Dr. Agim Nesho: DASH duhet të ndëshkojë korrupsionin në qeverisjen e vendit, ndryshe qëndrimet do të shikohen si selektive  

421
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar të kuptojë sa më shpejt se regjimi i Tiranës është një regjim autokratik i mbështetur nga oligarkët dhe nuk ka asgjë të përbashkët me regjimet demokratike

Dr. Agim Nesho, ish- ambasador në SHBA, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se, Urdhri ekzekutiv i Presidentit Biden për ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar, të cilët destabilizojnë Ballkanin Perëndimor është rikthimi i Amerikës si udhëheqësi i botës Perëndimore, ndaj është qesharake, që disa shërbëtorë të regjimit në Shqipëri këtë ta shikojnë se lidhet me persona të veçantë. Diplomati Nesho thotë se, ambasada amerikane dhe DASH u ngutën, që të njohin zgjedhjet e 25 prillit, derisa nga dita në ditë, faktet e provat dëshmojnë se  25 prilli ka qenë një masakër zgjedhore, e përgatitur nga qeveria, prandaj, komuniteti ndërkombëtar të kuptojë sa më shpejt se regjimi i Tiranës është një regjim autokratik i mbështetur nga oligarkët dhe nuk ka asgjë të përbashkët me regjimet demokratike. Zoti Nesho thotë se “me eleminimin e liderëve, si Meta dhe Berisha, Rama do të ndjehet më i lirë, duke menduar që komuniteti ndërkombëtar kërkon vetëm shembullin dhe jo të realizojë ‘piazza pulita’ në Shqipëri.

 Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

-Zoti Nesho, këtu në Shqipëri, politikanë, media, analistë, vendimin ekzekutiv të Presidentit Biden, për ndalimin e hyrjes në SHBA dhe sekuestrimin e pasurive të personave nga Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, të cilët me veprimet e tyre kanë korruptuar dhe kanë ndikuar destabilizimin e Rajonit e lidhin me vendimin e DASH për Berishën. Ju si e perceproni?  Ata udhëheqës në Ballkanin Perëndimor që mbështetën atë plan, a mendoni se do të jenë subjekt hetimi nga ky vendim ekzekutiv i Presidentit Biden?

– Urdhri ekzekutiv i Presidentit Biden është tregues i një rikthimi të Amerikës si udhëheqës i botës Perëndimore dhe rikthim në rendin liberal botëror. Urdhri i Presidentit, për mendimin tim, ka të bëjë me disa arsye:

Së pari, Presidenti Biden vendosi vijat e kuqe për Rusinë dhe shtrirjen e interesave të saj revizioniste në Evropë dhe sidomos, në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky akt vjen përpara Samitit të Gjenevës midis dy fuqive të mëdha dhe është një përgjigje ndaj ambicieve revizioniste të Rusisë për të qenë prezente në politikat ballkanike.

“Ngutja për të njohur sa më parë zgjedhjet e 25 Prillit është një veprim paksa i nxituar, kur procesi zgjedhor nuk ka mbaruar. Kjo situatë nuk motivohet vetëm nga nevoja për të ruajtur stabilitetin, por edhe nga mënyra si vepron diplomacia amerikane”

“Shikojmë nga dita në ditë konsolidimin e një regjimi autokrat, të korruptuar, që po e devijon Shqipërinë nga rruga e demokracisë. Por vëmendja jonë nuk është e njëjtë me vëmendjen, që superfuqia botërore ka ndaj vendit tonë”

