E majta po funksionon si letër bixhozi me dy koka

439
Sigal

Militantët e arsimuar socialist janë ata që, nuk kërkojnë atë që s’u takon, por kërkojnë atë që u takon, reformat në administratën publike të jenë të thella

Kriteret e punësimit që ministritë e Qeverisë së koalicionit të majtë po aplikojnë, kanë rritur në shkallën sipërore revoltën dhe pakënaqësitë e militantëve socialist  të Vlorës. Drejtues të institucioneve në Vlorë ankohen se i kanë duart të lidhura për punësimin e njerëzve, ndërkohë që mbi tavolina tundin kriteret e rekrutimit në administratën publike që filozofët e PS-së kanë shpikur kundër njerëzve të tyre që i sollën në pushtet?! Kësaj i thonë që në vend të vini vetulla po u nxirrni sytë atyre që u sollën në pushtet në 23 qershor 2013, duke zbatuar ligjet e Berishës, i cili u mori socialistëve konsensusin për të vulosur mbajtjen e njerëzve të tyre në institucionet e administratës publike?! Aq shumë është thelluar hendeku sa sot PS në Vlorë nuk është në gjendje të mbledh dot organizatat për zgjedhjet e ardhshme lokale, sepse veç 5 vetave që janë punësuar, të tjerët janë rrugëve dhe të pakënaqur. PS sot në pushtet ka harruar të kaluarën politike të saj, kur lideri i dikurshëm Nano deklaronte publikisht dhe botërisht se do sakrifikonte pushtet për të bërë shtet dhe përgjigjen e mori në zgjedhjet e vitit 2005, kur e çoi partinë në humbje. Në këtë rast u denigruan militantët, punëtorët e partisë, ata që janë palca kurrizore e çdo force politike, pa të cilët nuk do të kishte parti politike dhe pushtet. Të mos harrojmë vitin 1992, kur PD erdhi në pushtet përmes votës plebishitare të 22 marsit, por vetëm pas 4 muajsh dhe pikërisht në zgjedhjet vendore të korrikut humbi. A e dini përse? Sepse la rrugëve dhe u vonua në trajtimin e militantëve, e atyre që mbajtën liderin në krah me dy gishtat përpjetë. U përhap me vrull të paparë nepotizmi, ku secili mendonte se si të sistemonte njerëzit e tij të familjes dhe farefisit në krye të institucioneve dhe pozicioneve. Por nëse PD e korrigjoi në masën më të madhe këtë defekt në vitet që pasuan, paçka që këta e shpërdoruan keq pushtetin dhe duke u udhëhequr nga hakmarrja, mllefi dhe grykësia e kthyen Shqipërinë në një mejhane gjigante, të cilën po e gëzojmë sot, socialistët sot në pushtet po tregohen më fanatik se Papa?! Është e lehtë ta marrësh pushtetin, por është e vështirë ta mbash atë, prandaj krahas konsolidimit të shtetit, për të cilin çdo socialist nuk do të kish asnjë paragjykim, duhet forcuar dhe konsoliduar pushteti dhe pushteti forcohet dhe konsolidohet përmes kontribuuesve të tu, përmes vlerave të atyre që janë treguar të gatshëm në çdo moment kur ka gjëmuar trumbeta e liderit Edi Rama. Socialistët nuk janë si demokratët, lideri historik i të cilëve nuk pyeste shumë për arsimimin dhe profesionalizmin e tyre, mjafton që ai vet të ishte i pari në pushtet. Mjafton të ngrije dy gishtat përpjetë, të shaje 24 orë komunizmin dhe PS-së, të shkoje në mitingjet e Berishës duke marrë 3 mijë lekë shpërblim, të blije shkollën dhe diplomën, ose të blije një të falsifikuar dhe e gjeje fare thjeshtë vendin e punës, në bazë të rekomandimit të grupseksioneve të PD-së. Socialistët janë njerëz të arsimuar dhe të kualifikuar, janë njerëz që janë përkushtuar në të gjitha aksionet politike të partisë, janë ata që bënë censusin e partisë, ata që u helmuan me gazlotësjellës në 21 janar dhe ku plumbat e Gardës “berishiane” e “luljane” u fishkëllenin rrëzë veshit, ku mbetën të vrarë 4 protestues me duar në xhepa. Socialistët janë ata që trokitën derë më derë me projektin e PS dhe të Edi Ramës në duar, janë ata që mbështetën pa kufi deri në vetëmohim kandidaturat për deputet në zgjedhjet e 2013, paçka se këta u kanë kthyer kurrizin. Militantët e arsimuar socialist janë ata që nuk kërkojnë atë që s’u takon, por kërkojnë atë që u takon dhe që kërkojnë që reformat në administratën publike të jenë të thella. Është e çuditshme, por është e vërtetë që nga ministritë, sidomos ajo e arsimit, vijnë udhëzime dhe kritere që kundërshtojnë njëra-tjetrën, ku vihen barriera të pakapërcyeshme për rekrutimin e mësuesve nga jashtë sistemit?! U kërkohet vjetërsi pune, po si mund të kesh vjetërsi pune pa punuar më parë. Përse nuk merret në konsideratë vjetërsia e përgjithshme