimin e Belinda Ballukut. Pas paralajmërimit të disa ambasadave të BE-së në Tiranë, 9 shtete, si Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Suedia, Austria, Finlanda, Polonia, Greqia dhe Bullgaria, nuk i hapin dritën jeshile Shqipërisë për në BE.
Negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian janë futur në një fazë frenimi, që i dedikohet votimit të datës 12 mars në parlament, kur Edi Rama me 82 vota socialistësh rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, një akt për të cilin ishin paralajmëruar pasojat nga zëra të fuqishëm të BE dhe nga disa ambasada perëndimore në Tiranë.Ndaj, ajo që deri dje ishte një përplasje e brendshme mes prokurorëve të SPAK-ut dhe Partisë Socialiste ka udhëtuar drejt Brukselit si një test i dështuar për reformën në drejtësi.Lapsi mësoi se në diskutimet e datës 1 Prill në COELA që është një grup pune i Këshillit të Bashkimit Europian, ku përfaqësues të të gjitha shteteve anëtare diskutojnë në nivel teknik dhe politik procesin e zgjerimit, nga 9 vende anëtare të Bashkimit Europian janë ngritur disa çështje që rrezikojnë avancimin me negociatat.Burime diplomatike konfirmojnë se një diskutim i detajuar është zhvilluar mbi raportin IBAR, instrumenti teknik që mat nëse një vend kandidat ka përmbushur standardet ndërmjetëse për të avancuar në negociata, veçanërisht në GrupKapitullin 1, që përfshin shtetin e së drejtës, drejtësinë dhe institucionet demokratike.Ky raport është një lloj filtri kritik që përsëritet herë pas herë në vlerësimet për një vend kandidat: pa kaluar IBAR-in, kapitujt nuk mbyllen dhe procesi mbetet në vendnumëro.Lapsi.al mësoi se një grup i konsiderueshëm shtetesh anëtare, 9 prej tyre, që përfshin Gjermaninë, Luksemburgun, Holandën, Suedinë, Austrinë, Finlandën, Poloninë, Greqinë dhe Bullgarinë, nuk janë ende të bindura se është momenti për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë. Secila prej tyre ka ngritur flamuj të kuq në fusha të ndryshme: Polonia për klimën e biznesit, Greqia për të drejtat e pronësisë, pakicat kombëtare, Bullgaria për pakicat, Austria për çështje konkrete si IPARD-i etj. Hezitimi i tyre kërkon pyetje të tjera shtesë.Në fund të ditës, qeveria e Ramës ishte paralajmëruar për pasojat që do të kishte për negociatat dhe po dështon pikërisht aty ku pretendon se ka bërë revolucion: tek drejtësia. Dhe në qendër të këtij revolucioni, si simbol i përplasjes qëndron një emër i vetëm: Belinda Balluku.



