Së dyti, ky urdhër ekzekutiv qëndron dhe do të zbatohet për të gjithë ata individë, që kryejnë akte ose promovojnë destabilitet në Ballkan, të gjithë ata që nxisin skenarë të nxitjes së urrejtjes sociale, të ndarjes së kufijve ose të krijimit të skenarëve gjeopolitikë në Ballkanin Perëndimor ose kërkojnë prishjen e gjithë marrëveshjeve ose traktateve që qëndrojnë në zgjidhjet e mëdha politike të Ballkanit. Fatkeqësisht, gjatë periudhës paraardhëse, shumë liderë ballkanikë u përfshinë në skenarë të rrezikshëm dhe destabilizues të shtyrë nga interesa pushteti dhe të frymëzuar nga skenarë sllavo-rusë për të realizuar një të ashtuquajtur zgjidhje të qëndrueshme për Ballkanin. Këta skenarë fatkeqësisht nuk janë zhdukur, megjithëse janë dënuar nga fuqitë evropiane. Dhe përpiqen të gjejnë vend, kur nuk ka një projekt konkret për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Së treti, Presidenti Biden shprehet në parim që fenomenet negative të Ballkanit Perëndimor si korrupsioni, krimi i organizuar, klientelizmi duhen goditur se përbëjnë bazën e mos funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë. Me këtë lëvizje largpamëse Presidenti Biden hedh një hap të madh në krijimin e legasisë së tij për fuqizimin e demokracisë kudo në botë. Është qesharake, që shërbëtorë të regjimit, përpiqen ta devijojnë diskutimin dhe të tregojnë se lëvizja e Presidentit Biden lidhet me persona të veçantë, kur urdhri ekzekutiv, drejtohet ndaj ‘aventurierëve’ të Ballkanit dhe atyre që iu tërheqin fijet.

“Është shumë e rëndësishme, që DASH në politikën e tij të ndëshkimit duhet të jetë transparent dhe të godasë fenomenin e korrupsionit me forcë sidomos, kur ky i fundit lulëzon në qeverisjen e vendit”

Në raportin vjetor 2020 të DASH, Shqipëria cilësohet vendi më i korruptuar, parajsa e pastrimit të parave të krimit, hartohen ligje që u shërbejnë interesave korruptive, etj. A mendoni, se zyrtarët e sotëm shqiptarë, shkaktarë të këtij realiteti që pasqyron Raporti i DASH, do të jenë subjekt i vendimit ekzekutiv të Presidentit të SHBA-së?

– Është e vërtetë, që vitet e fundit treguesit për ecurinë e demokracisë dhe shtetit ligjor janë përkeqësuar për Shqipërinë. Shqipëria shfaqet problematike lidhur me transparencën, llogaridhënien (thuajse nuk ekzistojnë), fenomenin e shtetit të kapur, lidhjes së politikës më krimin e organizuar, kapjen e medias së lirë dhe presioni ndaj saj. Departamenti i Shtetit në mënyrë të përsëritur dhe objektive ka paraqitur një pamje reale se çfarë ndodh në Shqipëri. Këto raporte kritike, në çdo vend demokratik, do të ishin mjaftueshëm për opinionin publik, shoqërinë civile për të kërkuar ndryshim. Në Shqipëri kjo gjë nuk ndodh së partia-shtet ka kapur çdo institucion dhe balancat e pushtetit janë zhbalancuar. Sigurisht për të sjellë balancat dhe shtetin ligjor duhen veprime konkrete ndaj përfaqësuesve të regjimit. Është shumë e rëndësishme, që Departamenti i Shtetit në politikën e tij të ndëshkimit duhet të jetë transparent dhe të godasë fenomenin e korrupsionit me forcë sidomos, kur ky i fundit lulëzon në qeverisjen e vendit. Koha e veprimit është shumë e rëndësishme për të kthyer besimin tek opinioni publik. Në të kundërt, qëndrimet e Departamentit të Shtetit do të shikohen si qëndrime selektive dhe goditëse për politikat e ditës.

Ish-Kryeministri Berisha edhe dje deklaroi se Xhorxh Soros projektoi ndarjen e kufijve Kosovë-Serbi, me zbatues Thaçin, Vuçiç, Ramën, por këtë plan e kundërshtoi me forcë kancelarja Merkel, si rrezik për destabilizimin e Rajonit. Kujt i adresohet Berisha?