në administratën publike, por specifikohet kjo vetëm në arsim, duke u krijuar premisa atyre që janë aty aktualisht. Ne e dimë mirë se si u mbushën institucionet e arsimit para universitar me militant dhe njerëz të PD-së në këto 8 vitet e kaluara, kurse sot Ministria e Arsimit dhe drejtoritë arsimore nuk kanë guximin të thellojnë reformat duke kërkuar gjilpërën në kashtë?! Ç’ bëjnë deputetët socialist në Komisionit Parlamentar të Arsimit apo të komisioneve të tjera në lidhje me këtë problematikë shumë serioze, çka vështirëson organizimin e njerëzve socialist për fushatën e ardhme zgjedhore 2015 dhe fitoren e saj. Kur këto shqetësime u thuhen emisarëve socialistë që vijnë në Vlorë nga Tirana, ata shprehin mosbesim dhe garantojnë se fitoren e zgjedhjeve të 2015 e kanë në xhep?! Lum ata që dinë të pjekin  petulla me ujë, por zemërimi i socialistëve vlonjat është shumë më i thellë na ç mund të mendohet. Kuptohet, me ligjet që bëri Berisha për të mbrojtur njerëzit e tij, ua la dobiçin në dorë socialistëve, të cilët po presohen brenda enës së qelqtë si uthulla e vjetër. Këta drejtuesit socialist të partisë dhe qeverisë ende nuk e dinë, ose nuk duan ta besojnë se LSI po shton elektoratin edhe në kurriz të tyre, por edhe të PD-së. LSI po punon e heshtur dhe ka sistemuar dhe po këmbëngul të sistemoi sa më shumë nga njerëzit e saj në administratën publike, pa u kërkuar shumë nga kriteret që kërkojnë socialistët, por edhe nga njerëzit e PD-së, të cilët flakën “idealin” dhe ruajtën postet që kishin apo morën të rinj. Me sa kemi konstatuar LSI nuk pyet për vjetërsi pune në arsim, në shëndetësi dhe institucione të tjera. LSI kërkon qëndrueshmëri në vite të  pushtetit dhe shtimin me shpejtësi të radhëve të saj, që nesër kur të hapen letrat shqiptarët të mësojnë se kush është LSI e vërtetë. Ndërkohë socialistët hanë njerëzit e tyre (kështu kanë bërë gjithmonë) dhe e kanë diskutuar mbajtjen e pushtetit përmes dogmave që nuk i përgjigjen realitetit që jetojmë, si vendi më i varfër i Europës. Me socialistët e Vlorës u eksperimentua shume gjatë një viti pushteti, ku herë i lihej kompetenca njërit drejtues pastaj i hiqej atij dhe i jepej një tjetri, ndërkohë që partia funksionon me dy koka si letër bixhozi. Askush atje lartë nuk po mendon seriozisht për zgjedhjet vendore të 2015, siç duket janë velur me një vit pushtet. Kriteret që u dërgohen drejtuesve të institucioneve, sidomos në arsim, janë pengesa artificiale për të bllokuar, zemëruar dhe lenë rrugëve njerëzit e Rilindjes që u dergjën 8 vite në opozitë, u varfëruan në ekstrem, u angazhuan në çdo aksion politikë, nënshkruan kontrata politike për fitoren e zgjedhjeve, kapën dhe tejkaluan objektivat e 23 Qershorit, por tani po u përplaset dera për fytyre dhe po denigrohen. Ka kaluar një vit nga mandati i parë qeverisës i koalicionit të majtë progresiv dhe socialistët vlonjat ndjekin me entuziazëm, por edhe me ankth të gjitha përpjekjet vigane që po bënë Qeveria dhe Edi Rama për të ndryshuar realitetin në këtë vend që kishte zënë era kërmë gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD-së, ku slogani i tyre ishte; vidh të vjedhim, vrit dhe ndot se nuk i dihet fundi. 23 Qershori jua dha asprat në duar duke i nxjerrë në opozitë, paçka se gërthasin gjithë ditën kundër Edi Ramës me presione dhe shantazhe për t’i lidhur duart, por drejtësia thërret për Gërdecin, 21 janarin, shitjen e detit, trafiqet e hashashit e plotë palaçollëqe të bëra me hyqmin e pushtetit të korruptuar të drejtësisë. Këto janë njëra anë e medaljes, që duhen luftuar për të vendosur drejtësinë në vend, ana tjetër është mbajtja e pushtetit sa më gjatë në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por pushteti nuk mund të mbahet duke pasur në një krevat ata që vegjetonin dje në institucionet e shtetit dhe të administratës publike. Socialistët e Vlorës po presin zgjidhje sa më të shpejtë të problemeve që kanë, ndërkohë ministrat duhet ti vënë gishtin kokën se koha nuk kthehet më pas. Kriteret e vendosura për të penguar njerëzit me kontribute dhe të arsimuar, janë kritere që i shërbejnë PD-së, së Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës.

                                                                                                                            Çlirim HOXHA