Duka: Ekzistenca e PAA-së nuk vihet në dyshim, ja gabimet

530
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, u shpreh se do të vazhdojë drejtimin e kësaj force politike, ndërsa do të diskutohet për rezultatet e dobëta në zgjedhje. “PAA është një parti e vjetër në skenën politike shqiptare e cila ka lindur si përfaqësuese e banorëve të zonave rurale, për t’i dhënë rrugë zgjidhjeve problemeve të shumta që ka bujqësia dhe blegtoria. Ajo ka në programin e saj gjithashtu çështjet e agro-industrisë dhe mjedisit dhe të gjitha këto çështje, unë mendoj që më mirë se PAA nuk mund t’i trajtojë asnjë parti tjetër, sepse ajo ka në gjirin e saj specialistët më të mirë të këtyre fushave”, u shpreh Duka në një mesazh. Sipas tij, janë bërë edhe në të shkuarën përpjekje për të asimiluar partitë e vogla, por ata gjithmonë kanë dështuar. “Me gjithë rezultatin negativ të zgjedhjeve parlamentare, ne nuk kemi pse vëmë në dyshim ekzistencën dhe misionin e PAA-së për të ardhmen. PAA nuk u provua duke konkurruar më vete, por në kushtet e krijuara pas marrëveshjes së dy forcave të mëdha politike, kandidatët tanë si dhe strukturat e PAA punuan shume në fushatën elektorale në vazhdimësi të punës të filluar që prej një viti, por duke qenë në siglën e PD, puna e tyre nuk pati asnjë mundësi që të dilte në pah e si pasojë, nuk mundëm të siguronim asnjë përfaqësues në parlament për katër vitet e ardhshme”, u shpreh Duka. Sipas tij, vendimi për të mos konkurruar vetëm, ishte një vendim që u mor në konsultë me strukturat e PAA, ku shumica prej tyre duke menduar që nuk kishim numërues e komisioner dhe duke qenë se numri i votave të nevojshme për një mandat rritej shumë, gjykuan se dalja më vete na penalizonte shumë dhe fatkeqësisht ky vendim rezultoi i gabuar. “Si rezultat përgjegjësia kryesore në raste te tilla bie mbi Kryetarin dhe për këtë, do të diskutojmë në mbledhjen më të afërt të forumeve”, tha Duka.
Sigal