– Sigurisht kryeministri Berisha ka analizën dhe gjykimin e tij për projektin e ndryshimit të kufijve. Zoti Berisha ka qenë një nga kritikët kryesorë të këtij projekti famëkeq që për Ballkanin do të sillte destabilitet dhe mund të provokonte prishjen e paqes ballkanike. Ky skenar Serbo-Rus ka qenë prezent në politikën e jashtme të Serbisë, ku edhe sot jetën politike e dominojnë nacionalistët e rinj post-Millosheviç. Në hapësirat shqiptare ky skenar u favorizua nga Rama dhe Thaçi, duke menduar, që shqiptarët mund të përfitonin, ashtu si edhe për pushtetin e tyre personal. Përkrahja e këtij projekti është bërë edhe nga personalitete, individë të botës së financës, lobistë dhe politikanë perëndimorë, të cilët mendojnë që Serbisë duhet t’i jepet diçka, pavarësisht se çështja e Kosovës është një realitet historik i pakthyeshëm.  Në këtë drejtim nuk mendoj që George Soros është arkitekt i projektit, por persona të rëndësishëm pranë tij kanë menduar se, duke përkrahur Vuçiç dhe Rama, përkrahin individët e promovuar prej tyre, duke rritur influencat e organizatës, në një realitet të ri të mundshëm. Pavarësisht se kush i përkrah dhe promovon, urdhri ekzekutiv i Presidentit Biden, e shpreh qartë që, riaktivizimi i projekteve të tilla, do të sjellë ndëshkim ndaj autorëve. Nuk do të jetë surprizë që aventurierët e trembur do të distancohen nga planet, duke pretenduar që projekte të tilla janë ‘marrëzira’. Por nuk mund të fshihen pas gishtit.

“Është qesharake, që shërbëtorë të regjimit përpiqen ta devijojnë diskutimin dhe të tregojnë se urdhëri i Presidentit Biden lidhet me persona të veçantë, kur urdhri ekzekutiv drejtohet ndaj ‘aventurierëve’ të Ballkanit dhe atyre që iu tërheqin fijet”

Zoti Nesho, kryeministri Rama në Kuvend tha se Presidenti Meta, në replikën ndaj ambasadores Yuri Kim, turpëroi Shqipërinë tek SHBA. Ju, me përvojën tuaj diplomatike, a mendoni se Presidenti i Republikës Ilir Meta turpëroi SHBA? A nuk bën përshtypje, që ende deri sot, ambasadorja Kim nuk ka përgënjeshtruar kritikat e Presidentit të Shqipërisë për presionin e ushtruar ndaj Tij, që të pranonte emërimin e Dvoranit në krye të KED-së, ndërkohë që Parlamenti ynë e “kryqëzon” Presidentin pse e tha publikisht?

– Akti i shkarkimit të Presidentit Meta nga parlamenti ‘kukull’ ishte një akt i turpshëm dhe lëvizja e fundit e regjimit Rama për të kapur institucionet e pavarura të shtetit. Me tentativën për heqjen e Presidentit të Republikës me akte të pambështetura në Kushtetutë, regjimi tregoi natyrën e tij të rrezikshme, që nuk ndalet para arsyes shtetërore. Presidenti nuk gjykohet se çfarë thotë, por si drejton dhe çfarë balance mban. Në një shtet të kapur dhe pa balancat e pushtetit është e pamundur të gjesh një President të qetë, që të mos mbrojë regjimin kushtetues demokratik. Zoti Rama përpiqet të bëjë diversion me fjalën e tij, që Presidenti ka prekur marrëdhënien me partnerin tonë strategjik, sepse ka qenë ai shembulli, që i ka thënë ambasadores Amerikane ‘Nuk marr mësime nga ty, por nga demokracia Amerikane”; ka shprehur pakënaqësi për Sekretarin e Shtetit, duke thënë se ‘nuk më përcakton shokët e mi’, duke harruar se ai nuk është individ, por përfaqësues i qeverisë dhe akti i Sekretarit të Shtetit është një akt institucional.  Zoti Meta, si një lider me personalitet të fortë, ishte një pengesë reale për pushtetin e pakufizuar të Zotit Rama, prandaj për një kohë të gjatë është projektuar skenari për largimin e tij. Me eleminimin e liderëve, si Meta dhe Berisha, Rama do të ndjehet më i lirë, duke menduar që komuniteti ndërkombëtar kërkon vetëm shembullin dhe jo të realizojë ‘piazza pulita’ në Shqipëri. Eleminimi i Metës është pjesë e strategjisë së autoritarit Rama për të siguruar strategjinë e konsolidimit të pushtetit.

