Në një demokraci normale, qytetarët protestojnë paqësisht, qeveria reflekton menjëherë… Të gjithë shpërndahen pa shkatërruar asgjë. Në një demokraci normale, qytetarët bëjnë kallëzim në prokurori për një PPP abuzive, drejtësia funksionon, fajtorët dënohen, paratë i kthehen buxhetit të shtetit, shoqëria qetësohet. Por ne nuk jemi demokraci normale. Ne kemi shtet, i cili kur sheh se proteston paqësisht, bëhet arrogant dhe të shkel me këmbë. Kemi bërë dhjetëra protesta paqësore, por shteti, në vend që të reflektojë, i ka hipur vetja në qejf, duke e konsideruar të dobët sovranin. Tallja sistematike e pushtetit me sovranin sjell një ditë të bukur mbushjen e kupës, e cila sjell në mënyrë të pashmangshme dhunën, revoltën popullore. Gjithsesi, shohim që dhuna jonë është më civile se ajo në Europë. Kemi një dhunë të drejtuar eksluzivisht ndaj aseteve të pushtetit, ndërkohë, që në Europë dhuna është më kaotike dhe i drejtohet shpesh herë edhe aseteve të njerëzve të thjeshtë. Kemi parë shumë raste në Europë, ku protestuesit djegin makina, shkatërrojnë dyqane apo bastisin supermarket, thjesht për të nxjerrë dufin. Ndërkohë, që në keto protesta, asnjë pronë e njerëzve të thjeshtë nuk është prekur me dorë. Protestuesit tanë i shohin pronarët e dyqaneve të vogla të falimentuar si ata vetë, të përçmuar e të shkelur me këmbë nga pushteti, si ata vetë, por në një mënyrë më tinzare, jo me shkopa gome, por me strategji fiskale vrastare për biznesin e vogël. Mos e paragjykoni dhunën ndaj pushtetit, sepse në një vend ku pushteti i sillet sovranit me arrogancë, dhuna është e vetmja mënyrë për të vendosur ekuilibrat në shoqëri!




















