Sekuestrohen 892 mijë paketa cigare kontrabandë në Hanin e Hotit, ishin pa pullë fiskale

438
Sigal

Ditën e sotme, strukturat e Administratës Doganore kanë sekuestruar një sasi prej 892 mijë paketa cigare në Pikën e kalimit Kufitar të Hanit të Hotit.

Pas dyshimeve të arsyeshme, mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të një ngarkese, strukturat doganore ushtruan kontroll në mjetin e dyshuar, ku rezultoi një ngarkesë prej 892 mijë paketa cigare të markës “ President Slims”.

E gjithë ngarkesa me cigare ishte e papajisur me pulle fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.

Nëse ky mall do të hidhej në treg, vlera e detyrimit doganor që duhej të paguhej kap shifrën e 140 milion lekë.

E gjithë sasia u sekuestrua  dhe rasti u referua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për vepren penale, “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “ falsifikimi i vulave, stampave ose i formularve” të parashikuar nga neni 172 dhe 190/3 të Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore.

Ky nuk është rasti i parë i kohëve të fundit që kapen mallra kontrabandë, sidomos për mallrat e akcizës.

Strukturat  e Administratës Doganore do  vijojnë  të  jenë  të  angazhuara  tërësisht  në  zbatimin  e  planeve  operacionale që kanë, pasi  objektivi  ynë  është lufta  ndaj  paligjshmërisë,  duke  synuar  krijimin  e  një  klime  të  favorshme  për  të  zhvilluar biznes në funksion të konkurrencës së ndershme dhe barazisë para ligjit.