Zoti Nesho, si e shpjegoni ju ngutjen e ambasadores Kim por edhe të DASH-it që të njohin që më 26 prill zgjedhjet në Shqipëri, kur ende as KQZ nuk i certifikoi, por nuk pritën as procesin e ankimimit, ku dëshmohen qartazi krime zgjedhore të manipulimit të votës?

– Ngutja për të njohur sa më parë zgjedhjet e 25 Prillit është një veprim paksa i nxituar, kur procesi zgjedhor nuk ka mbaruar. Kjo situatë nuk motivohet vetëm nga nevoja për të ruajtur stabilitetin, por edhe nga mënyra si vepron diplomacia amerikane, që shikon vetëm nga e ardhmja. Por kjo nuk presupozon, që ata nuk do të jenë kritikë në qoftë se evidentohen nga opozita fakte të pakundërshtueshme, që tregojnë që zgjedhjet janë manipuluar dhe vullneti i popullit nuk ka qenë i qartë. Nga dita në ditë po del qartë, se 25 prilli ka qenë një masakër zgjedhore e përgatitur nga qeveria për një periudhë të gjatë, ku pjesë e kësaj masakre kanë qenë fondet publike, institucionet publike (administrata) si dhe blerja e votës. Këto procese zgjidhen vetëm me qëndresën, që mund të bëjë opozita, duke qëndruar në parim se nuk ka përfaqësim, kur institucionet e shtetit nuk kanë legjitimitet. Ky qëndrim parimor mund të mos sjellë përsëritjen e zgjedhjeve, por mund të fitohet një konsensus i ri për zgjedhje të parakohshme, për zgjedhjet administrative, që duhet të sjellin prezantimin e 50 përqind të elektoratit dhe kushte të tjera, që do të mundësojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme në të ardhmen.

“Akti i shkarkimit të Presidentit Meta nga parlamenti ‘kukull’ ishte një akt i turpshëm dhe lëvizja e fundit e regjimit Rama për të kapur institucionet e pavarura të shtetit”

“Gabimi i madh i Perëndimit është se në shumë raste investojnë në individë dhe jo institucione. Por vjen një kohë, kur regjimet demaskohen dhe ikin me turp nga pushteti”

– Shqiptarët e perceptojnë SHBA si vendi i një demokracie të lartë. Ju, zoti Nesho, si e shpjegoni që administrata e Presidentit të SHBA mbështet politikish në Shqipëri një kryeministër që nuk bën zgjedhje të lira e demokratike, që realisht ka marrë të gjitha pushtetet, që ka nënshtruar Drejtësinë, që Shqipërinë e katandisi vendin më të korruptuar, parajsën e pastrimit të parave, etj? Thjesht, për hir të stabilokracisë?

– Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë demokracia më e fuqishme sot në botë, një demokraci, që vetëm përsoset nga aftësia për të korrigjuar vetveten. Për ne, që jetojmë përditë në Shqipëri shikojmë nga dita në ditë konsolidimin e një regjimi autokrat, të korruptuar, që po e devijon Shqipërinë nga rruga e demokracisë. Por vëmendja jonë nuk është e njëjtë me vëmendjen, që superfuqia botërore ka ndaj vendit tonë. Në shumë raste, kur regjimet e korruptuara janë edhe klienteliste, domethënë realizojnë çdo kërkesë që ju vjen nga vendet e fuqishme, ndjeshmëria është edhe më e vonuar. Në demokracitë perfekte këtë ndjeshmëri e sensibilizon media e lirë dhe shoqëria civilec që në vendin tonë përpiqen gjithmonë e më shumë të kapen nga regjimi.  Gabimi i madh i Perëndimit është se në shumë raste investojnë në individë dhe jo institucione. Por vjen një kohë, kur regjimet demaskohen dhe ikin me turp nga pushteti. Për këtë duhet punuar me ngulm dhe me vendosmëri dhe është detyrë plot sakrifica. Shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar të kuptojë sa më shpejt se regjimi i Tiranës është një regjim autokratik i mbështetur nga oligarkët dhe nuk ka asgjë të përbashkët me regjimet demokratike.

-Faleminderit!