Donald Lu: Politika të bashkëpunojë për Kryeprokurorin, të largojmë të korruptuarit

605
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu i ka dhënë një mesazh politikës lidhur me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai tha se sistemi i ri nuk mund të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht. Diplomati amerikan deklaroi, se Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian, nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Evropë. “I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilit i përfundoi mandati 5 vjeçar me 7 dhjetor. Të dy palët duhet t’i japin fundit epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar”, u shpreh Lu. Ai shtoi më tej se reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar, komisionet e vetingut dhe vëzhguesit ndërkombëtar kanë punuar shumë, së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vetingut. “Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera të reformës në drejtësi, përfshirë SPAK dhe BKH. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi, se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur”, deklaroi ambasadori amerikan ditën e sotme, i pranishëm në konferencën e organizuar nga Avokati i Popullit. Ai nënvizoi se sistemi i vjetër i drejtësisë mbrojti njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik.
Sigal